KAS heq gjobën ndaj Veliajt, reagon PD: KAS cënoi standardet e barazisë në zgjedhje

174
Sigal

Partia Demokratike ka reaguar pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve hoqi gjobën ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për organizimin e disa aktiviteteve që ndalohen nga KQZ.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso shkruan se me këtë vendimmarrje KAS shkeli ligjin dhe humbi mundësinë për të qenë një strukturë që garanton barazinë në zgjedhje.

“Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) humbi sot mundësinë për të qenë një strukturë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sot me një vendimarrje të paprecedent, 3 anëtarët e KAS kanë shkelur rëndë besimin se mbi interesin e partisë në pushtet qëndron ligji dhe vetë rregullat e sanksionuara nga KQZ.

Vendimet antiligjore të 3 anëtarëve të KAS bien ndesh me standartin e OSBE për ndarjen e shtetit nga partia, duke justifikuar përdorimin e funksionit publik nga Erjon Veliaj për interesa të Partisë Socialiste.

Partia Demokratike dënon këtë akt të paligjshëm të 3 anëtarëve të KAS, që cënon rëndë standardet e barazisë së palëve në zgjedhje”, shkruan Kaso.

Më herët, Komisioni i Apelimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ-së shfuqizoi gjobën prej 75 mijë lekësh ndaj Erion Veliajt

Kryebashkiaku mori dy sanksione administrative, e para prej 40 mijë lekësh për zhvillim të aktiviteteve publike të ndaluara ndërsa 35 mijë lekë të tjera për mosraporitm pranë KQZ-së.