Sigal

Shqipëria ka mbi një vit që nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Pa Gjykatë Kushtetuese, nuk mund të ketë as rend kushtetues. Pa rend kushtetues, pushteti ekzekutiv mund të nxjerrë VKM dhe projektligje (të cilat ato, për inerci politike mazhoranca parlamentare e qeverisë i voton symbyllur) dhe mund të qeverisë si të dojë. Qeveria miratoi ligjin “Për prishjen e Teatrit Kombëtar”, ligj të cilin Presidenti i Shqipërisë e rrëzoi 2 herë, komuniteti artistik dhe qytetarët e kanë kundërshtuar forcërisht muaj të tërë, por nuk ka Gjykatë Kushtetuese që ta kundërshtojë. Kryeministri Rama asnjëherë nuk u shqetësua për shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse politikisht, kishte fushëveprim të lirë. Ndërsa pardje, kryeministri Rama deklaroi publikisht, se presidenti i Shqipërisë ka marrë peng vendimmarrjen e qeverisë për emërimin kandidatit të tij të propozuar për ministër të Jashtëm dhe qeveria do ta ankimojë në Gjykatë Kushtetuese, këtë pengmarrje të Presidentit, kur ajo të funksionojë, dhe se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të gjykojë se Presidenti i Shqipërisë nuk ka kompetenca të rrëzojë emërimet e ministrave nga Kryeministri. Kryeministri Rama, haptas, deklaroi, që tani, publikisht se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese, duke dëshmuar se ai dikton drejtpërdrejt edhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 1 anëtar, ndërkohë, që duhet të ketë 9. Shumica e anëtarëve të deritanishëm të Gjykatës Kushtetuese u përjashtuan nga Gjyqësori nga Vettingu, proces i atakuar fort për gjykime me 2 standarde, nga të gjitha palët, qoftë nga juristë, gjyqtarë, avokatë, por edhe nga opozita. Kësisoj, kryeministri Rama e dikton që tani vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, vetëm duke kontrolluar procesin e përzgjedhjes qo do bëhet për zgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë ndryshe dhe thjesht, që kryeministri me deklaratat e vet vetëpohon se në sajë të reformës në Drejtësi, ka marrë në dorë kontrollin dhe vendimmarrjen e drejtësisë dhe të Gjyqësorit.