Maqedonia përballë sfidave të reja

533
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë ripohoi angazhimin e qeverisë së saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke thënë në një intervistë se qeveria e re e kupton plotësisht se suksesi apo dështimi është në duart e veta. “Askush nuk do t’ia sjellë atë”, tha ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, për shërbimin maqedonas të “Zërit të Amerikës”. “Ne duhet të punojmë drejt kësaj, të jemi të përgjegjshëm për progresin dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare nuk do të vonojë”, tha ajo. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev që filloi nga detyra më 31 maj, e ka vënë përparësinë kryesore te reformat që synojnë përgatitjen e Maqedonisë për integrimin në komunitetin euroatlantik. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të punuar me qeverinë e re dhe kabineti i Zaev është përgjigjur me një agjendë ku renditen përparësitë konkrete të reformës. Në të njëjtën kohë, ka nisur një shtysë e re për të zgjidhur mosmarrëveshjen e vjetër me Greqinë, e cila kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO për sa kohë që ajo ndan emrin e një province fqinje greke. Në ish-republikën jugosllave jeta politike përgjithësisht është stabilizuar, nga tre muaj më parë, kur mbështetësit e qeverisë së mëparshme konservatore sulmuan parlamentin për të penguar transferimin e pushtetit te Partia Social Demokratike e Zaevit. Gjatë incidentit, vetë Shekerinska u sulmua brutalisht para kamerave, por ajo tha në intervistë se qeveria e saj po e hedh vështrimin drejt së ardhmes e jo në të kaluarën. “Ne duhet të kompensojmë kohën e humbur gjatë mandatit të udhëheqjes së mëparshme. Nuk mund të presim që dikush tjetër të jetë më ambicioz dhe më i interesuar sesa vetë Maqedonia që ajo të bëhet anëtare e NATO-s”, tha ministrja e Mbrojtjes. Ministrja e pranon se do të duhet kohë, por thotë se qeveria e re është e vendosur të bëhet një partnere në luftën kundër kërcënimeve globale të sotme.
Sigal