Kejdi Mehmetaj: Ky është mjerimi në të cilin jeton një prej zonave më turistike të Bashkisë Fier, Darëzeza!

205
Nga Kejdi Mehmetaj
Ky është mjerimi në të cilin jeton një prej zonave më turistike të Bashkisë Fier, Darëzeza!
Ura që është shembur sot, nuk mund të quhet as urë. Ajo u ndërtua nga ushtria gjatë përmbytjeve të vitit 2015, me materiale që nuk rezistojnë, si një strukturë e përkohëshme që do të plotësonte nevojat për lëvizje të banorëve deri në ndërtimin e urës së re. Në këto 6 vite që kanë kaluar ura e re u harrua edhe pse në këtë urë nuk kalojnë vetëm banorët e fshatit Darëzezë (që sot gjenden të izoluar), por mijëra pushues që frekuentojnë plazhin e kësaj zone e njëkohësisht dhjetra biznese që paguajnë taksa.
Pak javë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, Bashkia Fier edhe të tjerë rilindas të interesuar vetëm për votën e qytetarëve, aspak për mirëqenien e tyre, u kujtuan për këtë urë. Vendosën tabela për fillimin e punimeve dhe sollën materiale ndërtimi. Pak ditë pas zgjedhjeve u zhdukën edhe tabelat edhe materialet.
Sot, në fillim të sezonit turistik, ura u shemb duke izoluar fshatin e duke bllokuar pushuesit. Me shumë gjasa ushtrisë do i kërkohet të ngrejë me urgjencë një urë të ngjashme, e ura e re do harrohet derisa të ketë zgjedhje ose të shembet sërish.
Kjo ngjarje nuk duhet të trajtohet si aksident, prokuroria duhet të nisë hetimet, të zbardhë cfarë ka ndodhur me projektet elektorale dhe mbi të gjitha pse vazhdonin akoma qytetarët të përdornin këtë urë që mund të shkaktonte dëme më të mëdha se ky i sotmi.
Sigal