Kejdi Mehmetaj: Krimi zgjedhor po përmbyllet me sjelljen e vendimet e KQZ dhe KAS

174
Sigal

Kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e 25 prillit, Kejdi Mehmetaj, ka akuzuar KQZ-në dhe KAS-in se me vendimet e tyre po përkrahin krimin zgjedhor.

KAS rrëzoi kërkesën e LSI-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Berat, Gjirokastër e Vlorë, edhe pse sipas Mehmetajt, u vërtetua me prova se ka patur votim të shumëfishtë, apo edhe mbushje të kutive me më tepër fletë se votues.

“Mjafton të dëgjosh pak nga seancat që po mban KAS për të kuptuar se krimi zgjedhor që filloi me presionet shtetërore, shpërdorimin e detyrës shtetërore dhe shit-blerjen e votës, që vazhdoi ditën e zgjedhjeve e gjatë numërimit, po përmbyllet me sjelljen e vendimet e KQZ dhe KAS.

Duket se trupa e KAS edhe pse duhet të jetë e pa anëshme e të gjykojë mbi provat që paraqiten, vazhdon e jep vendime që me siguri janë shkruar ne zyrën e Ramës.

KAS rrëzoi kërkesën e LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Berat, Gjirokastër e Vlorë edhe pse u vërtetua me prova se ka patur votim të shumëfisht, mbushje të kutive me më tepër fletë se votues, mungesa të regjistrit të zgjedhësve, apo edhe raste ku emigrantë që kanë hyrë në Shqipëri pak ditë përpara zgjedhjeve kanë qenë pjese e trupës zgjedhore të PS në kundërshtim me vendimin antikushtetues të Komitetit Politik i cili pengoi emigrantët e tjerë të merrnin pjesë në procesin zgjedhor.

Ndërkohë që po rinumërohen disa kuti në qarkun e Beratit, dukshëm me forcë kartonash KAS po merr vendime për të quajtur të vlefshme fletë votimi për PS, kur qartazi ato janë të pavlefshme.

Ky është turpi i radhës që vazhdon e nxin zgjedhjet e 25 prillit, që deri më tani, të vetmet arritje ka deputetët e krimit dhe parave!

Beteja jonë nuk ndalet! Shqipëria ka vetëm një shans për të avancuar në rrugën e saj drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe integrimit në BE dhe ky shans është të zbardhë krimin zgjedhor të 25 prillit e të mbajë një proces zgjedhor të lirë e të rregullt”, shkruan Kejdi Mehmetaj në një postim në “Facebook”, të cili e shoqëron me fotot e mëposhtme.