KE: Trafiku i drogës, sfidë e vërtetë për Shqipërinë

477
Komisioni Evropian deklaron, se po e monitoron rreptë rastin “Tahiri” dhe do ta përfshijë atë në raportin vjetor 
Komisioni Evropian kërkon që hetimi për çështjen “Tahiri” të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, zëdhënësja e KE, Maja Koçiançiç, thotë se lufta kundër krimit dhe ecuria e reformës në drejtësi do të jenë pjesë e raportit vjetor për Shqipërinë. 

A është votimi në Parlamentin shqiptar në përputhje me standardet evropiane për t’i hapur rrugën drejtësisë të kryejë punën e saj?
“Nuk mund të komentoj punën e Kuvendit të Shqipërisë, por qëndrimi i Bashkimit Evropian është shumë i qartë. Pritshmëria jonë është që hetimi për këtë çështje dhe të gjitha hapat e nevojshme të ndërmerren në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ka edhe një bashkëpunim ndërkombëtar në këtë kuadër. Ne do ta monitorojmë këtë çështje nga shumë shumë afër. Ju e dini gjithashtu që Komisioni Evropian përgatit raportin e tij vjetor, ku kjo do të jetë në një vëzhgim të rreptë, duke qenë se lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma e drejtësisë janë prioritete”. 

A prisni ju në këtë periudhë aksione konkrete për kapjen e atyre që quhen “peshq të mëdhenj”?
“Ne sigurisht që do monitorojmë reformën në drejtësi dhe kjo do të thotë gjithashtu që sigurisht, që ne presim hapa konkrete në këtë drejtim. Lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet për Shqipërinë dhe një prioritet për të gjitha vendet e Ballkanit që aspirojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Veçanërisht, kur bëhet fjalë për Shqipërinë, ne e dimë që trafiku i drogës dhe kultivimi i bimëve narkotike si kanabis përbëjnë një sfidë të vërtetë për vendin. Ne e dimë që ka pasur një sërë operacionesh të kryera nga autoritetet shqiptare, së bashku me disa nga shtetet anëtare, sepse krimi nuk njeh kufij. Ka pasur rezultate në këtë drejtim dhe ne i bëjmë thirrje autoriteteve të vazhdojnë punën bazuar në këto rezultate dhe të bëjmë edhe më shumë përpjekje për luftën kundër trafikut të drogës dhe atë të kultivimit të bimëve narkotike. Bashkimi Evropian jep ndihmën e tij përmes misionit PAMECA për konsolidimin e strategjisë kombëtare dhe planit të aksionit, por edhe bashkë-financim me autoritetet italiane për monitorimin e zonave”.

Çfarë impakti ka situata aktuale te procesi i Vetingut?
“Zbatimi i duhur dhe i rreptë i procesit të Vetingut është themelor për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për progresin e Shqipërisë në integrimin evropian. Komisioni Evropian drejton operacionin e monitorimit ndërkombëtar dhe në këtë rol, ne jemi duke ndjekur hapat përgatitore. Ne kuptojmë që ato kanë avancuar dhe kjo pritet të bëjë të mundur që organet e Vetingut të fillojnë të funksionojnë. Vetingu është një prioritet dhe duhet të jetë një prioritet dhe puna për këtë po vazhdon”.
Sigal