Jemi mjaft të fyer, që DASH shpërblen prokurorët e komunizmit

324
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Forumi në gazetën “Telegraf”, flasin: Simon Miraka, Bedri Çoku,  av. Zaçe Islami

DASH vlerëson Dvoranin si nismëtar kryesor të reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë. Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjyqtari Dvorani u rendit nga DASH si një prej 12 Kampionëve që morën çmimin Ndërkombëtar të Departamentit të Shtetit për Kampionët Kundër Korrupsionit.

Mirëpo, në Shqipëri përfaqësuesit e të përndjekurve politikë, të të burgosurve politikë, juristë, në forumin për gazetën “Telegraf” shprehin indinjatën e tyre dhe pohojnë se ndihen të fyer që DASH, shpërblen me fletë lavdërimi pikërisht ata prokurorë, gjyqtarë dhe hetuesë që  i kanë dënuar, i kanë burgosur dhe i kanë pushkatuar dje, në regjimin komunist, me ligjin e Agjitacionit dhe të Propagandës. Ish të persekutuarit, ish të burgosurit politikë në forumin e gazetës “Telegraf” shprehen se në Shqipëri vazhdon edhe pas 30 viteve, drejtësia e diktatutës së proletariatit dhe dekorimi i Dvoranit nga DASH është një lajm  i korbshëm që vejn nga Amerika.

Pyetja e forumit të gazetës “Telegraf”: 

-A mundet që pas 30 viteve të rrëzimit të Diktaturës, përfaqësues të politikës dhe prokurorë, hetues, gjyqtarë të atij regjimi të jenë sot në Shqipëri kampionë të luftës anti-korrupsion dhe të jenë në postet më të larta të institucioneve të reja të Drejtësisë së reformuar shqiptare?

Vlerësimi i DASH për Ardian Dvoranit, ish prokurori që dënoi shkodranët pse rrëzuan në 1990 bustin e Stalinit, kujt i adresohet në Shqipëri?

Flasin për gazetën “Telegraf”: 

Simon Miraka, anëtari i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit

Ata që na burgosën, na pushkatuan, sot shpallen kampionë të antikorrupsionit

Unë po jap mendimin tim që përputhet besoj me mendimin e shtresës ku unë jam pjesë e saj të ish të përndjekurve politikë. Ne kemi dhënë jetën për demokracinë, na është marrë jeta, sepse ishim kundërshtar të diktaturës, që ishte kundra Europës së Lirë e moderne ishte, kundër USA simbol i demokracisë. Ne ishim që Shqipëria të ishte pjesë e Europës së Lirë, ne ishim pro Amerikan, për këto arsye ne u burgosëm, u internuam dhe një pjesë e mirë u ekzekutua. Megjithatë, nuk u dorzuam duke marrë forcë se një ditë e mira, pra demokracia, do fitojë. Kemi shpresuar se drejtësia do ta thotë fjalën e saj, kemi pritë drejtësi për ata që ushtruan dhunë si gjyqtarët, prokurorët, hetuesit. Kurrë nuk kemi menduar se ata do shpërblehen me poste të larta në drejtësi apo me çmime si rasti i fundit. Lufta kundër korrupsionit vlerësohet më shumë se sa dhënia e drejtësisë për ata, që dhanë dënime politike, sepse e deshën Shqipërinë e Lirë e Demokratike. Ne sigurisht nuk mund të hyjmë në shijet e preferencat e DASH, por jemi mjaft të fyer. Duam që drejtësia të thotë fjalën e saj për levat e diktaturës, për ata që ushtruan dhunë, që dhanë dënime politike si gjyqtarë, hetuesë, prokurorë. Ne nuk e bëmë dot dekomunistizimin e vendit, nuk bëmë një ligj për ndalimin e simboleve të komunizimit, nuk u kuptua komunizmi si një e keqe e përbashkët. Prandaj jemi dhe gjindemi para këtyre përfundimeve. Ku monopolin e dhënies së drejtësisë e luftës kundër korupsionit e kanë ish gjyqtarët, prokuroret, hetuesit, që u bënë gjyqtarë të kësaj drejtësie të reformuar dhe jo ata që s’kanë lidhje me të kaluarën e i plotësojnë të gjitha kriteret e sotme. Ne, pavarësisht Dovranit,  jemi e do të mbetemi pro USA.

“Ne, që me Dvoranët…  ju  kemi vrarë  e varur, që ju morrëm pasuritë dhe ju mbyllëm burgjeve dhe internimeve, ju lamë pa familje,  pa fëmijë, pa dritë e dituri,  që u shkelëm dhe ju përgjakëm  ato mbi telat e kufirit e të burgjeve”

Zaçe Islami, avokat

Në Shqipëri vazhdon drejtësia e diktaturës së proletariatit

Që në fillim po korrektoj fjalët ” pas rrëzimit të diktaturës”, pasi në të vërtetë diktatura në Shqipëri nuk është rrëzuar, ajo vetëm po toleron disa liri të vogla, që nuk i kërcënojnë pushtetin e saj. Kjo situatë është pasi komunistët shqiptarë me kujdes të veçantë ruajtën të pa prekura dhe nuk i lëshojnë nga duart strukturat  e krijuara gjatë 45 vjetëve në prokurori dhe gjykatë në Shqipëri ku edhe sot në krye të këtyre institucioneve të drejtësisë.  Kemi juristë pasardhës të sekretarëve të parë të rretheve,  si bie fjala djali i Manxhar Binos apo nipi i Shefqet Peçit pushtetarëve të tjerë komunistë. Pra, thënë ndryshe, drejtësia nuk është reformuar, por janë seleksionuar gjyqtarë e prokurorë ” me biografi të keqe”.  Komunistët shqiptarë në pushtet sot e 75 vjet nuk kanë bërë asgjë tjetër, veç asaj që bëjnë të tëra pushtetet ekzekutive në botë: Mbajtën dhe mbajnë nën kontroll drejtësinë, nëpërmjet së cilës mbulojnë të gjitha krimet e tyre. Nëse në organet e drejtësisë do kishim reformim të mirëfilltë askush nga pushtetarët nuk do ishte sot miloner, sikurse janë pa përjashtim të gjithë politikanët. Asnjë rast nuk kemi që prokurori shqiptar të guxojë të hetojë burimin e pasurisë së politikanëve shqiptarë. Janë mbyllur me dhjetra dosje korrupsioni dhe grabitjeje të pasurisë kombëtare, duke filluar me shkatërrimin e dhjetra fabrikave dhe uzinave moderrne, shitjen e makinerive për skrap  dhe askush nuk di ku vajtën. Miliarda dollarë armatim dhe municion të shitura, askush nuk përgjigjet a thua se ishin mall pa inventar. Mbi 800 tanke, dhjetra transportues të blinduar shkuan me “këmbët” e tyre në Kakavijë të cilët i kam parë vetë. Dhjetra makina amfibe, sikundër i kemi parë në paradat ushtarake, janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe sot në përmbytjet e përvitshme nuk ka mjete tranporti për njerëzit e  zonave të përmbytura. Të gjthë këto krime janë bërë nga qeveritë komuniste ndaj dhe askush nuk guxon t’u kërkojë llogari. Mendoj se sa thamë më lart vërtetojnë katërcipërisht se në Shqipëri vazhdon drejtësia komuniste e diktaturës së proletariatit.

-Lidhur me vlerësimin që ka bërë DASH për Ardian Dvoranin , nuk jam habitur aspak. Kalluan 30 vjet, që kur mijra djem burra gra e vajza, në mes tyre dhe vetë personalisht, në Korrik 1990 i dhamë goditjen më të madhe diktaturës . Por me ndihmën e DASH dhe të perëndimorëve në Dhjetor 1990 nuk e rrëzuam diktaturën, thjesht nëpërmjet makinacioneve të DASH në marrëveshje të fshehta u ruajtën të gjitha strukturat komuniste në vënd. Gjithshka do ta mendoja qoftë edhe në delir, por që në Ambasadën Amerikane në Tiranë të punojnë mbi 25 vetë që nga ish shoferi i Diktatorit e Kadri Hazbiut, etj të gjithë të lidhur me ish Sigurimin famëkeq, nuk do ta besoja kurrë, fatkeqësisht ose jo, por ky është realitet. Kështu që nuk më bëri fare përshtypje mbështetja e DASH për Ardian Dovranin . Është një mbështetje normale e DASH për komunistët shqiptarë e venfosur qysh në Jaltë nga Ruzvelti dhe që vazhdon me strehimin e qindra sigurimsave dhe komunistëve shqiptarë në SHBA. Ky vlerësim nuk është as më shumë e as më pak dënim amerikan i të Djathtës shqiptare. Dashtё  Zoti jam nё ёndёrr!..

“Kemi pritë drejtësi për ata që ushtruan dhunë si gjyqtarët, prokurorët, hetuesit. Kurrë nuk kemi menduar se ata do shpërblehen me poste të larta në drejtësi apo me çmime si rasti i fundit”

Bedri Çoku, ish i dënuar politik me 23 vite burg: Dashtë Zoti jam në ëndërr !

Lajmi i zi dekorimi i Dvoranit stalinist nga Departamenti Amerikan i Shtetit!

Dekorimi i Dvoranit, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, këtij   hetuesi  të famshëm të diktaturës komuniste, për mua dhe, besoj, edhe   shumë  shqiptarëve të ndershëm që e adhurojnë Shtetin Amerikan, për demokracinë e pastër dhe ndihmën e madhe dhënë në  çaste të vështira  e të paharruara këtij vendi të banuar prej autoktonëve,  më të vjetrit në Europë, krijoi një habi të madhe, siç mund të ndodhte  shpërthimi i një bubullime në qiellin pa re…Të them të drejtën  m’u lidh një nyje në fyt. Mezi përcolla pështymën… Ngaqë m’u kjtuan  vitet e shkuara, kur Gjykata Kushtetuese, në të cilën militonin njerëzit e gardës së vjetër,  të Ligjeve të diktaturës komuniste, pezullonin vazhdimisht Ligjin e Lustracionit,  këtë dëshirë të madhe të  popullit shqiptar, për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara e trishtë,  sidomos për  të dënuarit, të internuarit, për familjet e të pushkatuarve,  të varururve  në litar, shqiptarëve që donin lirinë dhe demokracinë e popullit të vet, si gjithë europa dhe Amerika. Por, fatkeqësisht, një zë përtej asaj që njerëzit, nganjëherë, e kanë të vështirë ta kuptojnë se nga iu vjen, thotë. “Hesht, popull shqiptar!…Ne demokratët e  majtë, me parime komuniste, po nuk na eci politika e bindjes, përdorim edhe forcën, edhe paratë”…Edhe ti, popull, që të nënshtruam dyzetepesë vjet, me dhunën tonë komuniste, hesht!..Ndërsa ju, o të munduar, të djegur e përvëluar nga diktatura e jonë e proletariatit, kot e keni! Kurrë dhe asnjëherë nuk do të bëhet për ju deti kos, sa kohë do të jemi ne, komunistët  e perandorise së Djallit të Lindjes, në pushtet! Ne, që ju  kemi vrarë  e varur  me litarët e proletariatit, që ju morrëm pasuritë dhe ju mbyllëm burgjeve dhe internimeve, ju lamë pa familje,  pa fëmijë, pa dritë e dituri…Sepse, të drejtat e Njeriut që i trumpetojmë  me të madhe, i trumpetojmë per veten tonë, jo për ju, që ua shkelëm dhe ua përgjakëm  ato mbi telat e kufirit e të burgjeve me dvoranët dhe  kalashnikovët sovjetiiiik…!”
Ja, këto  m’u ringjallën, sapo mora lajmin e  zi të dekorimit të Dvoranit stalinist nga Departamenti i Shtetit Amerikan!…Dashtë Zoti jam në ëndërr!