Kabineti me ikanakë dhe anonimë, eksperiment i rrezikshëm, i dështuar dhe shterpë

311
Sigal

Flet Prof. Dr. Lush Susaj

  • Klasa politike duhet ta kuptojë që qytetarëve shqiptarë ju ka vajtur thika në palcë, u është vrarë shpresa dhe mirëqënia. Në poste drejtuese gjithmonë janë emëruar dhe qëndrojnë të korruptuar e gojëkyçur, injorantë e servilë, shërbëtorë të verbër. Kabineti i tretë do të ishte mirë që të bëhet me njerëz të përgjegjshëm për daljen nga spiralja e gjatë e përçarjes dhe konfliktualitetit

Intervistoi: Biora Vojka

Kryeministri Edi Rama para 4 ditësh ju uroi mirëseardhjen 121 afganëve që mbërritën në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Rama publikoi videon e mbërritjes së afganëve, ndërsa theksoi se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Njëherazi në shtator pritet qeveria e re “Rama 3”. Qysh në qershor Kongresi i Partisë Socialiste ka dhënë sinjalet e para për ministrat që qëndrojnë dhe ikin në shtator nga qeveria. Gjatë punimeve të Kongresit u prezantuan disa nga pikat kryesore të mandatit të tretë qeverisës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla njoftoi ngritjen e Presidiumit. Por ajo që bie në sy, është fakti se mes 19 emrave që u zgjodhën dhe tashmë do të jenë pjesë e Presidiumit, janë 7 ministra të qeverisë aktuale “Rama 2”, ndërsa 9 prej tyre janë lënë jashtë këtij organizimi që kooperon brenda Kongresit të Partisë Socialiste. Më konkretisht, emrat që janë bërë pjesë e Presidiumit nga ministrat janë Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Ogerta Manastirliu, Belinda Balluku, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Milva Ekonomi. Besimin më të madh Rama e ka shprehur ndaj Ballës dhe Spiropalit.

 

Pra:si është situata në vend pas pritjes së afganëve? Cila do jetë risija e qeverisë “Rama 3”. Disa nga këto pyetje do  gjeni në  intervistën që Prof.Dr. Lush Susaj ka dhënë për Gazetën Telegraf.

Mikëpritja dhe siguria e afganëve është detyrë, që nuk duron demagogji. Unë kam parë dhe shof që një student dhe specialist në Shqipëri, në kushtet e një sistemi meritokratik dhe antikorrupsion, ka njohuri dhe është shumë më i zoti se një student apo specialist i sjellur nga SHBA, Gjermania, apo Suedia etj

Rama ka disa ditë që flet në çdo orë për mikpritjen që i bënë shqiptarët afganëve të ardhur nga vendi i tyre. Si do ta komentoje reklamën e kësaj pritjeje dhe si duhej të ishte realiteti?

 Së pari mikpritja dhe siguria e afganëve është detyrë, që nuk duron demagogji. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala demagogji do të thotë:“mashtrimi i të tjerëve me fjalë të bukura e me premtime të rreme për qëllime e për synime të caktuara; qëndrim me dy faqe; fjalë të bukura e të zbrazëta për të mbuluar e për të shtrembëruar të vërtetën”. Bazuar nësa më sipër, sjellja ndaj afganëve me duket që ka aq shumë demagogji, fjalë të tepërta, deformim të realitetit dhe personalizim të panevojshëm e të dëmshëm. Demagogjia dhe personalizimi i kryerjes së kësaj detyre që kemi ndaj NATOS dhe aleatëve strategjikë, sjell vetëm dëme dhe mund të nxisë indiferentizëm dhe urrejtje ndaj njerëzve të vuajtur e të dëbuar me dhunë nga vendi i tyre. Afganët në Shqipëri nuk janë dhe nuk duhen etiketuar e personalizuar si mysafirë e as si të ftuar të ndonjë lideri e as të ndonjë partie politike apo komuniteti fetar e krahinor.Afganët janë njerëz të zakonshëm, të cilët fati i solli në besën dhe në bukën e panjollosur të popullit shqiptarë. Për fatin tonë të mirë, pas viteve 1998-1999, do të jenë afganët ata që do të bëhen prova dhe shëmbulli më i mirë i fisnikërisë, sakrificës dhe korrektesës historike të popullit shqiptar ndaj njerëzve në nevojë dhe aleatëve strategjikë, sikurse janë SHBA dhe NATO. Shqiptarët i duan dhe i mirëpresin afganët më mirë se askush tjetër, sepse i kuptojnë dhe ua dinë shumë mirë hallin që ka pllakosur mbi vendin dhe familjet e tyre. Duket që po shpërdorohet kohë dhe i një momenti historik i rëndësishëm, në të cilin duhet treguar urtësi, unitet, gjithëpërfshirje, gadishmëri, besnikëri dhe gjithëmundsitë dhe kapacitetet për çfarë mund të bëjnë politika, shteti dhe shoqëria shqiptare në mbështetje të SHBA dhe NATOS, për të cilët kemi patur, kemi dhe do të vazhdojmë që të kemi nevojë jetike, ekzistenciale. Nga afganët, Shqipëria nuk ka asnjëlloj rreziku apo humbje, përkundrazi është një moment i papërsëritshëm për të bashkëpunuar në shërbim të përmirësimit të imazhit; të rritjes së punësimit dhe ekonomisë; të rritjes së besimit dhe respektit tek partnerët strategjik; të rritjes së numrit të njerëzve dhe të familjeve afgane që do ta duan, do ta promovojnë dhe do ta kujtojnë përjetë Shqipërinë dhe shqiptarët, që i ndihmuan në momentet dhe ditët më të vështira të jetës së tyre etj.

 Si duhej propaganduar kjo mikpritje?

Ky shans dhe përgjegjësi mbarë kombëtare nuk mund të personalizohet e as të ngarkohet me demagogji e as me debate të panevojshme. Nuk është koha për ta parë e as për ta zvogëluar bazën reale të detyrimit, të kontributit dhe as të mikëpritjes shqiptare. Pavarësisht nga demagogjia e panevojshme dhe e dëmshme, dihet që afganët nuk i ka sjellë dhe nuk mund ti mbajë kurrë qeveria e vetme, as pozita, as opozita e aq më pak ndonjëri nga sundimtarët apo nga liderat politik të Tiranës. Në këtë punë, përgjegjësinë, angazhimin, detyrimet, nderin dhe turpin, i kemi të përbashkëta si komb dhe si popull. Parë në këtë këndvështrim, unë mendoj se politizimi, personalizimi dhe demagogjia e mtejshme me fatkeqësinë e afganëve, vetëm sa e dëmton cilësinë dhe sigurinë e jetës së tyre në Shqipëri.

Problemet dhe dështimet nuk na kanë ardhur nga mungesa e specialistëve dhe e njerëzve të ndershëm, por nga politika mediokre. E keqja ma e madhe na ka ardhur nga klanet dhe nga politikat hajdute, konspirative, nepotike dhe përçarëse.

Në shtator pritet të formohet qeveria “Rama 3”. Si do ta cilëosh punën e qeverisë “Rama 2”. A ishte ajo qeveri e sukseshme? Kush ishin problemet e saj?

 

Unë qeverinë “Rama 2” do ta quaja kabineti me ikanakë dhe anonimë, eksperiment i rrezikshëm dhe i dështuar: Në këto 30 vite, pas çdo procesi zgjedhor kemi dëgjuar që të flitet aq shumë në lidhje me formimin e kabineteve qeveritare me fytyra të reja, apo me specialistë shqiptarë të lindur, rritur, arsimuar e të punësuar në SHBA dhe në vendet e BE etj. Gjithnjë kemi dëgjuar e po na premtohet për të disatën herë një reformë e thellë në administratën idiote e të korruptuar të politikës dhe të shtetit shqiptar. Të gjitha këto janë thjesht fragmente dhe pjesë e një demagogjie që ka funksionuar në vite e që rrezikojmë që të funksionojë përsëri. Madje këtë herë, duket që është zgjedhur një demagogji më e kamufluar, por e  provuar si e dështuar dhe e dëmshme. Po bëhen takime dhe konferenca me disa ekspertë që sot punojnë në vendet më të zhvilluara të botës, ku dhe trajtohen me paga shumë të larta (mbi 7 herë më të larta), e me kushte shumë të mira pune. Njohim shumë prej tyre dhe e dimë që ata kanë sukses në vendet ku ata punojnë, ndërsa në Shqipëri janë dhe dalin edhe më të dobët e më të korruptuar nga këta që kemi parë e provuar deri më sot. Unë kam parë dhe shoh që një student dhe specialist në Shqipëri, në kushtet e një sistemi meritokratik dhe antikorrupsion, ka njohuri dhe është shumë më i zoti se një student apo specialist i sjellur nga SHBA, Gjermania, apo Suedia etj. Kam parë e  njohur nga afër specialistë të shumtë që janë kthyer, janë provuar, janë stresuar dhe kanë dështuar që në ditët e para. Mendoj se nuk duhet harruar fakti që problemet dhe dështimet nuk na kanë ardhur nga mungesa e specialistëve dhe e njerëzve të ndershëm. Përkundrazi, Shqipëria kurrë nuk është boshatisur nga trojnikët, qëndrestarët, profesionistët dhe intelektualët e ditur e me shpirt e moral të pastër.

Dhe kush janë e keqja më e madhe?

E keqja ma e madhe na ka ardhur nga klanet dhe nga politikat hajdute, konspirative, neopotike dhe përçarëse që ka ndjekur paria politike dhe sundimtarët orientalë të Tiranës. Që nga viti 1945, në mënyrë të veçantë që nga viti 1990 e deri më sot, është ndjekur e njëjta mënyrë dhe rrugë defaktorizimi i administratës dhe institucioneve të shtetit. Në krye të tyre, gjithkund dhe gjithmonë janë emëruar dhe qëndrojnë të korruptuar e gojëkyçur, injorantë e servilë, shërbëtorë të verbër e të përdorur nga sundimtarët, që nuk lanë gjë pa vjedhur e shkatërruar. Në këto 109 vite, kurrë nuk kemi patur njerëzit e duhur në krye të administratës së shtetit shqiptar. Gjithnjë, nga njëra anë na është thënë se do të kemi një kabinet me fytyra të reja. Ndërsa nga ana tjetër janë ricikluar të njëtat fytyra të korrupsionit, janë risjellë e mbajtur nëpër poste të larta më të bindurit e klanit neopotik, më langot dhe më besnikët në vjedhje e korrupsion. Kësaj radhe mund të jetë menduare dhe një qeverisje me njerëz të panjohur e pa asnjë peshë në opinionin publik, politik, kulturor e shoqëror. Pa e ditur që një qeverisje me anonimë do të ishte edhe më e keqe dhe më katastrofë se sa qeverisja me ikanakë. Shqipëria ka njerëz dhe specialistë shumë të mirë. Mjafton që të shëmbet sistemi i korrupsionit sistematik që po i mban këta njerëz jashtë institucioneve dhe larg përgjegjësive politike e shtetërore që ata mund dhe duhet të përballojnë me moral dhe me profesionalizëm të lartë. Unë mendoj se rilindja socialiste dhe të gjitha formacionet politike, duhet të distancohen nga mendësia dhe metodat e mëparshme të njehsimit të partisë me shtetin dhe të sundimit njëpartiakë, nepotik e të korruptuar.

-Si e mendoni ju Kabinetin “Rama 3”?

Kabineti i tretë do të ishte mirë që të bëhët me njerëz të përgjegjshëm e me objektiva të qarta, atë të daljes nga kriza e përfaqësimit dhe nga spiralja e gjatë e përçarjes dhe konfliktualitetit, Klasa politike duhet ta kuptojë që qytetarëve shqiptarë ju ka vajtur thika në palcë, u është vrarë shpresa dhe mirëqënia dhe po bëhen gjithnjë e më të huaj në vendin dhe shtetin e tyre.