Ish-kryegjyqtari me pasuri 3.2 milionë euro

486
Sigal

Një vit më parë ambasada amerikane i refuzoi vizën 3 vjeçare. “Për inatin e Lu-së, Vitin e Ri e kaloj në Londër!”

Nga MAKSIM  TUFA

Një ish-kryegjyqtar në Elbasan, ka një pasuri të patundshme, e cila është afro 3.2 milionë euro. Kjo padyshim do të ishte çmenduri 26 vjet më parë, kur ky kryegjyqtar kishte 2 vjet që kishte nisur punën si hetues në Degën e Punëve të Brendshme, por jo sot. Madje sot ai renditet si “ndër ata që kanë mbi 2 milionë euro pasuri”. Organet e drejtësisë në këtë vend, kanë qenë, janë dhe do të mbeten vatrat e ngrohta të mjaft prej këtij soji, siç është ky ish-kryegjyqtar që edhe pse e ka emrin me rrethin e kuq në ambasadën e SHBA (sepse i ka refuzuar vizën 3 vjeçare vitin e kaluar) sërish mbetet ndër më të “ngarkuarit” me dosje penale dhe civile. Jeta e tij është një luks i paparë, aq sa muajt e fundit ish-kryegjyqtari paguan veç shoferit, edhe dy roje personale, të cilët e shoqërojnë çdo ditë atë nga banesa drejt zyrës dhe anasjelltas. Por jo kaq, ish-kryegjyqtari me një goxha banesë tek zona e ish-Bllokut, ka edhe atje të punësuar një pastruese të përditshme, kuzhinieren, dhe veç një sistemi kamerash, dhe një roje që mbikëqyr gjithçka. Fillimisht duket si ëndërr, apo si nëpër filma me detektivë apo filma aksion, por jo jemi në Shqipëri, jemi në vendin më të varfër dhe ku jeta e njerëzve, të atyre që (nuk) japin drejtësi është më tepër se përrallore, në krahasim me shumicën dërrmuese të popullit, madje edhe me ata ish-pronarë që kanë toka dhe saraje pa fund. Realisht strukturat e shtetit duhet të ishin ndalur me kohë në pasuritë e dyshimta të këtyre njerëzve, të cilët të veshur me mantelin e zi të togave të zeza, kanë shkelur  dhe shkelin mbi ligjin çdo ditë. Ish-kryegjyqtari milioner në euro, është ndër të vetmit që i kthehen vendimet e shkallës Parë nga Apeli Durrësit, dhe sërish ai mbetet  stoik në shkeljen e ligjit, në zhvatjen e parave nga xhepat e qytetarëve. Ai mbetet njeriu i vetëm që në 5-6 vitet e fundit ka nxjerrë “pa lagur” elementë kriminalë që kanë kryer vepra të rënda penale, dhe është pjesëtar aktiv i një rrjeti falsifikatorësh  në strukturat e organeve të drejtësisë  dhe atyre policore. Ai mbetet njeriu që ka damkosur me vulën e zezë organet e drejtësisë prej afro 20 vitesh në Elbasan, duke qenë ndër më të përfolurit dhe ndër më të akuzuarit nga qytetarët, ish-pronarët apo edhe të afërmit e viktimave të krimeve apo aksidenteve. Ai mbetet njeriu më i implikuar në proceset gjyqësore edhe ndaj atyre që kanë vite që kërkojnë drejtësi për rastet fatale të aksidenteve, pasi me shkresa zyrtare të manipuluara dhe falsifikuara, ka arritur të bëhet palë me shkelësit e ligjit, veçanërisht me elitën kriminale të vendit. Të flasësh akoma për këtë njeri, për këtë ish-hetues të Degës së  Brendshme dhe për këtë ish-kryegjyqtar, ndoshta do të indinjosh dhe irritosh edhe më shumë viktimat e tij, ata të cilëve ai ka vite që u rrjep paratë, duke shkelur ligjet dhe duke nxjerrë fitues “të fortët” me të cilët drekon, darkon , fiton dhe flirton. Vetingu, duhet të fshijë sa më parë nga zyrat e organeve të drejtësisë specie të tilla, krijesa të tilla që janë kthyer në brumbuj të pashpirt, duke u  shpërfytyruar jo vetëm profesionalisht, por edhe fizikisht dhe mendërisht. Por “qershia mbi tortë”  e këtij ish-hetuesi, mbetet batuta e tij para pak ditësh mes miqsh tek po komentonin ,jo vetëm Vetingun, (si një rrezik real për sojin e tij),por edhe refuzimin e vizës amerikane, duke u shprehur se “për inatin e Lu-së, Vitin e Ri do ta kaloj në Londër”.  Në ditët e para të janarit do të vazhdojmë të bëjmë publike dokumente dhe foto të  automjeteve familjare, banesave dhe gjyqet e zhvilluara prej tij dhe sa prek tyre janë kthyer nga apeli.