Kërcënimi rus, Shqipëria në dy misionet e NATO-s

493
Sigal

Shqipëria do të
marrë pjesë ushtarakisht në dy nga misionet më të rëndësishme të NATO-s. Nga
ministeriali i NATO-s në Bruksel, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi
se ushtarakët shqiptarë do të jenë në misionet e Aleancës në detin e Egje dhe
në atë të mbrojtjes së kufijve në Letoni. “Do të shkojmë me ekspertët dhe
specialistët tanë, si dhe me oficerët e Shtabit të Përgjithshëm dhe do të jemi
prezentë në frontin e zgjeruar lindor, që do të funksionojë gjatë për shkak të
kërcënimeve që vijnë nga Lindja. Gjithashtu, Shqipëria ka deklaruar
gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e misionit në detin Egje, që do të
udhëhiqet nga Marina Holandeze”, deklaroi Kodheli. Në Bruksel, Kodheli u takua
edhe me homologun letonez dhe atë kanadez. Ministrja e Mbrojtjes tha se
Shqipëria ka marrë përgjigje pozitive për kërkesën e bërë më parë për të
ngritur qendrën e ekselencës së NATO-s në Tiranë, e cila do të merret posaçërisht
me luftëtarët e huaj.