“Ka ardhur koha për ndryshim. Të rinjtë janë iniciatorët”

497
Sigal

VLORË/ Risia politike, takimi i udhëheqësve të PS-së me klubin e profesionistë të rinj

Një qasje e re komunikimit të drejtuesve të PS-së me të rinjtë profesionistë, e cila hapi siparin në Vlorë dhe pritet të shtrihet dhe në qytetet e tjera.  Në  këtë takim merrnin  pjesë nga kryesia e PS-së, D. Bushati, D. Gjiknuri, A. Isaraj dhe Kryetari i  Bashkisë Gjika,  si dhe E. Spiropali. Takimi kishte për qëllim trajtimin e  temave  që lidheshin me procesin integrimit evropian, sidomos me disa fusha, si drejtësia, administrata publike, pronat dhe angazhimet e politikës shqiptare në këtë drejtim dhe ku të ftuarit paraqiten opinionet e tyre dhe vizionin që ka PS-ja në lidhje me to. Në takim pati diskutime të hapura dhe pyetje të mprehta në lidhje me temat më të nxehta të politikës së ditës, si prokurori i përgjithshëm, drejtësia,  ligjet me tre të pestat, zgjedhjet dhe vizionin që ka opozita për to. Interesant është fakti që kjo iniciativë filloi në Vlorë, qarku ku ka pasur edhe tensione me drejtuesit lokal të partisë dhe PS-ja në qendër, në lidhje me organizimin dhe zgjedhjen e strukturave lokale të PS-së. Kjo iniciativë, krahas temave me interes, mund të ketë shërbyer edhe si një thyerje akujsh dhe energjizim të strukturave lokalet të PS-së dhe sidomos të rinjve profesionist në PS, duke komunikuar me tre drejtues të njohur për ekspertizën profesionale në fushat që u trajtuan aty, duke mos  mbetur vetëm në retorikën politike të zakonshme, por duke u shtrirë edhe me çështje profesionale të politikbërjes.

Ditmir Bushati:

Statusi nuk është medalje, por një rëndësi strategjike. Dhe për të pasur një ndryshim rrënjësor dhe për të ecur  me hapin e  kohës kërkohet  vizion politik, vullnet  dhe burime njerëzore pasi integrimi është një sfidë që sapo ka filluar.

Damjan Gjiknuri:

BE do të thotë vlerë dhe norma sjellje evropiane dhe jo një biletë e  thjeshtë për anëtarësimin në një klub. Shqipëria ka kontradiktë mes formës dhe përmbajtjes, e cila reflektohet në inflacionin e ligjeve dhe institucioneve  përkundër boshllëkut në zbatimit e tyre. Në Evropë politikanët përgjigjen para ligjit dhe zgjedhësit,- në Shqipëri nuk përgjigjen përpara asnjërit pushtet, as votës,  as drejtësisë, prandaj besimi te shteti dhe politika  po humbet çdo ditë. PS-ja duhet të udhëheqë me shembuj konkret, se vërtet do të qeverisë më mirë, e duke ju bërë thirrje të rinjve se në politikë mos besoni çka thuhet, por çfarë bëhet, duke udhëhequr sipas shembujve dhe modeleve konkrete të politikbërjes me impakt pozitiv për publikun.

Arben Isaraj:

Një dëshirë e madhe, qoftë dhe e Liderit apo unit, nuk krijon e  vetme mundësin e fitores, por duhet të ofrojë dhe talentet e nevojshme për tu bërë realitet. Në këtë qytet dhe në këtë vend ,nëse ju takon të takoni një njeri që pretendon që i di të gjitha, apo është në gjendje të bëjë të gjitha, vetë ky njeri është “politikisht  budalla”.Me ardhjen e PS-së në pushtet, do tu japim shqiptarëve atë që ju takon, sipas nevojave, të drejtave dhe meritave. Ne socialistët, duhet të heqim dorë nga reduktimi i luftës politike, thjesht si “teknikë e qeverisjes “, por me politikë ndryshe.. Gjithashtu, drejtuesit në takim, i bën thirrje të rinjve që në politikë  ata të udhëhiqen nga sensi i të mirës publike dhe bashkëpunimit dhe jo nga uni apo kulti i individit, siç akoma është karakteristikë e politikës bizantine të Shqipërisë. Si dhe ju bën thirrje të rinjve profesionistë, të bëhen pjesë aktive e ndryshimit, si garanci për qeverisje cilësore. Mjaft më me retorikë boshe, ka ardhur koha për punë dhe angazhime konkrete për të ndryshuar këtë vend.