Intervista/ Sadedin Fishta: Kur drejtuesit e Policisë përzgjidhen me mjete korruptive, reflektohet dhunë kriminale nga efektivët në terren

189
Sigal

Ngjarjet kriminale që kanë tronditur opinionin publik nuk kanë ardhur nga krimet apo atentatet e kryera nga kriminelët, por nga Policia. Vrasjet e djemve të rinj në rrugët e kryeqytetit janë kthyer në një histori të përsëritur për Policinë e Shtetit. Për të folur për gjendjen aktuale të Policisë Drejtori i Gazetës “Telegraf”, Ëngjëll Musai ka kryer një intervistë me Kreun e Sindikatës së Policisë së Shtetit, z. Sadedin Fishta.

Vitet e fundit të krijohet përshtypja se ka një “frymë” për dhunë policore. Kjo nisur nga ngjarje të caktuara që marrin herë pas here vëmendjen e mediave, por edhe publikut. A mendoni se kjo vjen si pasojë e frymëzimit të një dhune nga lart (eprorët), presionit të punës apo për shkaqe të tjera?

Ka shumë arsye që efektivët e policisë shfaqin rritje të veprimeve arbitrare në tejkalim të përdorimit të dhunës dhe të forcës. Strukturat e policisë po vuajnë nga mungesa e transparencës dhe e debatit social brenda radhëve të saj për të analizuar të gjitha problemet e brendëshme që ka sot një Komisariat apo një Drejtori Vendore e Policisë. Po filloj me emërimin e drejtuesve të policisë në nivel vendor e qendror që në shumicën e rasteve bëhen në shkelje të ligjit. Kuptohet që një emërim i tillë i paligjshëm sjell pasoja të rënda brenda institucionit policor përveç mungesës së besimit krijohet një konflikt i brendshëm në heshtje, që reflektohet në tërë aktivitetin e policisë me dhunë psiqike të ushtruar nga lart-poshtë ku i paafti dhunon të aftin. Në rastin kur përzgjidhen nga politika ushtrohet dhunë politike, kur përzgjidhen me mjete korruptive reflektohet dhunë korruptive kriminale. Këshillat e emërtesave në polici pa pjesëmarrjen e sindikatës nuk vlerësojnë e përzgjedhin kandidatin e përshtatshëm, por me diktat nga lart propozojnë atë që zgjedh titullari. Pa prezencën e sindikatës në të gjitha komisionet e grupet e kontrollit nuk ka e nuk do ketë reformë në Polici. Mbyllja dhe izolimi  në vetvete i Komisariateve e Drejtorive Vendore i jep policisë imazhin e një force policore të dhunshme në komunitet.

Trajtimi jo korrekt në punë, me mbi ngarkesa dhe mos kompensimi me pushime apo financiar, krijojnë stres dhe pasiguri, që mund të përkthehet në shtimin e agresivitetit.”

A mendoni se trajtimi financiar i policisë dhe mosha e tyre, lë shumë për të dëshiruar ?!

Trajtimi jo korrekt në punë, me mbi ngarkesa e me mbikohë pune të punonjësve të policisë të nivelit zbatues dhe mos kompensimi me pushime apo financiar në kohë i tyre, krijojnë stres dhe pasiguri sociale, që ne një formë mund të përkthehet në shtimin e agresivitetit. Sigurimi i jetës, pensioni i shërbimit, ushqimi, kredia me 3%, shtëpitë falas për familjarët e rënë në detyrë edhe pse me ligj duhet ta përfitonin që në 2015. Sot kemi një polici të plakur, mosha mesatare i kalon 48 vjeç, ndërsa me dhjetëra punonjës të rinj në moshë po largohen, 5 deri në 7 punonjës në ditë. F.N.Sh janë përgjysmuar për shkak të largimeve dhe punonjës në strukturat e patrullave e të ‘Shqiponjave’ nuk pranojnë të shkojnë se paga e tyre është më e lartë se punonjësit të reparti special të FNSh-ve. Pagesat e dietave jepen me mbi 6 muaj vonesë duke ju vështirësuar jetesën. Rekrutimet dhe përgatitja profesionale e trupës se re Policore janë praktika ligjore, që duhet ta pasurojnë policinë me frymë të re në zbatimin e ligjit. Por a janë ato që përzgjidhen njerëzit që i duhen policies? Kjo ha diskutim. Drejtoria e Përgjithshme ka vite që ul nivelin bazë teorik e fizik të kandidatëve. Kjo bëhet me qëllim që të plotësohet numri se me sistemin mbi 60-70% të pikëve të grumbulluara në testim nuk plotësohen as 200 pranime.

Testi i drogës dhe pse dështoi realizimi i Vettingut?

Testi i drogës që ishte një veprim i vonuar ligjor dhe i domosdoshëm, që ish-drejtori e filloi, por nuk e mbaroi, që rezultatet testeve akoma nuk i dimë vënë në pikëpyetje shumë veprime të paligjshme të punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Realizimi i Vettingut për të gjithë drejtuesit e policisë do sillte patjetër ndryshimet e duhura në drejtimin e Policisë së Shtetit. Është e nevojshme që policia të drejtohet me struktura kolegjiale në përputhje me ligjet në fuqi dhe jo individualisht me urdhra nga lart të njëshave që emërohen pa marrë asnjë mendim kolegjial të strukturave përkatëse, që ju takon me ligj që të shprehen. Përfundimi është se vijnë në karrigen e Drejtorit nga politika individë që nuk e meritojnë dhe që nuk plotësojnë kriteret e ligjit dhe që politikisht etiketohen  me performancë të lartë dhe largohen pa bërë vitin me performancë të dobët duke marrë me vete vlerësimet për situatat e rënda, që gjetën dhe që u krijuan gjatë kohës, që ato drejtuan dhe jo për fajin e tyre. Drejtori i Përgjithshëm duhet të zgjidhet punonjësi i policisë që plotëson kriteret sipas ligjit për atë funksion, i përzgjedhur, nga strukturat e policisë dhe jo ta caktojë ministri. Duhet një ligji i ri për policinë: zbatimi i të cilit të mbikqyret nga parlamenti, sindikata, shoqëria civile etj.

“Testi i drogës që ishte një veprim i vonuar ligjor dhe i domosdoshëm, që rezultatet e testeve akoma nuk i dimë vënë në pikëpyetje shumë veprime të paligjshme të punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës.”

A trajnohen policët gjatë formimit të tyre në akademinë e sigurisë për vetpërmbajtje gjatë situatave të ndryshme?

Dhuna e pajustifikuar nga ana ligjore është një abuzim i hapur me detyrën nga punonjësi i policisë. Shkak është dhe formimi i dobët profesional i stafit policor që dukshëm në situata të caktuara shfaqin çekuilibrim personaliteti duke kryer veprime të dhunshme ndaj qytetarit. Në tejkalim të ligjit, në këtë rast kuptoj zbatimin e ligjit për përdorimin e armës apo dhe të forcës lënë për të dëshiruar në Policinë e Shtetit. Duhen bërë programet e përgatitjes së patrullave të përgjithmonë gjithvjetore dhe ato të pasurohen me praktika të gatshme edhe mbas mbarimit të kursit bazë 22 javor në Akademinë e Policisë. Me fillimin e punës në Komisariate duhen të testohen çdo vit punonjësit  në përdorimin e armëve të zjarrit e të ligjit për përdorimin e armëve të zjarrit. Po ashtu dhe për përdorimin e forcës me situata konkrete, që ndodhin në terren për të fituar shprehi vetëmbrojtëse për t’u përballur me një sulm në kushtet e mbrojtjes së nevojshme pa kaluar kufijtë e saj ku sulmi të jetë i vërtetë, i drejtpërdrejtë dhe i çastit. Sulmi të ketë filluar dhe të mos ketë mbaruar. Në këto raste punonjësi i policisë përdor forcën në mënyrë të përshkallëzuar dhe e ndërpret kur sulmi mbaron sulmuesi heq dorë nga kundërshtimi apo mposhtet nga veprimet e punonjësit të policisë ku sulmuesi vendoset në kushte shoqërimi në gjendje të lirë ose i prangosur. Sot mungojnë fare në organikë instruktorë të përgatitjes profesionale në komisariate që planifikojnë programe trajnimi e testimi për efektivët. Mungojnë palestra e poligone për armët e brezit në komisariate ku të ushtrohet profesionalisht  efektivi. Mjaftohen vetëm me kursin bazë gjatë rekrutimit dhe këtu mbaron përgatitja e tyre në vite. Mjaftohen vetëm me një instruktazh 15 min. para shërbimit dhe kaq mbaron aftësimi i tyre për t’u përballur me situatat në terren. Punonjësit e policisë të nivelit zbatues deri në  vitin ‘92 kanë qenë shumë më të përgatitur profesionalisht jo vetëm për faktin se niveli bazë është shkolluar në sistemin arsimor policor 2 -vjeçar nga i cili kanë dalë me dhjetëra drejtues policie pas viteve ‘90 e në vazhdim, por dhe se në Drejtoritë Vendore e Qendrore ka patur në strukturë sektor të përgatitjes profesionale, të cilët hartonin programe vjetore të pregatitjes profesionale duke futur këtu dhe testimet dhe vlerësimet në këtë fushe. Sot këto struktura dhe ambiente për stërvitje e përgatitje profesionale mungojnë në komisariate, Drejtori Vendore e Qëndrore. Egzistojnë vetëm në repartet speciale e të ndërhyrjes së shpejtë. Sot një drejtues trupe policore duhet të ketë frikë të punojë me vartës të tillë të papregatitur, sepse risku për të mbajtur përgjegjësi është tepër i madh.