Intervista/ Dr. Enriko Ceko: Databaza me 300 individët më të pasur, piketim për presione dhe konsum propagandistik afër zgjedhjeve për pushtetin vendor

217
Sigal

Ministria e Financave siç flitet ka vendosur për të aplikuar një skemë, që ka të bëjë me krijimin e databazës me 300 individët më të pasur në Shqipëri, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal. Një një intervistë për Telegraf, eksperti i ekonomisë Enriko Ceko analizon efikasitetin e kësaj skeme dhe disa nga motivet përpos atyre që deklarohen. Ceko shpejgon se është në kundërshtim me të tëra ligjet e biznesit dhe sistemit fiskal në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që përmend faktin se ka institucione që e kanë pjesë të punës së tyre kontrollimin e pagaesave të detyrimeve fiskale. Duket se janë bërë disa ndryshime pa asnjë parainformim të publikut dhe pa asnjë mirëkuptim apo marrje mendimi nga ana e publikut, ku Ministria e Financave ka aplikuar ndryshime ligjore në ligjin e Procedurave Tatimore, nëpërmjet të cilave Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve merr kompetenca më të forta për të kontrolluar individët e pasur në vend, që mund edhe të përdoret për forma presioni teksa zgjedhjet vendore janë pranë.

Intervistoi Biora Vojka

Si e gjykoni krijimin e databazës me 300 individët më të pasur në Shqipëri, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal?

Thuhet se ka një ide për të krijuar një databazë me 300 individët më të pasur në Shqipëri, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal. Ajo që mendoj unë është se tashmë ka një databazë për të tërë personat që janë gjallë në Shqipëri dhe kjo databazë mjafton që të konfigurohet në formën e blockchain. Bërja publike e pagave të qindra mijëra personave një vit më parë, tregoi se tabela e atyre pagave nuk ishte asgjë më shumë e asgjë më pak; veçse një databazë. Asgjë tjetër. Megjithatë, një databazë për 300 personat më të pasur, në fakt është një ide tepër idiote, në kundërshtim me të tëra ligjet e biznesit dhe sistemit fiskal në territorin e Republikës së Shqipërisë, që në fund të fundit mund të trajtohet edhe si diskriminim.

Në fakt, në Shqipëri ka me dhjetëra institucione që janë krijuar në këto 30 vitet e fundit për të luftuar korrupsionin dhe për të garantuar ligjshmërinë e proceseve, në këtë kuadër edhe proceset e pasurimit dhe kryerjes së pagesës së detyrimeve fiskale, janë pjesë e punës së këtyre institucioneve.

Thënë këtë, pyetja e rëndësishme është se cilët janë njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe cila është lidhja e tyre me regjimin e kaluar.

Nëse i përgjigjemi korrekt kësaj pyetje atëhere mund të arrijmë edhe në përgjigjen se përse krijohet kjo databazë dhe përse do përdoret ajo!

Një pjesë e mirë e atyre që tashmë janë ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri, janë individë që kanë patur lidhje nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet me regjimin e kaluar. Një pjesë e atyre janë fëmijët, nipat dhe mbesat e drejtuesve të nomenklaturës së lartë të regjimit komunist. Një pjesë tjetër kanë qenë shërbëtorët e atyre që ishin në krye të nomenklaturës së regjimit komunist si shoferët, rojet, e tipa të kësaj natyre.

Ajo që më vjen ndërmend është një intervistë e hershme e bashkëshortes së Enver Hoxhës, njeriut që ishte kreu i vendit për rreth 45 vite, dhënë një televizioni të huaj, në të cilën ajo tha: “Gabimi më i madh që kanë bërë forcat, që erdhën në pushtet pas vitit 1990, ishte se duke u dhënë pas karriges, lanë pas dore pushtetin ekonomik”. E thënë kaq thjesht dhe kaq kuptimplotë.

“Ministria e Financave  rrit pushtetin e Tatimeve për të vënë nën presion bizneset,  që qeveria të marrë  përsëri frenat në dorë të personave, të cilët po i përgjigjen si duhet atyre që u dhanë mundësinë të pasurohen, pa konsultuar nismën me publikun, ndërkohë për legalizimin bën sikur merr mendime”

Sipas disa thënieve në publik, që duket se kanë qëllim dizinformimin, panikut dhe të krijimit të idesë në masat injorante se shteti po punon dhe se do nxjerrë ujë të zi nga bataku i pasunikëve, që paskërkan vënë para në kurriz të fukarasë. Deklarohet se institucionet shtetërore paskan firmosur marrëveshje me bankat e nivelit të dytë dhe Bankën e Shqipërisë për të shkëmbyer informacione. Kjo bëhet vetëm për konsum propagandistik, meqë jemi edhe në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor. Dihet tashmë fare mirë se në Shqipëri ka një institucion që njihet si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, që është Njësia e Inteligjencës Financiare Shqiptare (Albanian financial intelligence unit), e fuqizuar nga legjislacioni mbi AML / CFT (kundër pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit), për të mbledhur, menaxhuar dhe analizuar raportet e dorëzuara nga detyruesit për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

DPPPP shpërndan informacionin drejt autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit nëse ka bazë për të dyshuar se veprat e pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit kanë qenë ose janë duke u kryer. Ajo gjithashtu bashkëpunon ngushtë me njësitë e tjera të Inteligjencës Financiare nëpër botë.

Për më tepër, DPPPP ka edhe rol mbikqyrës ku ajo kontrollon përputhshmërinë e detyruesit me kërkesat e Ligjit për PP/FT dhe në këtë drejtim ajo bashkëpunon me të gjitha autoritetet mbikqyrëse, veçanërisht me Bankën e Shqipërisë, Bankat e Nivelit të Dytë dhe Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare. Kjo drejtori ka si mision të lidhet në mënyrë aktive me zbatuesit e ligjit vendor, rregullatorët dhe homologët ndërkombëtarë, që në mënyrë efektive të ndihmojë në zbulimin, vlerësimin dhe zhdukjen e të gjitha kërcënimeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në ekonominë kombëtare.

Kështu që deklaratat se “Përsa i takon listës së personave të pasur, do të identifikohen në një databazë, e cila është ende duke u përditësuar dhe përpunuar” dhe nëse ‘nuk ekziston vetëm mënyra e deklarimit të pagave, ne tashmë kemi firmosur marrëveshjen dhe është në fuqi shkëmbimi i informacioneve ndërmjet institucioneve shtetërore dhe të gjitha bankave të nivelit të dytë, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, për të gjitha pagesat në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe jo vetëm të individëve, të cilët do të identifikohen dhe se “ky proces do të vijohet me biznese të të gjitha kategorive”, është një deklaratë, e cila është dhënë në një situatë të caktuar euforike, keqpërdorur në mënyrën më profesionale, për të krijuar pështjellim pa asnjë arsye në publik.

Duket se Ministria e Financave ka aplikuar ndryshime ligjore në ligjin e Procedurave Tatimore, nëpërmjet të cilave Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve merr kompetenca më të forta për të kontrolluar individët e pasur në vend dhe këto ndryshimet e reja ligjore referojnë se Administrata Tatimore mban regjistër të veçantë të individëve sipas të dhënave të gjendjes civile, për efekt të deklarimit nga ana e tyre të të ardhurave individuale të realizuara. Pra, duket se janë bërë disa ndryshime pa asnjë parainformim të publikut dhe pa asnjë mirëkuptim apo marrje mendimi nga ana e publikut, kur kjo qeveri merr mendime nga publiku edhe për lejimin e kanabisit, apo edhe për çështje të tjera. Duket se në Shqipëri transparenca për çështje të tilla mungon tërësisht.

Nga një këndvështrim tjetër, duket se nomenklaturës së vjetër që krijoi shtresën e këtyre personave që identifikohen si njerëzit më të pasur në Shqipëri i ka dalë gjendja nga kontrolli, dhe duan që të marrin përsëri frenat në dorë, pasi këta persona apo edhe trashëgimtarët e tyre nuk po i përgjigjen si duhet atyre që u dhanë mundësinë të pasurohen. Për këtë çështje ju takon gazetarëve të investigojnë.

“Deklarohet se institucionet shtetërore paskan firmosur marrëveshje me bankat e nivelit të dytë dhe Bankën e Shqipërisë për të shkëmbyer informacione. Kjo bëhet vetëm për konsum propagandistik, meqë jemi edhe në prag të zgjedhjeve. Dihet që ka një institucion për të analizuar raportet e dorëzuara nga detyruesit për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.”

Sa efikase do jetë kjo skemë? 

Të tëra skemat janë efikase nëse ka vullnet, përkushtim dhe kontroll të procesit. Këto janë elementet kryesore që kërkohen që një skemë të funksionojë, dhe duke thënë këtë merr vlerë edhe thënia se “qeveria, po të dojë e kap lepurin me qerre”. Piketimi i bizneseve për presione dhe mitmarrje ka qenë dhe mbetet mënyrë pune e disa prej drejtuesve dhe punonjësve të niveleve të larta dhe të mesme të administratës publike në Shqipëri, dhe këtu nuk bëhet fjalë për pirje kafesh dhe kanoçe me lëngje frutash e pije energjetike dhe shtrim dreka e darka me gërnetë e saze sa herë që shkohet për inspektim në dyqanka fshati dhe kafene pranë autostradave, apo kur inaugurohet ndonjë kanal ujitës në ndonjë fshat të humbur të vendit ku nuk ka mbetur asnjë banor të punojë tokën. Imagjinoni që në disa raste punonjësit e policisë së shtetit kanë kapur në flagrancë për shembull mish importi jashtë standardit në doganë, ndërsa AKU asnjëherë nuk është dëgjuar të ketë bërë një gjë të tillë. Pyetja është se përse në më të shumtën e rasteve krimi agroushqimor arrihet të zbulohet nga ana e punonjësve të policisë së shtetit (që duhet të përgëzohen për këtë) dhe në pothuajse asnjë rast këto krime nuk arrihet të zbulohen nga punonjësit e AKU-së?

Pyetje të tilla mund të bëhen për çdo sektor, produkt apo shërbim.

A mund të jetë kjo një përpjekje e qeverisë për t’a përdorur këtë projekt si formë presioni, që të financojnë në zgjedhjet e ardhshme, që janë vetëm disa muaj larg?

Pyetja juaj është shumë e drejtë dhe unë përsëri shtoj se kjo deklaratë është e shumëanshme dhe mënyra se si po trumbetohet është jo e zakonshme. Padyshim që dëshira e pakufishme për fitoren e zgjedhjeve të ardhëshme që janë fare pranë kërkon financim dhe presioni për financimin e tyre është një nga mjetet që përdoret në të tilla situata. Çështja është nëse qytetaria do e hajë edhe këtë kokër ulliri, siç ka ngrënë shumë të tjera, apo jo.

Mbushja e arkës, a është një nga faktorët që detyron financat të gjejnë burime të reja për rritur të ardhurat në buxhet nga dëmi që i kanë shkaktuar arbitrazhet, koncesionet, tenderat etj?

Padyshim që një dëm shumë të madh në arkën e buxhetit të shtetit kanë krijuar çështjet e humbura nëpër arbitrazhe, koncesionet e pakërkuara të dështuara, prokurimet publike të kryera pa cilësi dhe jo në kohën e duhur, duke thyer edhe afatet e përcaktuara në kontratë, etj.

Por kjo është vetëm maja e ajzbergut. Përveç kësaj, ka me dhjetra e qindra gjyqe që vazhdojnë me vite e vite për dëmet që i kanë shkaktuar punonjësit e administratës publike, sektorit privat dhe individëve në vend.

Gjithashtu, ka disa qindra miliona euro që Buxheti i shtetit u ka borxh subjekteve private dhe qytetarëve për punë të kryera, por që nuk janë paguar ende. Kjo qeveri erdhi në pushtet përpara nëntë vitesh duke deklaruar se do eliminonte pagesat e pakryera ndaj sektorit privat për shkak të prokurimeve publike që ishin kryer si punë, por që nuk ishin paguar nga qeveria e mëparshme. Duket se diçka funksionoi në periudhën 2015 – 2016, dhe disa detyrime u paguan, por tashmë po kthehemi në të njëjtën pikë. Gjendja është si nëntë vite më parë dhe ndoshta edhe më keq. Arka e shtetit bosh dhe ndërkohë Buxheti i shtetit i detyrohet dhjetra subjekteve qindra miliona euro për punë të kryera, të marra në dorëzim nga ana e punonjësve të administratës publike në pushtetin qendror dhe atë vendor, por që janë ende të papaguara

“Arka e shtetit bosh dhe ndërkohë Buxheti i shtetit i detyrohet dhjetra subjekteve qindra miliona euro për punë të kryera, të marra në dorëzim nga ana e punonjësve të administratës publike në pushtetin qendror dhe atë vendor”

A mund të ketë luftë kundër korrupsionit, nëse nuk hetohen tenderat dhe koncesionet, që kanë monopolizuar tregun e punës, kanë shtuar borxhin publik, kanë shkaktuar humbjen e vendeve të punës, kanë krijuar klimë jo të përshtashme për investimet e huaja, etj?

Padyshim që lufta kundër korrupsionit në Shqipëri merr një rëndësi të veçantë jo thjesht për faktin se jemi në rrugën e integrimit për në Evropë. Kjo puna e integrimit në Evropë është bërë si puna e Xhaferrit që humbi simiten. Jo e ke fajin ti jo s’e kam fajin unë, kështu që po humbim kohë e mund e integrimi nuk duket gjëkundi. Nëse ne do punojmë vërtet për Shqipërinë dhe shqiptarët atëhere integrimi në Evropë vjen natyrshëm, për të mos thënë se do jenë vetë evropianët, amerikanët, britanikët, e të tjerë që do të duan të hyjnë në Shqipëri, pasi deri tani unë nuk kam parë ndonjë burrë që i mban pantallonat me rrypa vertikal (tiranta) që të zbresë në aeroportin Nënë Tereza, pasi vendet e botës që tashmë janë më të zhvilluara janë bërë ashtu si janë sot, nga këta lloj burrash, nga këta zotërinjtë, që i mbajnë pantallonat me rrypa vertikal (tiranta), ndërkohë që Shqipëria historikisht është qeverisur ose nga meshkuj që i kanë mbajtur në rini të tyre pantallonat me ushkur, ose nga njerëz që nuk kanë mbajtur fare rryp mesi horizontal.

Duke thënë këtë, e shikoj me shumë dyshim mundësinë e hetimit serioz të prokurimeve publike dhe koncesioneve të pakërkuara, aq më shumë kur numri i këtyre koncesioneve sa vjen e shtohet dhe kur fuqia mbikqyrëse e punimeve civile për prokurimet publike në Shqipëri ka rënë në fund të dyshemesë. Mbikqyrja e prokurimeve publike ka qenë dhe mbetet elementi më i dobët i të tëra qeverisjeve në Shqipëri.

Forcimi i mbikqyrjes dhe kolaudimit të prokurimeve publike si në produkte ashtu dhe në shërbime, do ishte hapi i parë i madh për thellimin e luftës kundër korrupsionit në tenderime dhe koncesione dhe do ndihmonte shumë proceset dhe procedurat ligjore, që lidhen me buxhetin e shtetit dhe me ecurinë e bërjes së biznesit në vend. Kjo do sillte edhe investime të huaja dhe mirëqenie.