Ish-Kryetari i Kuvendit, Prof. Dr. Kastriot Islami: Rama damkoset si humbësi i madh dhe shkatërrimtari i zgjedhjeve të lira e të ndershme  

393
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shumë votues që janë qartësisht të vendosur e të angazhuar të votojnë për ndryshimin më janë shfaqur disa herë në komentet e tyre opozitarë idealistë. Do të më pyesni; përse i cilësoj “opozitarë idealistë”?  Ata kanë shqetësimin e madh e legjitim së nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira e të ndershme atëherë çfarë mund të ndodhë?  Ose akoma më qartë: Nëse Rama do të vazhdojë të blejë vota me hajdutët e pasurisë kombëtare dhe të kërcënojë shumë votues siç ka vepruar herët e fundit me shokët e tij kriminelë, a do të mund të pengojë fitoren e opozitës? Përgjigja është kjo: Shkatërrimtari i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të jetë në 25 Prill 2021 edhe humbësi më  i madh në këto 30 vjet… Pasi janë provuar të gjitha opsionet ndaj këtij hajduti që blen vota dhe kërcënon votuesit, ka mbetur vetëm ai i përballjes direkte masive në 25 Prill 2021 duke krijuar një cunam elektoral të papërmbajtshëm, që do të shkatërrojë çdo pengesë apo tentativë për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor dhe do të hedhë në kazanin e plehrave të KEQEN që ka marrë peng të ardhmen e vendit. Dikujt kjo mund t’i duket edhe si retorikë e vjetër apo propaganda, por kjo ka mbetur mundësia e vetme për të shpëtuar vendin në këtë udhëkryq historik.

Ky shqetësim i shumë votuesve idealistë është i drejtë; dhe ka vetëm një zgjidhje që e ka përcaktuar qartësisht opozita: të shkohet masivisht në votimet e 25 Prillit dhe cunami opozitar të jetë aq i madh sa të realizojë ndryshimin e madh duke përballuar edhe të gjithë marifetet e pengesat e vendosura nga Rama kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pra i vetmi opsion i mundshëm është bashkimi i madh i të gjithë votuesve opozitarë për të garantuar një pjesëmarrje e prezencë aq e madhe në votime saqë vota masive opozitare të hedhë në kazanin e plehrave qeverisjen Rama duke shkatërruar ndërkohë çdo pengesë marifetesh e veprimesh, që do të bënte Rama për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor. Thënë troç e shkoqur: në 25 Prill Rama duhet të damkoset nga vota masive opozitare e shumicës së shqiptarëve edhe si humbësi më i madh i këtyre 30 vjetëve, por edhe si shkatërrimtari i zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipërinë e shekullit XXI. Kjo është sfida e çdo shqiptari të ndershëm dhe e të gjithë opozitës. Ngritja e cunamit historik për të shkatërruar të keqen së bashku me pengesat e marifetet e humbësit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndonëse duket një detyrë e vështirë është tërësisht e mundshme.

“Rama, shkatërrimtari i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të jetë në 25 prill 2021 edhe humbësi më i madh në këto 30 vjet…”

 

Ngritja e këtij cunami opozitar e qytetar duhet të shoqërohet paralelisht me ngritjen e një mekanizmi opozitar e qytetar në çdo qendër votimi, për mbrojtjen e çdo vote dhe pengimin me çdo mënyrë e mjet të tjetërsimit të votës…. Por edhe për evidentimin e fotografimin e të gjithë fakteve e provave për çdo blerje të votës apo kërcënim të votuesve, që gjithkush ta ketë të qartë që pas 25 Prillit çdo dhunues i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të ndëshkohet ashpërsisht. Dhe kjo s’do të mbetet thjesht retorikë siç ka ndodhur në këto vitet e fundit.

Procesi elektoral ka nisur me një defekt shumë, shumë të madh, më të madhin në historinë e këtyre 30 vjetëve demokraci, prishjen e njëanshme nga Rama të marrëveshjes së 5 qershorit, e cila kishte për synim kryesor, jo thjesht amendimin e kodit zgjedhor, por mbi të gjitha për të ndërtuar besimin mes palëve për zgjedhje të lira e të ndershme. Që nga ky moment, edhe sikur gjithçka tjetër të ishte perfekte, zgjedhjet e lira e të ndershme do të ishin të pamundura, sepse në themel të zgjedhjeve të lira e të ndershme është besimi reciprok dhe vullneti i mirë i palëve për të implementuar këtë besim reciprok.

Po të kemi parasysh se me çfarë vështirësish ishte arrritur deri te marrëveshja e 5 qershorit përmes vendimeve të Këshillit Politik ky defekt është i stërmadh. Opozita e larguar nga parlamenti dhe zgjedhjet vendore, e detyruar nga sjelljet antidemokratike e deri të dhunshme e provokimet e Ramës, kishte arritur në përfundimin e drejtë e të saktë se “me Ramën s’mund të kishte dhe s’do të mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.”; me prishjen e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit nga Rama, kjo e vërtetë u provua katërcipërisht. Për të arritur te kjo marrëveshje,  opozita do të pranonte propozimin ndërkombëtar për të dhënë kontributin e saj në Këshillin Politik që u konceptua si zgjidhje e vetme, gjithëpërfshirëse e konsensuale dhe një mundësi e mirë për të krijuar besimin reciprok mes palëve për zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo ishte ndërkohë një sakrificë tjetër e madhe e opozitës por që ia vlente përballë interesave të mëdha të vendit dhe interesit publik të shqiptarëve.

“Rama vazhdoi të provokonte opozitën, duke e prishur marrëveshjen e 5 qershorit, përmes ndryshimeve të njëanshme kushtetuese e ligjore me idenë e tij perverse se kështu do të mund të provokonte opozitën të largohej nga procesi elektoral dhe zgjedhjet”

Marrëveshja e 5 qershorit 2020 u arrit pas një presioni të madh ndërkombëtar, veçanërisht atij amerikan, që e detyroi opozitën të ndërronte qasje: të futet në zgjedhje të lira e të ndershme, të garantuara përmes ndryshimeve kushtetuese e ligjore, gjithëpërfshirëse e konsensuale përmes Këshillit Politik. Me këtë qasje u arrit marreveshja e 5 qershorit në rezidencën e ambasadores amerikane, me prezencën e ambasadorit të BE e të ambasadorit britanik dhe vëzhgimin e ambasadorit gjerman. Rama në mënyrë diabolike e zullumqare, vazhdoi të provokonte opozitën, duke e prishur marrëveshjen përmes ndryshimeve të njëanshme kushtetuese e ligjore me idenë e tij perverse se kështu do të mund të provokonte përsëri opozitën të largohej nga procesi elektoral dhe zgjedhjet. Opozita s’ra në këtë kurth. Dhe kështu në pamundësi për të arritur te zgjedhjet e lira e të ndershme, opozita vazhdoi angazhimin për fitimin me çdo mjet e mënyrë të zgjedhjeve të dëmtuara rëndë nga marifetet e manipulimet e Ramës.

Prishja e njëanshme nga Rama e marrëveshjes së 5 qershorit dhe heshtja apo veprimi jo siç pritej i garantëve të saj krijoi perceptimin se zgjedhjet nuk do të mund të ishin të lira e të ndershme si në çdo vend tjetër demokratik. Opozita e ndodhur përballë kësaj situate, të njohur mirë prej saj edhe më parë, dhe e vendosur për të mos rënë në kurthin e Ramës për t’u larguar nga zgjedhjet, vendosi të futet në zgjedhje dhe të përballet me Ramën dhe të gjithë marifetet e tij. Pavarësisht se zgjedhjet nuk do të mund të ishin të lira e të ndershme, me idenë dhe bindjen se fitorja e saj apo më saktë humbja e Ramës do të jetë mjaftueshmërisht e madhe, madje aq e madhe sa do të mund të kompensojë deformimin eventual të rezultatit zgjedhor nga përpjekjet e vazhdueshme të Ramës për manipulimin e zgjedhjeve, opozita mori vendimin historik për t’u futur me çdo kusht në zgjedhje dhe fituar!

Ky është një moment i veprimit të së Keqes që s’duhet harruar asnjëherë në historinë moderne të këtij vendi nga të gjithë shqiptarët, ndonëse këtë rradhë e Keqja s’ka asnjë shans të bëhet pengesë për fitoren e padiskutueshme dhe madhështore të opozitës, pavarësisht se çdo të pillte mendja e sëmurë dhe çmenduria e bartësve të së keqes. Kjo që po shkruaj nuk është propaganda, por një domosdoshmëri për zgjidhje në këtë udhëkryq të zhvillimit të vendit dhe rivendosjes së stabilitetit, pas kaq e kaq shumë dështimeve e mashtrimeve, që kanë tronditur rëndë stabilitetin dhe drejtpeshimin e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij vendi të vogël, por të brishtë e të varfër. Jam shumë i sigurtë se për shqiptarët e bashkuar e të revoltuar në ekstrem, si asnjëherë më parë, dhe të gatshëm për të përballuar një betejë të vështirë, s’ka asnjë mënyrë e mjet tjetër për realizimin e kësaj pritshmërie popullore.

“I vetmi opsion i mundshëm është bashkimi i madh i të gjithë votuesve opozitarë për të garantuar një pjesëmarrje aq e madhe në votime,  saqë vota masive opozitare të hedhë në kazanin e plehrave qeverisjen Rama”

Në vijim të 5 qershorit, jo vetëm nuk ka pasur asnjë reflektim nga ana e atyre, që e prishën marrëveshjen apo reagim adekuat nga ana e atyre që e ngjizën dhe monitoruan atë, por kanë vijuar me një perversitet ekstrem përpjekjet për të hedhur në erë zgjedhjet e lira e të ndershme me shpresën e vetme se kjo do të ishte rruga për të përmbysur rezultatin e pritshmërinë e madhe popullore për ndryshim. Që nga 5 qershori 2020, e në vijim ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë parregullsi e deri defekte të rënda të procesit elektoral, të lidhura me miratimin e zbatimin e kodit të ri zgjedhor, deri përpjekje për të deformuar shprehjen e vullnetit qytetar, duke zëvendësuar identitetin me anonimitetin ose thënë më troç, duke zëvëndësuar emrat e kandidatëve për deputetë me shifra anonime.

Kjo ka bërë që të vuloset mendimi i përgjithshëm se “Rama, në krye të qeverisë, s’ka as vullnet dhe as dëshirë të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme.”. Dhe kjo s’ka përse të çudisë ndokënd, ndoshta e kundërta do të ishte e çuditshme: thënë qartas e shkoqur: “Jo thjesht është vënë në dyshim zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, por me siguri në 25 Prill nuk do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është e vërteta e hidhur që duhet pranuar e përballuar me kurajo e dinjitet. Nga ana tjetër, kjo e vërtetë e hidhur s’duhet të ligështojë asnjë opozitar idealist, që është i angazhuar për fitoren e padiskutueshme të opozitës.”

“Ngritja e këtij cunami opozitar e qytetar duhet të shoqërohet paralelisht me ngritjen e një mekanizmi opozitar e qytetar në çdo qendër votimi, për mbrojtjen e çdo vote dhe pengimin me çdo mënyrë e mjet të tjetërsimit të votës….”

Të gjithë këto përpjekje të Ramës në funksion të manipulimit apo përmbysjes së rezultatit zgjedhor, por edhe shumë provokime të tjera të bëra nga Rama për të nxjerrë jashët sistemit opozitën janë shpërfillur nga lidershipi opozitar, i cili ka marrë një vendim historik: opozita do të futet në zgjedhje dhe do t’i fitojë ato, pavarësisht veprimeve të Ramës dhe do ta mundë atë e sektin e tij me gjithçka ka bërë e bën, përfshi edhe të gjithë marifetet e manipulimet për të prishur zgjedhjet e lira e të ndershme dhe/ose për të përmbysur rezultatin zgjedhor apo provokimet për ta detyruar opozitën të largohet nga zgjedhjet.

Tashmë shumica dërmuese e qytetarëve janë të bindur, por edhe pjesa më e madhe e partnerëve janë të bindur se në Shqipëri sa të jetë Rama në krye të qeverisë, do të ketë manipulime në zgjedhje, blerje të votës dhe kërcënim të votuesve. Pra thënë ndryshe, me Ramën në krye të qeverisë nuk do të mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, të standarteve demokratike, por kjo nuk do të thotë se Rama do të fitojë zgjedhjet, madje këto përpjekje të tij do të kthehen në boomerang kundër tij dhe humbja do të jetë edhe më e thellë për shkak të marifeteve të tij perverse për të hedhur në erë zgjedhjet e lira e të ndershme, ndonëse ai mendon e shpreson të kundërtën.

Kjo e gjitha do të thotë se asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të mund të ndryshojë as për zgjedhjet e  25 Prillit, të paktën si synim diabolik apo përpjekje perverse të Edi Ramës. Nga ana tjetër, as qasja e opozitës për të fituar në këto rrethana nuk ka ndryshuar, pra thënë ndryshe ndonëse zgjedhjet do të ishin vetëm të pranueshme në rrethanat e prezencës së përpjekjeve të Edi Ramës për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Përmbledhtas mund të thuhet se opozita nuk ka rënë preh e provokimeve të Ramës apo në kurthin e tij për t’u larguar nga zgjedhjet, sepse ato do të mund të pengohen prej tij të jenë të lira e të ndershme.

“Nëse Ramës i shkon mëndja të përdorë dhunën policore e ushtarake, atëhere vendi mund të futej në një përplasje civile me pasoja të paparashikueshme…”

Në këto rrethana, kur qeveria ka dështuar në çdo aspekt të qeverisjes së vendit dhe nuk pranon të bëjë asnjë marrëveshje apo asnjë lëshim për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme,  opozita është e prirur dhe përgatitur të konkurojë edhe në kushtet e zgjedhjeve jo tërësisht të lira e të ndershme. Opozita me siguri të plotë do t’i fitojë këto zgjedhje pavarësisht se ato nuk do të jenë të lira e të ndershme dhe Rama do të detyrohet të pranojë fitoren e madhe të opozitës. Nga ana tjetër, nëse Rama do të manipulonte zgjedhjet aq sa të tjetërsonte rezultatin zgjedhor pra të hidhte në erë pritshmërinë e shumicës së shqiptarëve atëhere me shumë gjasa ai ose do të kapej mat duke tjetërsuar rezultatin zgjedhor ose vendi do të destabilizohej. Dhe nëse Ramës i shkon mëndja të përdorë dhunën policore e ushtarake atëhere vendi mund të futej në një përplasje civile me pasoja të paparashikueshme… Pra zgjedhje jo të lira e të ndershme, për shkak të Ramës, thjesht e vetëm me synimin për të tjetërsuar fitoren e madhe të opozitës, do të thotë indirekt vetëm fitore edhe më e madhe e opozitës. Opozita dhe qytetarët duken të vendosur të përballen edhe me të gjithë manipulimet e marifetet e qeverisë dhe ta detyrojnë Ramën të pranojë humbjen, përndryshe ka shumë gjasa që vendi të mund të destabilizohet siç ka ndodhur më parë edhe në vende të tjera…Nuk është as çudi dhe as e pamundur që kjo të ndodhë po të kemi parasysh revoltën e madhe ndaj qeverisjes së Ramës dhe atij vetë, si dhe pritshmërinë e shumicës së qytetarëve për ndryshim.

Përmbledhtas, mund të thuhet se opozita do të mund të siguronte me zgjedhje të lira e të ndershme një fitore shumë të madhe, plebishitare. Por në rrethanat e tentativave perverse të Ramës për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, fitorja e opozitës do të ndodhë në çdo rast dhe do të jetë edhe më e madhe, pavarësisht se Rama përmes manipulimeve mendon e planifikon të rrudhë sadopak dimensionin e fitores, sepse edhe vetë e ka tashmë të qartë se e ka të pamundur të tjetërsojë e përmbysë fitoren e opozitës. Pra thënë ndryshe, opozita do të fitojë thellë zgjedhjet e 25 Prillit, pavarësisht se ato s’do të mund të jenë të lira e të ndershme. Rama do damkoset në 25 Prill 2021, jo vetëm si humbës i madh dhe i vetëm i zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, por edhe si penguesi më i madh i zgjedhjeve të lira e të ndershme të shekullit XXI në Shqipëri! Ndërkohë opozita dhe shumë, shumë qytetarë janë të angazhuar për të ngritur mekanizmin e nevojshëm opozitar e qytetar për mbrojtjen e çdo vote dhe pengimin me çdo mënyrë e mjet të tjetërsimit të votës në çdo qëndër votimi.