Këshilltari juridik i Presidentit të Republikës, Bledi Dervishaj: Disa fakte për të kuptuar realitetin se si është gjendja e sistemit gjyqësor sot

374
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

1. Gjykata e Apelit Admimistrativ sot ka 8 gjyqtarë, nga 13 që duhet të kishte sipas organikës. Sot në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje të vitit 2016, pra të atyre njerëzve që halli me shtetin apo nga shteti i ka zënë 5 vite më parë. Sipas ligjit, shqyrtimi në Gjykatën Administrative duhet të përfundojë 30 ditë pas administrimit të ankimit, ndërkohë që mosmarrëveshjet e qytetarit me administratën për vendimet e saj, shtohen përditë. Llogaritë më mirë mos të fillojme t’i bëjmë, se do na vdesë dhe ajo fija e fundit e shpresës.

2. Gjykata e Apelit Tiranë sot ka vetëm 9 gjyqtarë, nga 31 që duhet të kishte sipas organikës. Edhe në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje me vite vonesë (2016) dhe ka shumë probleme me formimin e trupave gjyqësore. Ka 14 000 dosje që presin gjykimin.

3. Gjykatat e Apeleve në Rrethe funksionojnë me numër gjyqtarësh më shumë se të përgjysmuar. Ka Gjykata që nuk formojnë as një trup gjyqësore me 3 anëtarë, ndërkohë që në Gjykatat e Rretheve përditë reduktohet numri i gjyqtarëve për shkak të procesit vetting. Edhe në këto gjykata ka vonesa masive, me vite, në shqyrtimin e çështjeve.

Strategji të qartë dhe realiste për plotësimim e vendeve vakante në këto gjykata me gjyqtarë me eksperiencë nuk ka, apo të paktën publikut nuk i është ofruar.

4. Gjykata e Lartë sot ka 7 gjyqtarë nga 19 që duhet të kishte. Sot në këtë gjykatë çështjet e mbartura vijojnë të jenë mbi 30 000 mijë dhe që datojnë prej vitit 2016.

Mjafton një llogari e thjeshtë dhe të del që edhe kjo gjykatë duhet të ketë në përbërje 30 gjyqtarë që të rikthehet në normalitet për një periudhë 3 vjecare.

Praktikisht të gjitha Gjykatat në vend, nuk kanë numrin e gjyqtarëve që përcakton ligji. (Shk.I min.7; Gj.Apelit min.13 gjyqtarë).

Që të jemi të sinqertë me veten dhe njeri-tjetrin, të gjithë duhet të gjejmë burrërine të ngremë këto pyetje:

5. A janë të vërteta këto fakte? Patjeter që po! Po i vuajmë në kurriz përditë!
6. A konsiderohet kjo, një gjendje suksesi?

Vetëm nëse fjala “sukses” do të ishte e barabartë me fjalën “rri në vend numero”, “blloko”, apo akoma më keq, “kthehu pas”!

7. A kemi sot një sistem gjyqësor funksional dhe që jep drejtësi në kohë?

Funksionaliteti nuk është të kesh nja dy veta brenda institucioneve të hapin e mbyllin dyert, pas dosjeve që mbahen stok me vite.

8. Kur do të jetë ai vit (????) që këto gjykata do shqyrtojnë me koherencë dhe brenda një afati të arsyeshëm? Edhe sa 5-vjeçarë duhet të presim?!!

9. Pse gënjeshtra nuk i ka këmbët aq të shkurtra kur gënjen një i huaj ? Pse gënjeshtrat në gjuhë të huaj i tresim kollaj ne shqiptarët?

Ku e di unë…mos vallë është çështje keqpërkthimi!

Do jetë faji i përkthyesit me siguri, jo i të huajit! Kur zgjedh të thuash të vërtetat, të paktën je mik i popullit tënd, dhe i del përballë, atyre që duan ta sundojnë e ta mbajnë të përgjumur atë!  Unë zgjedhjen time e kam bërë. Jam me të vërtetën, jo me gënjeshtrën, jo me hipokrizinë. Ndaj edhe më shumë akoma nuk honeps, ahengxhinjtë, që duartrokasin gënjeshtarin, sesa vet këtë të fundit.  Secili që do të jetojë me nder, nuk duhet të rreshtë  së thëni të vërteta. Dhe të tillë njerëz, me integritet, shoqëria jonë ka plot. Ndaj kam zgjedhur të jem me ta, në anën e së vërtetës.

E vërteta shëron shpejt, hipokrizia dhe gënjeshtra të mbajnë gjithmonë në agoni pa fund.