INTERVISTA E PLOTË/ Meta flet për COVID-19: Të bashkohemi për të shpëtuar jetën e qytetarëve

423
Sigal

Në një intervistë ekskluzive për “News24”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e cilësoi të jashtëzakonshme situatën e krijuar nga koronavirusi, ndërsa tha e gjithë politika duhet të bëhet bashkë dhe të reflektojë për përballimin e saj.

INTERVISTA E PLOTE:

Pyetje: Zoti President, Shqipëria ndodhet në një situatë shtetrrethimi për shkak të koronavirusit. Ju si President i Republikës, si i keni parë masat shtrënguese që ka marrë qeveria për situatën? Si e gjykoni reagimin në tërësi të popullatës ndaj këtyre masave shtrënguese?
Presidenti Meta: Është një situatë e jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin tonë. Është një situatë e përgjithshme globale.
Është një situatë e re, me të cilën duhet të mësohemi çdo orë e më shumë, për të nxjerrë përvojat e reja për ta përballuar me kosto minimale, së pari në interes të mbrojtjes së jetës e të shëndetit të çdo qytetari të vendit tonë, që mund të rrezikohet nga pakujdesia e secilit prej nesh. Pra të çdo qytetari, të çdo familjari, e cilitdo që është në kontakte e në marrëdhënie të vazhdueshme në familje, në mjediset e punës apo kudo që jeton.

Është një situatë e detyrueshme me qëllim për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij virusi ende të panjohur mirë në kuptimin e reagimit apo të vaksinimit për të qenë i mbrojtur prej tij. Në radhë të parë më lejoni të shpreh një mirënjohje për të gjithë personelin mjekësor, për mjekët, për infermierët, sanitarët, por jo vetëm për ata. Për të gjithë që janë në mbështetje të tyre e që janë në kontakt të parë, duke përbërë murin mbrojtës për të gjithë shoqërinë tonë ndaj kësaj pandemie.

Ndaj dhe vëmendja e parë duhet të shkojë për ta, për mbrojtjen e tyre, sepse kjo kuptohet që do të jetë një betejë e gjatë, që do të zgjasë ende në një kohë të pacaktuar. Dhe së dyti, kujdesi duhet të shkojë për të gjithë ata, të cilët aktualisht janë të identifikuar të prekur nga ky virus, për të bërë gjithçka që ata ta kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre, por edhe të familjarëve të personelit që është në shërbimin e tyre. Padyshim që impakti do të jetë i përgjithshëm edhe në aspektin e ekonomisë, shoqëror, për sa i takon arsimit, sepse kuptohet që jemi në një moment vetëmbrojtjeje, ku kujdesi duhet të jetë maksimal.

Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, duhet të përmirësojmë mekanizmin reagues, parandalues, mbrojtës, në mënyrë që të bëjmë të mundur të funksionojmë edhe si shtet, edhe si shoqëri, edhe si familje, edhe si institucione, por edhe si biznese, sa më mirë që të jetë e mundur pa cenuar kurrë objektivin e parë: Të mbrojmë shëndetin dhe jetën e çdo qytetari shqiptar nga ky virus e nga ky rrezik.

Pyetje: Zoti President, ju jeni nga të parët që keni bërë thirrje për të marrë masa parandaluese ndaj kësaj pandemie, që ishte në ardhje e sipër në Shqipëri. Ndërkohë keni ngritur një Task-Force me ekspertë dhe me persona, të cilët merren me këtë çështje.

Do të doja të dija: A keni koordinimin me qeverinë, me kryeministrin në këtë aspekt? Dhe a keni komunikuar me faktorë të tjerë politikë apo shoqërorë, me opozitën apo me aktorë të tjerë politikë?
Presidenti Meta: Shqetësimin për këtë çështje unë e kam bërë publik që më 31 janar 2020, kur për herë të parë u identifikuan dy shtetas italianë. Dhe kuptohet se ky do të ishte një rrezik që do të vinte në rritje për arsye sepse përmasat që mori në Kinë, por edhe në vende të tjera, dhe fakti se jetojmë në një epokë të globalizimit, ku jo vetëm të mirat shpërndahen shpejt, por ku edhe rreziqet menjëherë marrin përmasa gjithëpërfshirëse.

Dhe në vazhdimësi kam qenë në komunikime me të gjitha institucionet shtetërore e të qeverisë për të kërkuar marrjen e masave brenda kompetencave të secilit prej tyre, në parandalimin dhe përballimin e këtij fenomeni. Jemi në mënyrë të vazhdueshme në këto komunikime, dhe do të vazhdojmë pasi është prioritare që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në parametrat në të cilët ndodhemi, sepse janë disa faktorë që nuk varen vetëm nga ne, por edhe përsa u takon përshkallëzimeve të ndryshme që mund të vihen re në të ardhmen.

Pra përshkallëzime përsa u takon përballimit të të gjitha skenarëve të zhvillimit të kësaj pandemie, të përmirësimit apo të përkeqësimit, dhe njëkohësisht edhe të skenarëve të tjerë që duhet të ndiqen paralelisht, të situatës ekonomike, sociale, të sipërmarrjes, sepse impakti padyshim që tashmë ka filluar të mos jetë pozitiv. Pra kjo nuk është vetëm për ne. Kjo është edhe për vende e tjera, por natyrisht këtu nuk kemi të bëjmë me një avantazh, po të kemi parasysh që është një situatë kur çdo vend mobilizon resurset e tij për të mbrojtur veten e vet në radhë të parë, pra nuk është si në rastin e një fatkeqësie tërmeti kur të gjithë përpiqen të ndihmojnë atë që goditet.

Megjithatë përvojat e vendeve të tjera: të Kinës, Italisë, që janë goditur më fort e më përpara, duhet të na shërbejnë edhe ne për të ardhmen. Apo të vendeve që kanë arritur të jenë më të mbrojtura në rajonin tonë dhe të na ndihmojnë për të adaptuar masa të reja, edhe parandaluese, edhe përmirësuese të të gjithë mekanizmit reagues të shtetit e të shoqërisë.

Përsa i takon Task-Force-s që ju pyetët, mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim apo dëshirë për spekulim: Task-Forca në Institucionin e Presidentit është në funksion të Presidentit. Pra nuk është se ajo dublon Task-Force-n e Ministrisë së Shëndetësisë, sepse Presidenti i Republikës nuk ka as këshilltarë funksionalë për shëndetin, pavarësisht se këshillohet në mënyrë të vazhdueshme me profesorë të kësaj fushe, nga më të njohurit në vend, por ajo është një Task-Force, e cila ndihmon, për shkak se jemi në një situatë të jashtëzakonshme, për të monitoruar të gjitha zhvillimet, për të komunikuar me institucionet, shqetësimet që vijnë këtu apo që evidentohen nga mediat me qëllim të vetëm përmirësimin e reagimit shtetëror të menaxhimit të kësaj krize, emergjence.

Pyetje: Zoti Presidenti, mbase nuk është koha për një bilanc, sepse ju siç e thatë kjo do të jetë një situatë që do të vazhdojë në mënyrë të pacaktuar. Por unë doja të dija nga këndvështrimi juaj, a janë marr masat e duhura dhe a janë marrë në kohën e duhur ato? E treta dhe më e rëndësishmja, në informacioni tuaj a kemi ne, pra shërbimi ynë spitalor a ka mundësitë për ta përballuar këtë situatë dhe çfarë duhet të bëhet më tepër në këtë aspekt, qoftë siç kërkon Organizata Botërore e Shëndetësisë në rritjen e testeve? Sepse sot kishim një shifër se ka gjashtë mijë telefonata në Urgjencën Kombëtare, ndërkohë që bëhen rreth 40 teste. Pra, nga kjo pikëpamje a kemi mundësitë, kapacitetet për ta përballuar më mirë këtë situatë?
Presidenti Meta: Duhet të kemi parasysh se dhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është se ka patur një vizion të qartë që në fillim për përballimin e kësaj sfide, të cilën dhe ajo me pak vonesë e konsideroi si Pandemi. Në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë udhëzime të ndryshme apo të ndryshueshme në varësi edhe me eksperiencat e reja duke qenë se kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur mirë shkencërisht.

Ajo që mund të them është se të gjithë duhet të jemi bashkëpunues, të gjithë duhet të jemi reflektues, sepse është një eksperiencë e re, që asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar më parë dhe sigurisht që Shqipëria ka patur disa eksperienca të rëndësishme pozitive në të kaluarën në përballimin e SARS-it apo të gripit të derrit apo të disa fenomeneve relativisht të ngjashme.

Megithatë, ajo që dua të theksoj është, e para mbrojtja e personelit shëndetësor është prioritet mbi prioritetet, sepse jo vetëm ata janë të rrezikuar në çdo sekondë për shkak të profesionit dhe për shkak të kontaktit të parë dhe të vazhdueshëm që kanë me të gjithë personat e infektuar, apo potencialisht të infektuar, pra ende të pakonfirmuar apo të paverifikuar. Kjo e theksoj edhe një herë që është prioritet mbi çdo prioritet, se është një betejë që do vazhdojë gjatë dhe ata do të jenë gjithmonë në vijën e parë të kësaj beteje.
Së dyti, padyshim që testimi është mjaft i rëndësishëm dhe marrja e masave për të patur infrastrukturën e duhur është e domosdoshme për të gjithë ata të cilët kanë shqetësime.

Së treti, mbetet prioritet marrja e masave për terapinë intensive për të gjithë ata gjendja e të cilëve mund të rëndohet, sepse këtu bëhet fjalë, jo thjeshtë për t’i shëruar, po për t’i shpëtuar jetën e tyre, dhe në këtë drejtim unë kam marr garancitë edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe ekipi që po merret me këtë çështje që janë marr masat edhe për sa i takon respiratorëve shtesë edhe për sa i takon posteve shtesë për sa i takon reanimacionit, në mënyrë që në çdo rast të jepet ndihma dhe të shpëtohet çdo jetë e çdo qytetari në vendin tonë.

Ndërkohë, padyshim që jam takuar edhe me përfaqësues të opozitës të cilët kanë një qasje kritike, që edhe është normale për sa i takon këtij pozicioni opozitar, ashtu sikurse jam i sigurt që edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë çdo ditë mendojnë se ka vend për përmirësime, sepse është një eksperiencë e re. Dhe disa nga shqetësimet e tyre ua kam transmetuar edhe përfaqësuesve të qeverisë, dhe është e rëndësishme thellimi i procesit të bashkëpunimit në përballimin e kësaj sfide në interes të përmirësimit të masave parandaluese dhe njëkohësisht të qetësimit, të ruajtjes së një atmosfere sa më pozitive të jetë e mundur në shoqëri në përgjithësi, në familjet tona kudo, sepse paniku në çdo rast nuk është një aleat i mirë, përkundrazi është një kundërshtar që mund të jetë dhe i pamëshirshëm në momente të caktuara. Të gjithë duhet të punojmë për të dhënë këto mesazhe përgjegjshmërie, bashkëpunimi, transparence.

Unë vetë kam bërë testin, për arsye se mora një informacion që kisha qenë në një palestër, ku kishte rezultuar dikush, një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kisha dhënë dorën, kishte qëlluar rastësisht. Unë u informova që kishte rezultuar me koronavirus dhe atëherë ishte detyra ime, jo thjeshtë për të mbrojtur veten time, por edhe bashkëpunëtorët apo për të verifikuar nëse unë kisha patur një virus të tillë. Ndërkohë që unë i kisha dhënë dorën më parë dhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje.

Duhet të shprehim mirëkuptimin dhe solidaritetin tonë me të gjithë ata që janë të prekur. Askush nuk duhet të hezitojë, sepse ndoshta ndonjëherë dhe ndjesia jo e këndshme që mund të identifikohesh në publik si bartës i këtij virusi mund t’i çojë njerëzit te frenimi për të bërë testin, për ta pranuar këtë gjë dhe për ta kaluar atë, dhe kjo mund të çojë në pasoja të tjera. Që nga humbja e jetës apo përkeqësimi i shëndetit dhe komplikacionet e ndryshme, që mund ta shoqërojnë për shkak të problemeve të tjera shëndetësore që mund të ketë kushdo. Por, edhe deri te rrezikimi i jetës së familjarëve, të gjyshërve, të fëmijëve dhe njerëzve tanë më të dashur.

Pyetje: Sigurisht meqë dhatë shembullin personal dolët negativ apo jo?
Presidenti Meta: Po, ishte kontroll i dyfishtë sepse, theksoj edhe njëherë secili nga ne nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por duhet të mendojë dhe për të gjithë te tjerët duhet të jemi shumë të vëmendshëm në të gjithë këtë histori. Padyshim për gjyshërit tanë, për prindërit tanë, që mund të jenë më të rrezikuar edhe për shkak të moshës dhe për shkak të komplikacioneve, sepse kjo është edhe stinë virozash në tërësi, por edhe për fëmijët dhe për të rinjtë se po dalin statistikat të reja që tregojnë se edhe ata janë të kërcënueshëm dhe të rrezikuar.

Pyetje: E gjithë kjo situatë dhe gjendje e vështirë që ju thoni, ka dhe një impakt në ekonominë e vendit apo jo. Opozita në përgjithësi, por edhe faktorë të tjerë të biznesit i kanë kërkuar qeverisë që të kenë një plan shpëtimi ekonomik në këtë rast. Kryeministri ka premtuar që kjo do të ndodhë, po ju si e gjykoni këtë aspekt? Sepse kemi dhe qasje të tjera në Europë, si për shembull Kryeministri britanik thotë që nuk e sakrifikon ekonominë e vendit të tij, por thjesht u sugjeron qytetarëve të shmangin pub-et ose grumbullimin në më shumë se 50 veta.
Presidenti Meta: E theksova dhe më parë që në vende të ndryshme kemi qasje të ndryshme. Megjithatë, për ne prioriteti i parë është ruajtja e shëndetit të çdo qytetari dhe kjo fillon nga secili prej nesh si qytetar. Së dyti, e theksoj është e rëndësishme mbrojtja e personelit të shëndetësisë, të të gjitha niveleve, pra mjekë, infermierë, sanitarë, shofer, të gjithë që janë në vijën e parë të kësaj infrastrukture, të këtij muri mbrojtës për të gjithë shoqërinë tonë. Së treti, prioritet merr në këtë situatë mbështetja e shëndetësisë dhe ndryshimet edhe në buxhetin e shtetit në radhë të parë për të forcuar të gjithë aksionin në drejtim të mbrojtjes së shëndetit dhe kuptohet do të kërkohen investime shtesë.

Do të kërkohet një qasje tjetër e menaxhimit të kësaj situate dhe infrastrukturës shtesë të domosdoshme, për të cilën nuk duhet të kursehemi dhe absolutisht në varësi dhe nga skenarët e ndryshëm, sepse janë disa skenarë për zhvillimin e kësaj beteje në planin e shëndetit publik, duhet të kemi të gjithë skenarët edhe përsa i takon përballimit të efekteve në ekonomi. Jo vetëm që FMN-ja e bëri të qartë para disa ditësh, që do të kemi efekte ngadalësuese, ndërkohë që më parë efekte të tilla patëm dhe nga tërmeti. Por njëkohësisht të gjithë e ndjejmë që efektet do të jenë në shumë drejtime dhe ne duhet të jemi të përgatitur për disa skenarë, të cilët unë shpresoj dhe besoj, që qeveria do t’i bëjë publik së afërmi dhe për këtë e rëndësishme, dhe besoj të jetë dëgjuar zëri i aktorëve të tjerë ekonomikë në vend që kanë shprehur shqetësimet e tyre legjitime. Kjo është një krizë, është një emergjencë, të cilën do ta përballojmë të gjithë bashkë dhe mënyra më e mirë, por edhe e vetmja, është transparenca dhe bashkëpunimi.

Vende të ndryshme kanë qasje të ndryshme, kanë edhe mundësi të ndryshme. Ne duhet ta kuptojmë që me këtë rast do të na duhet të marrim më shumë përgjegjësi vetë në përballimin e kësaj situate, pasi një nga partnerët tanë kryesorë, siç është Italia, është mjaft e goditur, është mjaft e rrezikuar dhe kjo për ne ka, jo vetëm rrezikun e ndikimit të përhapjes së këtij virusi për shkak të lidhjeve të shumta që ne kemi me Italinë, por edhe në planin ekonomik të mos harrojmë që shumica e eksporteve tona shkon drejt këtij vendi, ekonomia e të cilit gjithashtu ka marrë një goditje shumë të rëndë në këto javë.

Pyetje: Zoti President, ditët e fundit për shkak të mbylljes së detyruar të kufijve, ka pasur shqetësime nga shqiptarë të ndryshëm, të cilët kanë hasur vështirësi për t’u kthyer në atdhe. A keni një informacion për këtë pjesë dhe çfarë mund të bëhet për ta?
Presidenti Meta: Ne kemi marrë vazhdimisht shqetësime në këtë drejtim dhe kemi bërë edhe komunikimet tona me institucionet këtu për të evituar disa raste të cilat mund të lehtësonin moslëvizjen e tyre ndoshta të panevojshme apo për disa arsye në këtë situatë.
Megjithatë, duhet të kemi parasysh që duhet të jemi pranë çdo qytetari të vendit tonë, i cili dëshiron të vijë në vendin tonë, sidomos të atyre që janë rezidentë në Shqipëri. Duhet të gjejë mënyrën e duhur në mënyrë që kjo gjë të jetë e kontrolluar, të jetë e menaxhueshme dhe sigurisht ata t’i nënshtrohen edhe një karantine të plotë dhe të sigurt.

Në këtë drejtim sot jam informuar që në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, të Konvaleshenca janë krijuar të gjitha kushtet për të patur një karantinë sa më funksionale për të gjithë ata që do ta kenë të domosdoshme që ta realizojnë këtë detyrim. Ndërkohë do të ndiqen besoj të gjitha hapat për t’iu përshtatur kësaj situate në të gjitha dimensionet që ajo do të shfaqet, kur nuk varet nga ne. Sepse ka edhe faktorë që nuk varen plotësisht nga ne. Nga ne varet që gjithsecili të jetë i kujdesshëm në të gjitha sjelljet e tij, në veprimet e tij dh të respektojë të gjitha ato këshilla dhe instruksione të cilat janë në mjetet e informimit publik në mënyrë të vazhdueshme.

Pyetje: Faleminderit zoti President!
Presidenti Meta: Ishte kënaqësia ime për të dhënë këtë intervistë me ju pavarësisht nga tema, që nuk është shumë e këndshme, por sigurisht që është një sfidë dhe unë besoj që të bashkuar dhe të përgjegjshëm për njëri-tjetrin, për familjet tona, për shoqërinë tonë, për të ardhmen tonë ne do ta përballojmë këtë.