Kim Mehmeti: Çdo shtëpi shqiptare duhet stolisur: E dua Çamërinë!

170
Sigal

 

Policia maqedonase, pa asnjë sqarim, i paska hequr mbishkrimet “E duam Çamërinë”. E mediat maqedonase qenkan alarmuar nga ‘irredentizmi’ shqiptar, i shprehur nëpërmjet dashurisë ndaj një pjese të vetvetes! Nuk ka dyshim se, sikur të mundej, policia maqedonase do e shlyente nga kujtesa jonë, jo vetëm kujtesën për tragjedinë çame, por edhe mbëmendjen për vetveten. Pra do na e ndalonte ta duam gjithë shqiptarinë dhe do na çonte të mburreshim me himnin shtetëror, që rrëfen për ‘maqedonasit e kudondodhur, që janë zgjuar dhe luftojnë për të drejtat e tyre”?! Por sidoqoftë, ne shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kuptojmë se, nuk kemi gjithaq problem me antishqiptarinë institucionale, e cila do të na bindë se për ne, çdo gjë duhet të përfundojë te trau ndërkufitar në Qafë të Thanës dhe në Bllacë, por problemi ynë janë edhe disa ‘shkije’ tanë, që ndërrojnë ngjyrën nga e kuqja në të gjelbër, si të ishin kameleonë, por të cilët assesi nuk e kuptojnë se kolltukët e tyre janë veshur me përbuzjen dhe urrejtjen ndaj shqiptarisë. Andaj tani jo vetëm sheshet, por edhe shtëpia e çdo shqiptari shkupjan, duhet të stoliset me mbishkrimin ‘E dua dhe kurrë nuk e harroj Çamërinë”! Dhe të shohim, a do vijë policia maqedonase t’i gëlqerosë edhe muret e shtëpive tona!