“IDC-CDI, organizata politike më e madhe në botë, me 108 parti anëtare, rrëzoi në Asamblenë e Përgjithshme të organizuar në Bregun e Fildishtë në Afrikë, farsën elektorale të 11 Majit të organizuar në Shqipëri!” Kështu shprehet Belind Këlliçi në një postim në Facebook, teksa ndan rezolutën e miratuar një ditë më parë në Abixhan. Sikurse u shpreh pak më parë edhe kreu demokrat, Sali Berisha, miratimi i kësaj rezolute erdhi pas paraqitjes së materialeve nga përfaqësuesit e PD-së në konferencën e kësaj organizate; Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi. Në rezolutë, IDC-CDI thekson se zgjedhjet në Shqipëri u shoqëruan me presion sistematik, frikësim dhe blerje të votës; keqpërdorim masiv të burimeve publike për qëllime elektorale, kontroll të qeverisë mbi median dhe censurë politike, përfshirë ndalimin e platformës TikTok, si edhe manipulim të procesit zgjedhor.
Në rezolutën e IDC-CDI kërkohet formimi urgjent i një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të reja, zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërprerje e përndjekjes politike ndaj liderëve opozitarë, kushtëzim i integrimit të Shqipërisë në BE me reforma zgjedhore dhe demokratike.