Marko Bello, shembulli i shërbesës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve

338
Sigal

Në kujtim të 60-vjetorit të lindjes së intelektualit dhe diplomatit të shquar

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Në këtë periudhë të pandemisë së Covid 19, çdo ditë është e ngarkuar me njoftime të hidhura mbi përhapjen e pandemisë dhe për largimin nga jeta të miqëve, shokëve, kolegëve, familjarëve, bashkëpuntorëve, sportistëve, artistëve, intektualëve dhe politikanëve që kanë punuar e dhënë një kontribut të shquar në demokratizimin dhe prosperitetin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Në këtë botë të madhe njohjesh, kujtimesh, kontributesh, gëzimesh, dhimbjesh, secili ka vendin dhe peshën e tij të fituar me sjelljen, me punën dhe me kontributin e tij. Sot(pardje), përmes titrave të “Tv. Neës 24”, mësuam lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Marko Bellos, njërit prej shokëve dhe miqve të vjetër e më të mirë. Është ndarë nga jeta familjari i dashur dhe i pazevendësueshëm, por edhe shoku ynë i paharruar, profesori, diplomati, shkrimtari dhe politikani me fytyrë, me moral e me një jetë të pastër nga korrupsioni, nga injoranca, nga ligësia dhe nga egoizmi. Marko do të kujtohet gjithë jetën si qytetari, shtetari dhe politikani që nuk u rrëmbye kurrë nga zilia, as nga hakmarrja, as nga sherrnaja, as nga grykësia dhe as nga stërpiklat e rrahjes së gjymtyrëve të gjata të gjallesave politike të kënetës së qelbëzuar e të bllokuar që nga esatizmi, zogizmi, enverizmi, edvinizmi, e të tjerë izma, që përkundrejt demagogjisë mbi demo-kracinë,  mbi ligjin dhe mbi shtetin ligjor, punuan dhe luftuan vetëm për interesat dhe pushtetin e tyre të pakufishëm e të pakontrollueshëm. Janë 108 vite të mbushura me aq shumë izma, me aq shumë varfëri, dështime, përçarje kombëtare dhe histori me ndërrime kuajsh dhe ulje-ngritje të komitëve dhe sundimtarëve të egër e të korruptuar, ku përtej hipokrizisë me premtimet dhe fjalimet e tyre për demokracinë dhe Shqipërinë si Europa, duket që punuan për veten e tyre për të ndërtuar një copë sulltanat apo pashallëk oriental të përbuzur e të neveritur që nga koha skënderbejane, në ditët e sotme, e përgjithmonë.

Marko do të kujtohet gjithmonë si mendimtari, si profesori dhe si politikani që i dha frymën, fytyrën dhe imazhin më të mirë politikës dhe institucioneve të shtetit shiptar ku ai ka punuar. Nuk duhet të harrojmë kurrë faktin se për sulltanucët, feudalët, bejlerët, pashallarët dhe të gjithë kënetën e njohur të politikës obskurantiste të këtyre 30 viteve, njerëzit më të sulmuar, më të anashkaluar e më të padëshiruar ishin dhe janë intelektualët, profesorët, diplomatët dhe politikanët si Marko Bello, janë ata që punojnë me shpirt për një Shqipëri europiane dhe demokratike. Falë llojit të këtyre intelektualëve dhe politikanëve, Shqipëria do të jetojë e do të bëhët gjithnjë e më demokratike, do të zhvillohet dhe do të prosperojë e bukur, e begatë dhe e bashkuar me Europën që nuk na ka braktisur kurrë. Marko Bello, gjithnjë përdorte shprehjen “Shqipëria europiane është projekt hyjnor, njerëzit nuk e ndalojnë dot”. Shqipëria nuk mund të mbetet kurrë peng i krimit, as korrupsionit dhe nuk mund të bëhet kurrë pashallëk për asnjë pasha.

Marko ishte studenti që rrezatonte njerëzillëk, korrektesë dhe zgjuarsi shembullore

Për herë të parë, Markon e kam takuar në Dhjetor të vitit 1984 në Universitetin e Tiranës. Marko ishte student i vitit të dytë të Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega frengjisht. Që nga ajo kohë, kemi patur shumë shokë të përbashkët dhe vazhdimisht jemi takuar në aktivitete studentësh, në promovime librash. Gjatë periudhës tremujore, Shtator – Dhjetor 1986, sipas programit arsimor të asaj periudhe, me Markon dhe me rreth 200 studentë të tjerë nga e gjithë Shipëria, kemi studiuar në ish- shkollën e instruksionit të qytetit të Pukës. Edhe në Pukë, Marko ishte shembulli më i mirë, ishte shoku ynë më i mirë e më i respektuar. Që në Tetor të vitit 1986, në shkollën e instruksionit në Pukë, na erdhën njoftimet mbi emërimet në administratën e rretheve përkatëse. Ndërsa për Marko Bellon u gëzuam të gjithë kur e morëm vesh se ai ishte emëruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, fillimisht në Drejtorinë e Shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më vonë është emëruar sekretar i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bukuresht.   Marko ishte dashamirës, i respektuar dhe mbeti shumë komunikues me shokët edhe kur punoj si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Rumani, edhe kur punoj si zv/ministër i Mbrojtjes, dhe i ngarkuar me një detyrë me rëndësi të jashtëzakonshme, atë të kordinimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO-n.

Marko Bello, përgjatë tre legjislaturave të viteve 2001-2013, ka qenë njëri nga deputetët më të ditur, më të ndershëm e më produktivë të parlamentit shqiptar. Ai do të kujtohet për angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në drejtimin e komisionit për politikën e jashtme. Diskutimet, propozimet, bisedat dhe analizat politike, diplomatike dhe akademike të Marko Bellos, ishin analiza inkurajuese, zhvillimore dhe bashkë-punuese. Puna e tij si Ministër për Integrimin Europian, është një tjetër kontribut i rëndësishëm, i sinqertë dhe i paharruar në drejtim të demokratizimit dhe të europianizimit të Shqipërisë. Marko ka dhënë një shembull dhe kontribut i shkëlqyer edhe në diplomaci, duke e përmirësuar kështu imazhin e shtetit dhe të vendit tonë në botë, si dhe duke përshpejtuar reformat dhe hapat drejt integrimit në NATO dhe në BE, në mënyrë të veçantë në liberalizimin e vizave për lëvizjen e qytetarëve. Të tillë njerëz kanë lindur për të mos vdekur kurrë. Shqipëria dhe shqiptarët do t’i jenë përjetë mirënjohës punës dhe gjithë trashegimisë së Markos në politikë, në diplomaci, në publicistikë, në arsim, në qytetari e kudo tjetër. Marko Bello jeton, ai është në shërbim të përjetshëm të demokratizimit dhe të prosperitetit të Shqipërisë tonë të dashur.

Pandemia nuk ja mohon dot 60-vjetorin, mikut dhe intelektualit Marko Bello

 

Dita e djeshme ishte e veçantë për familjen, miqtë, shokët dhe dashamirësit e Marko Bellos. Pikërisht dje miku, kolegu i shtypit dhe medias, por edhe politikani ekselent Marko Bello kishte 60-vjetorin e lindjes. Një ditë e veçantë të cilën Marko e ka festuar për 59 vite, por që ky jubile i 60-të u nda nga virusi i pabesë që tronditi jo vetëm familjen e Markos, po mbarë njerëzimin kudo në Botë. Marko lindi më 12 shtator 1961 në qytetin e Beratit dhe dje në 60-vjetorin e kësaj dite të shenjtë, ai u kujtua dhe nderua nga familja për të cilën Marko investoi dhe transmetoi vlerat më të mira të qytetarisë, kulturës dhe mirësisë. Ai u kujtua nga miqtë, por dhe dashamirësit të cilët tek figura dhe personaliteti i Markos , shikonin njeriun e edukuar, fjalëëmbël, të qetë, të mënçur, të pakorruptuar, diplomatin model, politikanin e fisshëm dhe shtetarin e ndershëm. Si mik dhe dashamirës i Gazatës Telegraf, Marko Bello do të kujtohet dhe nderohet me respekt nga stafi i redaksisë sonë, botuesi i saj dhe të gjithë lexuesit brenda dhe jashtë vendit. I paharruar kujtimi Juaj miku ynë Marko në këtë  60-vjetor të lindjes!

Engjëll Musai

Drejtor i Telegraf