Juristi Denar kundër të kapurit Denar Biba

546
Sigal

Kur Danar Biba deklaronte: Në situata krizash, Presidenti ka pushtet vendimmarrës

Anëtari i KQZ i zgjedhur nga PS, Denar Biba sot votoi në mënyrë të paprecedent një dekret të Presidentit të Republikës, duke tejkaluar funksionin si anëtar i KQZ, por edhe njohuritë e tij juridike.

Në një shkrim në gazetën Shekulli, në datën 31.06.2007, i njëjti Denar Biba deklaron se në raste krizash Presidentit ka funksion vendimmarrës duke dalë dhe mbi institucionet e tjera.

“Në situata krizash politike apo të jashtëzakonshme, pushteti i tij rritet thelbësisht, pasi Presidenti merr pushtet vendimmarrës, në zëvendësim të organeve të tjera kushtetuese, për të ruajtur “unitetin e popullit”. Pikërisht për këtë ai gjykohet se duhet të jetë “neutral” dhe i “paanshëm” ndërsa ushtron funksionin e tij kryesor të garantimit dhe kontrollit të organeve kushtetuese me synim ekuilibrimin e sistemit. Presidenti është garanti më i lartë i Kushtetutës (natyrisht jo roja e saj – ky funksion i takon Gjykatës Kushtetuese), një organ i pavarur që ndërhyn gjithmonë në interes të vendit. Ai është kryetari i res publica dhe jo një lider politik demokracie”-shkruan Biba.

Për më shumë lexoni shkrimin e tij të plotë:

Pak doktrinë mbi presidentin

Nga Denar Biba, MA[*]

 

Në të Drejtën Kushtetuese me “Kryetar të shtetit” do të kuptojmë individin apo organin, i cili ushtron funksionin e përfaqësimit të shtetit dhe të sovranitetit të tij në marrëdheniet ndërkombëtare dhe të brendshme dhe që ka edhe autorizime të tjera, sidomos në lidhje me formimin dhe punën e qeverisë.

Historia e institucionit na ka prezantuar në kohë me forma (individual/kolektiv) dhe modele të ndryshme të kryetarit të shtetit (monark absolut/kushtetues, president i shtetit/i republikës, etj.), por përtej kësaj, çka mund të thuhet me siguri është se, në varësi të karakterit dhe vëllimit të funksioneve të Kryetarit të Shtetit në një vend, mund të kuptohet edhe brendia dhe forma e qeverisjes së vendit.

Për të zbritur në realitetin shqiptar – po diskutohet për një model presidenti të ndryshëm nga aktuali. Praktika botërore njeh tre forma të zgjedhjes së presidentit: drejtpërdrejt nga trupa zgjedhore (sovrani popull); nga përfaqësuesit e tij në parlament dhe një rrugë e tretë, përmes kolegjit zgjedhor, anetarët e të cilit zgjidhen gjithashtu nga populli.

Kushtetuta jonë (1998) ka adoptuar variantin e dytë. Në vijimësi dhe konformitet, Shqipëria ka një demokraci të tipit parlamentar dhe jo presidencial, si p.sh në SHBA, ku presidenti është njëkohësisht kryetar i shtetit dhe i qeverisë dhe nuk përgjigjet përpara parlamentit. Zgjedhja e kryetarit të shtetit (presidentit) nga populli është karakteristikë tipike e republikave presidenciale dhe i korrespondon regjimeve politike që nuk i binden logjikës së parlamentarizmit si teori dhe praktikë demokracie. Mënyra reale sesi funksionon sot Republika V franceze, apo republika të shteteve të tjera (edhe fqinje), na japin një provë të qartë se presidentët e zgjedhur nga populli në mënyre të vazhdueshme disponojnë dhe akumulojnë një forcë politike të tyren, madje edhe në tejkalim të heshtur të natyrës dhe numrit të pushteteve që Kushtetutat përkatëse kanë dashur tu japin. Mos të harrojmë se ishte pikërisht mosfitimi i një prestigji të tepruar nga një njeri i vetëm motivi baze që çoi në përzgjedhjen e formës aktuale të zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga Kuvendi (botimi “Debati Kushtetues”, fq.322).

Nga ana tjetër, nëse legjislatori shqiptar e quan të arsyeshme dhe në të mire të vendit të ndryshojë mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të RSH, ai i ka të gjitha mundësitë që në respekt të numrave të kërkuar nga Kushtetuta, ta amendojë këtë të fundit. Pretendimi se ky amendim duhet të kalojë automatikisht në referendum, është në vetvete tepër i moralshëm, por formalisht jo një kusht si në quan non kushtetues. Është e vërtetë që Kushtetuta aktuale u miratua me referendum, por ky ishte një veprim i arsyeshëm i mazhorancës së kohës për të legjitimuar një produkt që sui generis duhet të mbrohej me frymën e konsensusit – të mohuar  nga opozita e kohës (për arsye që nuk janë pjesë e këtij shkrimi). Në momentin historik nëpër të cilin po kalojmë, dy procese zgjedhore njëri pas tjetrit janë në disfavor të po të njëjtëve shqiptare (ty, mua, ne), që sot e gjithë ditën iu thurën lavde si “sovrani popull”. Sovrani popull në botën e shek.XXI? A mos vallë e beson kush se populli e votoi Kushtetutën aktuale pasi e konspektoi me laps në dorë dhe analizoi në mënyrë komparative nenet përkatëse nën dritën e doktrinës më të përparuar kushtetuese botërore? Nuk është puna e te qenurit thjesht realiste/pragmatiste; duhet të jemi serioze, nëse populizmi nuk na e ka bllokuar krejt arsyen. Në 2007 nuk bëhet me fjalë për popull si të ishin në Athinën antike; përtej mistifikimeve dogmatike, sot në perendimin e qytetëruar është pranuar përfundimisht (jo vetëm në katedrat akademike) se janë posaçërisht partitë politikedhe grupet e interesit ato që formësojnë mendimet, qëndrimet dhe kërkesat politike, që politizojne shoqërinë, edukojnë masat, ofrojnë shpjegime dhe zgjidhje për probleme të ndryshme shqetësuese, identifikojnë dhe sendertojnë në mekanizma politike vullnetin e përbashkët mesatar të të gjithë asaj trupe individësh, që ndryshe quhet “popull”. E pashijshme? Padyshim që po, por kjo është demokracia, “forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha formave të tjera që janë provuar në kohëra” (Ëinston Churchill, fjalimi në parlament, 11.11.1947)!

Kushtetuta prezanton një procedurë komplekse dhe të gjatë të zgjedhjes së kryetarit të shtetit shqiptar. Ndërsa synon deri në limite (pse jo edhe përtej tyre?!) konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës (kuorumi i lartë prej 3/5 përkthehet vetëm si një kërkesë që Presidenti të mos i përkasë thjesht mazhorancës qeverisëse të momentit, por një shumicë më të gjerë se aq), dashur pa dashur, formulimi i nenit 87 mund të shndërrohet në një katalizator të krizës parlamentare, që automatikisht do të pasohet nga zgjedhje të reja, në një cikël që fare mirë mund të përsërisë vetveten deri në zgjedhje parlamentare të herës së tretë, për ta mbajtur vendin në një situatë amullie që mund të zgjasë edhe një vit të tërë (duke konsideruar kontestimet e kandidatëve për interesa të ngushta të zonave respektive).

Sikur të mos mjaftonte kjo, realitetit të ndezur i shtohet edhe problemi i zëvendësimit (ose jo) të pozicionit të Presidentit nga Kryetari i Kuvendit. Nëse Kushtetuta të ndryshme (p.sh ajo Italiane, apo Greke – ku edhe gjejmë ngjashmëri) parashikojnë zgjatjen e mandatit të Presidentit në fuqi, Kushtetuta jonë hesht. Akoma më i rëndësishëm gjykoj të jetë debati lidhur me kompetencat e zëvendësit. Doktrina kushtetuese perendimore është e ndërlikuar në lidhje me këtë; ajo shkon nga: i) “vetëm pushtete të administrimit të zakonshëm; akte të cilat është e pamundur të shtyhen” (Barile), në ii) “të gjitha funksionet që në rrethanat politike përkatëse do të rezultojnë vlefshmërisht të kryeshme nga një President i vërtetë i Republikës” pasi “kriteret në lidhje me këtë nuk janë juridikisht por vetëm politikisht të vlerësueshme” (Livio Paladin, E drejta Kushtetuese, fq.456).

Përsa i përket personalitetit të Presidentit të ardhshem, praktika perendimore pothuajse është unike në faktin që ai vjen nga politika, më saktë nga radhët e aktorëve më autoritarë të saj.

Ndërsa bën përzgjedhjen e tij, politika duhet të mbajë mirë parasysh se nevoja për një kryetar shteti vjen pasi sistemi parlamentar ka dy defekte të medha: mosqëndrueshmërië politike dhe mungesën e një organi të drejtuar nga një person i vetëm. Presidenti është një organ individual i cili mund të veprojë sipas bindjes së tij pa u varur nga politika. Duke qenë se zgjidhet nga një shumicë shumë e madhe parlamentare, presidenti vendoset mbi të gjitha palët. Megjithëse nuk ka asnjë funksion themelor shtetëror (p.sh të drejtimit politik, administrativ apo ligjor), Kushtetuta i mundëson atij të ndërhyje në të tre këto funksione përmes atributesh që i mundësojnë të mos jetë thjesht një “noter” apo “drejtues ceremonish”. Akoma më tej, në situata krizash politike apo të jashtëzakonshme, pushteti i tij rritet thelbësisht, pasi Presidenti merr pushtet vendimmarrës, në zëvendësim të organeve të tjera kushtetuese, për të ruajtur “unitetin e popullit”. Pikërisht për këtë ai gjykohet se duhet të jetë “neutral” dhe i “paanshëm” ndërsa ushtron funksionin e tij kryesor të garantimit dhe kontrollit të organeve kushtetuese me synim ekuilibrimin e sistemit. Presidenti është garanti më i lartë i Kushtetutës (natyrisht jo roja e saj – ky funksion i takon Gjykatës Kushtetuese), një organ i pavarur që ndërhyn gjithmonë në interes të vendit. Ai është kryetari i res publica dhe jo një lider politik demokracie.