Sarandë, vijojnë përplasjet Bashki-Këshilli Bashkiak

701
Sigal

Situata ka një vit që s’po gjen rrugëzgjidhje. Kryekëshilltari Ilir Nikolla: “Nuk njoftohemi në kohë për mbledhjen e radhës”

Ka më se një vit që odiseja e përplasjeve, kundërthënieve e thënieve, akuzave e kundërakuzave, shkarkimeve e mosmiratimeve të vendimeve midis Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë së Sarandës vijojnë të habisin opinionin publik, ata që kanë votuar për ta dhe presin përmirësimin e shumë situatave qeverisëse në qytet.

Por çfarë ka ndodhur?

Data 27 Gusht ka regjistruar mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, ku në rend të ditës ka pasur si pika kryesore analizën ekonomiko-financiare të 6-mujorit të parë të vitit 2012-të nga Bashkia Sarandë. 2-Vështrim mbi bashkëveprimin e Bashkisë Sarandë me bashki homologe, në kuadër të binjakëzimit mes tyre. 3-Furnizimi me ujë i qytetit gjatë sezonit dhe masat e marra për përgatitjen e institucioneve arsimore të qytetit të Sarandës e të fshatrave në juridiksionin e saj, në prag të vitit të ri shkollor 2012-2013. Një mbledhje kjo e dështuar për arsye që do përmenden më poshtë. Kryekëshilltari  Ilir Nikolla u ka thënë këshilltarëve se dokumentacioni i bashkisë është dorëzuar më datën 31 korrik dhe kështu ka qenë e pamundur mbledhja e këshillit dhe shqyrtimi i rendit të ditës brenda muajit gusht dhe nuk është morale që nuk ka pjesëmarrje nga asnjë përfaqësues i bashkisë. Edhe këshilltarë të tjerë këtë rast bojkoti e kanë quajtur si tallje. Këto argumente janë mbrojtur edhe publikisht nga kryekëshilltari, Ilir Nikolla në mediat lokale të Sarandës. Por menjëherë ka reaguar institucioni i Bashkisë së Sarandës nëpërmjet zëdhënëses së sajë të shtypit Nertila Jaupllari, e cila ka fajësuar kryetarin e këshillit, Ilir Nikollën dhe maxhorancën e këshilltarëve se kanë bojkotuar mbledhjen kur përfaqësuesit e bashkisë janë paraqitur në mbledhje të këshillit duke bërë që të mos merren në shqyrtim problemet e rëndësishme që përmbante rendi i ditës. Jaupllari ka nënvizuar keqardhjen se këshilli duke përdorur forcën e kartonit, u bë injorues dhe mosmiratues për të gjitha problemet e tjera si investimi i dytë për lulishten e shëtitores “Hasan Tahsini”. Jaupllari e ka akuzuar Këshillin Bashkiak se vazhdon të ecë në një gjatësi vale me qeverisjen qendrore. Dhe e gjitha kjo, -vijon Nertila Jaupllari,- e ka burimin tek mos dashuria për Sarandën, se qëndrime të tilla vështirësojnë punën e bashkisë për realizimin e këtyre projekteve. Por këshilltarët duhet të jenë të ndërgjegjësuar se me veprimet e tyre bllokimin e investimeve ia bëjnë dhuratë qytetarëve që i kanë votuar, ka përfunduar zëdhënësja e Bashkisë së Sarandës,Nertila Jaupllari.