Kim Mehmeti: Zhvatësit shumëvjeçarë të “Shqipërive” tona

259
Sigal

Zhvatësit shumëvjeçarë të ‘Shqipërive’ tona e duan pushtetin nga frika e ardhjes së ndonjë “Albini” që do i çojë ta vjellin atë që kanë ngrënë gjatë viteve të hajnisë! Shpesh më mbivlerësojnë e më pyesin si është e mundur që të jenë aq jetëgjatë politikanët tanë injorantë, të pandershëm e të korruptuar, në krahasim me të mençurit, të ndershmit dhe ata që, në mos më shumë, nuk kanë të shkuar të njollosur?! Siç më pyesin shpesh si është e mundur, për shembull, të jenë aq jetëgjatë politikanët e Kosovës, për të cilët, do mjaftonte ajo që e kanë thënë për njëri tjetër, që të kishin turp të dilnin në rrugë, e le më në fushatë parazgjedhore, apo të bëheshin pjesëtarë të kabineteve qeveritare?! Ku ta dish, ndoshta edhe nuk mund të kesh politikanë e burrështetas të ndershëm në shoqëri si tonat, ku nuk diplomon koka po xhepi, ku ke doktorë shkencash që kanë lexuar vetëm menytë e kafeneve, ku më shumë çmohet profesori, mjeku, gjykatësi, administratori…, që merr ryshfet se sa ai që nuk i ushqen fëmijët e vet me djersën e hallexhinjve! Pra, ku ta dish, ndoshta jemi shoqëri ku jo se nuk lindin politikanë të mençur e me dinjitet, siç është për shembull sot për sot Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, por të cilat nuk janë djep që mëkojnë e rrisin politikanë të tillë! Shoqëri pra ku bashkohen injoranca e pandershmëria politike e mediatike, për ta luftuar ndershmërinë e zgjuarsinë që mund t’ua heq maskat atyre të cilëve po ua pështure njërën fytyrë, ata ta kthejnë tjetrën! Shpesh më mbivlerësojnë e më pyesin si është e mundur që asgjë të mos i ngijë burrështetasit tanë hajdut ‘properëndimorë’ e ‘proamerkanë’, të cilët me dekada e zhvatën popullin dhe që kanë bërë pasuri për të na blerë gjithë neve?! Ku ta dish, u them,.ndoshta ata tani edhe nuk e duan pushtetin pse janë të uritur, por nga frika se do mund të vijë në pushtet ndonjë politikanë i ndershëm, i cili do i çojë ta vjellin tërë atë që e kanë ‘ngrënë’ gjatë viteve të hajnisë së tyre!