Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati: Nevojitet vizion largpamës për të çliruar të gjithë potencialin e energjive mes Shqipërisë dhe Greqisë

286
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

– Zoti Bushati, çfarë faktorësh ndikuan për shtyrjen e fillimit të negociatave të anëtarësimit?

– Në ditët e sotme në vend që të flasim për “perspektivë evropiane”, ka ardhur koha të shmangim gjuhën e drunjtë për qytetarët e zakonshëm dhe të punojmë për “anëtarësimin në BE”.

– A është normale që në shekullin 21, historia të përcaktojë politikën? Si mendoni ju se mund të shmangim tensionet dhe të formësojmë një të ardhme të përbashkët në paqe, në Ballkan?

Për ushtruesit e politikës së jashtme, nuk mjafton vetëm parashtrimi i qëndrimeve kombëtare bazuar në ekzigjencat e historisë. Ne nuk mund ta rishkruajmë historinë, por ne mund të punojmë për krijimin e kushteve të duhura, në mënyrë që të tejkalojmë mosmarrëveshjet mes nesh.

– A ju frikëson ndryshimi i kufijve, një debat që u bë prezent së fundmi përmes një “non-paper”, apo mund të konsiderohet si një zhvillim që në rrethana të caktuara mund të çlirojë një tension të fshehur?

– Në Samitin e vitit 2003 në Selanik, liderët e BE-së morën një vendim strategjikisht largpamës, duke i ofruar vendeve të rajonit anëtarësimin në Union. Për fat të keq, liderët e BE-së duket se e kanë harruar këtë vendim. Rrjedhja në publik e ‘non-papers’, pa autor për ndryshimin e kufijve ekzistues, është pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se procesi i zgjerimit ka ngecur, korniza e integrimit është dobësuar. Entropia socio-ekonomike, kërcënimi demografik dhe rrëshqitja demokratike në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të trajtohen duke përqafuar idetë e shekullit të 19-të, në kontekstin e shekullit të 21-të.

– Le të ndalemi pak te ideja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Pse duhet të implementohet një ide e tillë?

Unë sinqerisht nuk e di pse ngrihet kjo pyetje sërish. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe duhet të vijojë me konsolidimin e sistemit demokratik dhe ekonomik në mënyrë që të bëhet pjesë e BE-së. Sikurse e ka thënë shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, “për Shqipërinë, Evropa është gjendja e saj e natyrshme. E vetmja”. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të përfundojë dhe konsolidojë projektin e shtetësisë.

– Një nga çështjet më të mprehta të politikës së jashtme të Shqipërisë janë marrëdhëniet me Greqinë. Ju keni punuar fort me ish-ministrin e jashtëm Grek, Nikos Kotzias në arritjen e një marrëveshje për shumë çështje mes vendeve. Pse nuk ia dolët dot?

– Nuk do të ishte e drejtë që të përkufizonim të gjithë procesin që kemi kryer së bashku me Nikos Kotzias, nën lidershipin e kryeministrave të Shqipërisë dhe të Greqisë, si një proces që nuk prodhoi rezultate. Ne punuam shumë për rivendosjen e besimit mes ekipeve, por mbi të gjitha mes dy vendeve. Duhet ta dini se besimi është një element i qenësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu si në jetën e përditshme, kur je duke u angazhuar me dikë në një projekt. Në këtë drejtim, ne ia dolëm me sukses të adresonim disa çështje, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve. Sigurisht, ka ende çështje të pazgjidhura. Janë pjekur kushtet për të ecur përpara me kurajo dhe vendosmëri për adresimin e çështjeve të pazgjidhura. Nevojitet vizion largpamës për të çliruar të gjithë potencialin e energjive në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.