Ulen import – eksportet nga Porti i Durrësit. 2012, vit krize

763
Sigal

SHKËMBIMET TREGTARE/ Produkte të industrisë sonë minerare kanë pësuar ulje në masën 15 %. Shkaqet janë të qarta

Periudha e verës pritej të kishte efekte pozitive në ekonominë shqiptare, e cila në pjesën më të madhe varet prej importit, por rënia është e ngadaltë dhe graduale. Kjo periudhë konsiderohet e zymtë në shkëmbimet tregtare nga Porti i Durrësit. Rënie ka shënuar në masë të konsiderueshme importi dhe eksporti i mallrave në masën 15%, duke shënuar krizë në transportin ujor për gjashtë muajt e parë të vitit 2012. Në këtë vit janë shënuar dhe rezultatet më të dobëta të import – eksporteve në vendin tonë  përgjatë 3 viteve të fundit. Transporti i mallrave me kontenierë, është i vetmi që po i bën ballë krizës, duke shënuar ecuri pozitive, pavarësisht, se edhe në këtë sektor të transportit rënia është rreth 50%, nga pritshmëritë.

Përpunimi i mallrave

Përpunimi i mallrave në portin e Durrësit ka shënuar rënie dhe faktor kryesor për këtë situatë është kriza ekonomike globale, e cila ka prekur vendet e rajonit, në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Pavarësisht se ka  rritje të mallrave me konteinerë, ky sektor këtë vit ka shënuar ulje drastike në raport me vitet e shkua, ku rritja ishte mbi 40% në vit. Për 6 mujorin e parë të vitit 2012 janë importuar një milion e 105 mijë ton mallra, me një rritje prej 35 mijë ton mallrash, ose 3%. Në këtë drejtim janë importuar artikujt që nga drithërat, mallrat e ndërtimeve, por edhe ato ushqimore. Ashtu siç vihet re nga të dhënat zyrtare të Portit të Durrësit për 6 mujorin e parë të vitit 2012, shqiptarët konsumojnë më pak, gjatë vitit dhe në periudhën e verës, rritet kërkesa, ku ndikim të padiskutueshëm ka turizmi. Gjatë muajve të parë të vitit, shqiptarët shpenzojnë çka vihet re edhe nga të dhënat statistikore të këtij 6 mujori. Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë përpunuar 1 milion e 750 mijë ton mallra në total, ndërsa për 6 mujorin e parë të 2012 janë përpunuar një milionë e 685 mijë ton mallra nga porti i Durrësit.

Eksportet në krizë

Të dhënat nga porti më i madh i vendit flasin për një ekonomi në krizë. Kriza ekonomike botërore ka goditur me një ulje drastike eksportet “Made in Albania”. Skrapi, kromi, koncentrati i bakrit etj., produkte të industrisë sonë minerare kanë pësuar ulje prej 15% gjatë muajve Janar – Korrik 2012, për shkak të tkurrjes së kërkesës nga tregjet botërore.  Shkaqet janë të qarta.

Importet në rënie

Rënie ka shënuar në masën prej 89 mijë ton transporti me anije, ndërsa me tragete është shënuar një rënie prej 5 700 ton, në total  94 500 ton më pak se 6 mujori i vitit 2011. Importi ka shënuar rritje të ngadaltë, ku janë importuar 53 mijë ton më shumë produkte ushqimore, kryesisht me anije. Por rënie ka shënuar transporti i mallrave me tragete, që kryhet nga kamionët dhe trajlerat, rënie e cila shënohet në masën 19 mijë ton ose 8 % për periudhën janar- korrik 2012.