Ja si i pastron Ndragheta paratë e drogës në Tiranë

229
Sigal

Gazetari italian Michele Albanese: Sipas hetimeve,  Ndrogheta ka njerëzit e vet në polici,  në pushtetin vendor dhe qendror në  Shqipëri, ashtu si dhe mafia shqiptare në Itali.  Është provuar që paratë e pista që sjell Ndragheta në Shqipëri, u janë dhënë shqiptarëve për të investuar në sektorë të ndryshëm të ndërtimit, hotelerisë , qendrave tregtare, karburanteve, etj. Kultivuesit e marihuanës në vendin tuaj sjellin sasitë më të mëdha në Kalabri

 

Dosja e Ndranghetas prej disa ditësh është kryefjalë në Shqipëri, pasi nga përgjimet e anti-mafies italiane dolën emra të lartë zyrtarësh në vendin tonë. Por si po vazhdojnë hetimet në Itali, dhe cilat janë zhvillimet e fundit?  Michele Albanese tha se Ndrangheta po pastron para në vendin tonë përmes mafies shqiptare. Gazetari arbëresh përmendi edhe një emër konkret, Ardian Çekini i cili u ekstradua pak ditë më parë në Itali nga Tirana, i akuzuar si pjesë e Ndranghetas. Michele Albanese u shpreh gjithashtu se kohët e fundit anëtarët e mafies shqiptare kanë filluar të kenë kontakte të drejtpërdrejta në Amerikën e Jugut për të siguruar, trafikuar dhe më pas shitur vetë kokainën në Europë duke shmangur Italinë dhe kontrolluar të gjithë zinxhirin vetë.

-Në çfarë pike janë hetimet për Ndranghetan dhe a ka emra të tjerë shqiptarë të përfshirë, që nuk janë zbuluar deri tani?

Nuk e dimë nëse ka persona të tjerë të përfshirë në hetime, hetimet po vazhdojnë.

– Deri në çfarë niveli mendohet të jenë përfshirë shqiptarët në raport me Ndranghetan italiane?

– Sipas hetimeve, konfirmohet që ka pasur kontakte por nuk ka emra të caktuar, se cilët persona kanë folur me kë, është diçka që po vijon të hetohet.

-Keni informacion për deklaratat e ambasadorit italian në Shqipëri se hetimet do të zgjerohen?

– Gjatë ditës së djeshme kam dëgjuar që mund të ketë pasur takim mes hetuesve shqiptarë dhe italianë, por nuk kemi prova. Ne të ardhmen patjetër që duhet të ketë një takim dypalëshe mes prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se Ndranghetan nuk ka mundur të penetrojë në Shqipëri, a të rezulton kështu?

– Diçka është e qartë, që Ndranghetan ka njerëzit e vet në Shqipëri, ashtu si mafia shqiptare në Itali, kemi një bashkëpunim të të dyve. Një shqiptar është ekstraduar nga Spanja në Itali për lidhjet me Ndranghetan për trafik kokaine nga Amerika Latine. Shqipëria është një tokë ku anëtarët e Ndranghetas veprojnë rregullisht, kanë lidhjet e tyre.

– Në cilët sektorë janë përfshirë në Shqipëri dhe deri në cilin nivel?

Në Shqipëri ka një kultivim marijuane dhe sasitë e sekuestruara në Kalabri, ku anëtarët e mafies shqiptare bëjnë këtë lidhje. Por kohët e fundit anëtarët e mafies shqiptare kanë filluar të kenë kontakte të drejtpërdrejta në Amerikën e Jugut që ta trafikojnë drejtpërdrejt, se deri tani shqiptarët ishin ata që e sillnin dhe e shisnin, por tani duan të kontaktojnë direkt me prodhuesit e drogës në Amerikën e Jugut për ta anashkaluar Italinë për ta çuar në vendet e tjera të Europës.

– Por a kemi informacion, fakte dhe prova që paratë e pista të këtij trafiku të Ndranghetas kanë tentuar të pastrohen në Shqipëri dhe në cfarë do lloj forme?

Është provuar që paratë e pista që sjell Ndranghetas në Shqipëri u janë dhënë shqiptarëve bashkëpunëtorëve për të investuar në sektorë të ndryshëm që të pastrohen. Ardian Çekini që është ekstraduar nga Shqipëria në Itali akuzohet jo vetëm për trafik ndërkombëtar droge por edhe si anëtar i një grupi mafioz.