Intervista e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për emisionin “Zonë e Lirë”

500
Protesta e opozites, Reforma ne drejtesi, darka me Ramen, SHBA, BE, zgjedhjet e 18 Qershorit,koalicionet..
Gojët e liga thonë se në darkën e pak ditëve më parë në një moment të caktuar u duk sikur “ia ngec antipastën në fyt” Edi Ramës, pasi i pohove se ke pranuar disa nga kërkesat e opozitës dhe mbi të gjitha nuk je kundër versionit të qeverisë teknike që kërkon opozita. A ka gjë të vërtet në këtë hipotezë që është hedhur?
Nuk mendoj se ka diçka të vërtetë për arsye sepse ka qenë një shkëmbim mendimesh dhe nuk ka qenë një shqyrtim i kërkesave të opozitës apo të diçka e tillë.
U fol për protestën?
Po, natyrisht që po. Të jetësh afër protestës të mos flasësh kur të gjithë flasin për shkak edhe të mediatizimit apo të një shqetësimi se mos kjo protestë dhe kjo rrugë në të cilën ka hyrë opozita mund të çojë drejtë situatave jo pozitive, natyrisht që ku mund të mos flasësh.
Deri tani zyrtarisht kemi dëgjuar nëpër ekrane dhe media, t’i ke thënë që nuk ke asgjë kundër protestës, përkundrazi, protestat janë normale keni thënë ju dhe ke thënë gjithashtu që pa opozitën nuk do të kishte kuptim kur të pyetën për opozitën. Pra jemi për dialog me opozitën. Pra çfarë ke dashur të thuash me këtë, je për dialog me opozitën edhe tani që nuk është një parlament?
E theksoj edhe një herë, pa opozitën nuk ka realisht parlament sepse qeveria apo mazhoranca ka edhe parlamentin ka edhe qeverinë. Opozita ka parlamentin, mund të ketë edhe sheshin. Do me thënë që proteston. Përsa i takon dialogut nuk mendojë se dialogu është i pa mundur edhe jashtë parlamentit. Aq më tepër kur qëllon për rastësi që kryetari i opozitës nuk është anëtari i parlamentit, por kryesorja është vullneti për dialog dhe kërkesat të mundshme, të realizueshme, praktike të cilat e zgjidhin problemet që ne kemi si vend, si shtet.
Pra ti nuk i thua jo dhe një dialogu dhe një nisje dialogu me opozitën jashtë parlamentit?
Kjo nuk është kryesorja. Rëndësi ka vullneti për dialog dhe vullneti për të gjetur zgjedhje të mira. Opozita jashtë parlamentit është pa sens. Sepse këto zgjedhje janë të organizuara nga qeveria e PD, pra zgjedhjet që kanë përcaktuar këtë parlament, janë zgjedhje të pranuara nga të gjithë. Ky është një parlament legjitim, pavarësisht nga problemet, nga shqetësimet e ndryshme apo nga ndonjë anomali në funksionimin e tij gjatë këtyre tre viteve, dhe nuk ka asnjë arsye përse të mos zhvillohet dialogu në parlament. Ose përse të mos kemi dy procese, që parlamenti të vijojë normalisht punimet e tij sipas kalendarit, por edhe protesta mund të vijojë. Po nuk është kjo kryesorja. Edhe një dialog për çështjet e opozitës mund të zhvillohen.
Gojët e liga thonë se së shpejti pritet që të ketë një darkë midis teje dhe Lulzim Bashës. A është e vërtetë?
Tani z. Basha ka qenë gjithmonë i mirëpritur nga unë si Kryetar i Kuvendit, dhe ju e dini që ai ka ardhur dhe unë e kam ftuar përpara konsensusit për reformën në drejtësi, edhe ditën që u arrit konsensusi.
Nuk është më tabu?
Nuk është më tabu sepse ne jemi takuar tek “Rogner”. Në çdo moment. S’ka se si të them që nuk e takojë kryetarin e opozitës. Jo vetëm me kryetarin e opozitës, por me kryetarin e një partie opozitare që nuk është në parlament. Është një detyrim, është një respekt.
Gojët e ligja thonë se Edi Rama të ka ofruar dyfishin e numrit të deputetëve që të bashkëjetoni në harmoni me njëri tjetrin në 4-vjeçarin që vijnë. Sa qëndron ky skenar?
Ky nuk qëndron as në drejtim të ofrimit, por në radhë të parë nuk qëndron as në drejtimin të ndonjë kërkese apo të ndonjë pretendimi të tillë. Dhe duhet të kemi parasysh që LSI gjithmonë ka marrë votat e sajë edhe kur ka qenë jashtë koalicioneve edhe kur ka qenë brenda koalicioneve sepse shqiptarët me këtë sistem kanë një votë dhe atë votë e japin për partinë kudo ku ajo është.
Gojët e liga thonë që i ke propozuar Edi Ramës që mund të jesh ti në rast të një krize të vërtetë, kryeministër, pas zgjedhjeve të ardhshme për të mirën e vendin tani që po mbaron edhe “era e Merkelit” në Gjermani pasi Martin Shultz është po kryeson në sondazhet në Gjermani i cili është kandidat kryesor tashmë përball Merkelit?
Nuk kam ndërmend të përfshihem me fushatën e Gjermanisë dhe askund. Të zgjidhim këto problemet tona një herë pastaj të merremi me hallet e Gjermanisë dhe të partnerëve të tjerë. Këtu është e rëndësishme të kuptojmë që jemi të përqendruar në disa çështje më të rëndësishme. S’kemi përfunduar ende reformën zgjedhore.
A shprehu gjatë darkës me ju Kryeministri Rama ndonjë lloj shqetësimi për shkak të të mos qenit më i preferuari i Kancelares Merkel, përforcuar ky fakt edhe nga deklaratat e ambasadorit të OSBE-së, z. Boschartd?
Nuk kemi diskutuar për çështjet e Gjermanisë. Unë preferoj të hyjmë më mirë te këto temat tona të brendshme.
Sot, kryeministri Rama, në një gazetë britanike shumë të njohur, “Telegraph”, thoshte se nëse administrata e Trumpit në Amerikë heq dorë dhe braktis Ballkanin, atëherë rrezikoni nga influenca ruse…
Së pari, s’jam në asnjë garë, as me z. Rama e as me ju për të kapur apo për të bërë ndonjë lajm. E di që ju shpesh herë jeni qortues ndaj meje ngaqë unë nuk synoj të bëj “scoop-e”. Unë nuk e kam lexuar, sepse s’kam pasur mundësi ta lexoj. Komentin e kam të thjeshtë: Së pari, ne të mos braktisim Shqipërine. Kjo është kryesorja: Të përqendrohemi te zgjedhjet e problemeve që ndihmojnë shqiptarët dhe shqiptarët te mos e braktisin Shqipërinë. Të përqendrohemi te problemet tona, kjo është shumë e rëndësishme. Të tregojmë një bashkëpunim dhe një përgjegjshmëri dhe unitet të brendshëm për çeshtjet madhore të shtetit dhe të kombit, pastaj do të na respektojnë të gjithë bashkë, rusë dhe amerikanë, Kina, etj. Në momentin që ne jemi kaq të ndarë e të polarizuar me njëri-tjetrin, jemi të dobët, jemi gjithnjë e më të bezdisshëm për të tjerët dhe më të parespektueshëm. Nuk ka rëndësi a janë amerikanë, rusë e kështu me radhë. Sa i takon kësaj çështjes së Trumpit, nuk besoj se ka ndonjë ndryshim nga administrata e presidentit të ri të SHBA-ve përsa u takon çështjeve kryesore në Ballkan. Ajo që na intereson më shumë: çështja e Kosovës, besoj deklaratat kanë qenë shumë të qarta edhe nga Sekretari i ri i Mbrojtjes, edhe nga takimi i fundit i NATO-s ku ai mori pjesë, edhe nga Konferenca e Mynihut ku ishte Zv.Presidenti i SHBA-ve, Mike Pence dhe disa personalitete të tjera. Në këtë drejtim padyshim edhe për Shqipërinë asgjë nuk ka ndryshuar, për më tepër që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe anëtare në një rajon delikat ku SHBA-të kanë interes për të pasur një partner të qëndrueshëm.
Për çfarë e thotë z. Rama këtë gjë, përderisa ju mendoni që amerikanët kanë influencë këtu dhe nuk do ta lëshojnë Ballkanin? 
Kjo është një pyetje që mund t’ia bëni Kryeministrit. 
Ai po tenton që të mos thjesht një lider lokal, z. Rama flet për Ballkanin që rrezikon të kapet nga rusët nëse largohen amerikanët…
Të qetësojmë situatën këtu, të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin për të garantuar një dialog normal edhe në Parlament, edhe jashtë Parlamentit, por në interes të vazhdimit të punës së Parlamentit, të axhendës së tij. Të përmbyllim reformën zgjedhore që të bëjmë pas 26 vitesh zgjedhje të padiskutueshme në këtë vend.
Sikur nuk ka kohë tani për reformën zgjedhore?
Të bëjmë atë që mund të bëhen në mënyrë që njerëzit të shkojnë të qetë dhe të votojnë të lirë, që Shqipëria të jetë një vend normal, sepse nëse në ditën e zgjedhjeve Shqiëpri do të dalë në ekranet e “Euronews” apo CNN si vend me probleme në zgjedhje, të jeni të sigurt se as amerikanët, as rusët askush tjetër nuk do të ketë ndonjë interes kaq të madh për këtë vend. Kjo ka shumë rëndësi po të kemi parasysh që stabiliteti i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Kosovës, për stabilitetin e Maqedonisë, stabilitetin e Malit të Zi, etj.
A duhemi të trembemi ne nga një influence ruse këtu? 
Le ta marrim të mirëqenë që kjo që thotë z. Rama mund të jetë e vërtetë një ditë. A duhet të trembemi ne nga rusët?
Së pari, unë nuk mendoj që është ky një problem që shtrohet për diskutim për arsye se ne jemi një vend anëtar i NATO-s, jemi një vend kandidat për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian dhe me shpresën që mund të çelim negociatat për anëtarësim. 
Ne nuk jemi një vend anti-rus, kemi disa dallime të rëndësishme për disa çështje të cilat janë të qarta, edhe në të kaluarën, edhe aktualisht për çështjen e Kosovës apo për çështje të tjera. Mendoj që ky është problemi kryesor, aq më tepër që administrata e re amerikane flet për të bashkëpunuar me Rusinë për disa çështje madhore, siç është lufta kundër terrorizmit dhe zgjidhja e disa konflikteve të tjera që kanë krijuar probleme dhe për Evropën dhe për vendet e NATO-s në Evropë.
Z. Rama pati një drekë me Erdoganin, ku thuhet se është diskutuar për afrimin e tij me Trump. A mendon se Edi Rama po fuqizohet nga dita-ditës në politikën e jashtme, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë?
Në çdo rast, ne nuk kemi asnjë gjë më të rëndësishme sesa të merremi me Shqipërinë. Ka një thënie të hershme që politika në radhë të parë është lokale, pastaj është rajonale dhe globale. Takimi me Erdoganin është një gjë shumë normale.
Po duket sikur Ali Ahmeti do të bëjë koalicion me Zaevin dhe jo me Ali -Gruevskin…
Për ne kjo nuk ka asnjë rëndësi. Për ne është e rëndësishme që ky koalicion të garantojë stabilitetin e Maqedonisë. Për ne stabiliteti i Maqedonisë është stabiliteti ynë. Mungesa e stabilitetit në Maqedoni krijon probleme për të gjithë dhe e dyta është që të garantojë të drejtat e shqiptarëve sipas platformës së partive shqiptare.
Thonë që i propozuat Edi Ramës që t’ia plotësoni disa kërkesa opozitës. Një nga gjërat që i ke thënë Edi Ramës në atë darkë në Kryeministri, thonë se i ke thënë “japim dorëheqjen që të dy, dhe pastaj futemi së bashku në zgjedhje ku e kemi të sigurt fitoren”. Sa qëndron ky skenar?
Nuk kemi diskutuar për ndonjë skenar të tillë.
Gojët e ligja thonë se ju i keni thënë tekstualisht Edi Ramës atë darkë në Kryeministri: Më jep kryetarin e KQZ dhe të dal në opozitë që tani, t’ia “ngec në fyt” Bashës meqë Basha na ngeci në fyt darkën.
Asnjëherë në botë!
Gojët e liga thonë se duke ngrënë ëmbëlsirën i ke bërë Ramës një propozim të ëmbël, i ke thënë “bashkohemi në një konfederatë PS-LSI, ti vazhdo Kryeministër, unë kryetari i konfederatës”, sa qëndron ky variant?
Nuk ka fjalë më të papërshtatshme se sa konfederatat.
Gojët e liga thonë se i ke vendosur dy kushte Edi Ramës, “largo Shpëtim Idrizin nga koalicioni dhe rimerr Dulen prapë”, i cili tani është te Basha…
Ne kemi filozofinë integrimin, jo përjashtimin.
Gojët e liga thonë se Edi Rama me qetësi dhe me dashuri të tha se për aq kohë sa të ketë Ambasadorin amerikan Donald Lu pas vetes, do t’i bindi disa deputetë të opozitës ta votojnë Vetting-un për interesat e kombit. A është e vërtetë?
Nuk është e vërtetë.
Gjithë pjesa që konsumon politikë në këtë vend dhe ata që e përfaqësojnë ku hyjnë edhe gazetarët seriozë, thonë që në fakt je më afër se kurrë postit të Presidentit të Shqipërisë që normalisht, teorikisht, zyrtarisht duhet të jetë në prill, por kur i bie se mund të shtyhet pas zgjedhje?
Këtë gjë e mohoj. Kamë thënë që unë jam kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kam marrë një mandat për të drejtuar këtë lëvizje dhe natyrisht nuk mund t’i shmangem kësaj përgjegjësie. Por çështja e Presidentit dhe gjithë kjo klimë që ne kemi hyrë aktualisht ku po krijohen shumë probleme në njësi kohe shumë më të shkurtër duke pasur parasysh kapacitetet tejet konfliktuale të politikës sonë. Mendoj që Shqipëria ka njerëz, ka burra, ka gra, ka politikanë me integritet që mund ta bëjnë atë punë shumë mirë dhe nuk ka fare asnjë lidhje me mua çështja e Presidentit. Dhe ajo që unë theksoj në këtë moment kur ngrihet problemi që s’kemi mbaruar reformën zgjedhore, dhe ngrihet problemi i zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme që edhe ky proces të zhvillohet në një normalitet dhe në një atmosferë konstruktive, sepse po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe shpresojmë të normalizojmë këtë situatë të pakëndshme që është krijuar, por duhet të shkojmë duke arritur të bëjmë një zgjedhje dinjitoze të përgjegjshme, të Presidentit, në mënyrë që Presidenti si institucion – nuk ka rëndësi emri që do të jetë i presidentit të ri që do të zgjidhet nga ky parlament…
Ka rëndësi politike emri?
Nuk e shikoj si diçka që ka të bëj me përfaqësim politike, por e shikoj si institucion. Nuk ka rëndësi se çfarë do të jetë. Duhet të jetë një njeri që të gëzojë respektin e të gjithë palëve dhe njëkohësisht të jetë një faktor pozitiv për zhvillimet që kemi përpara.
Kur thoni gjithë palët, duhet të bini dakord edhe Rama, edhe Basha edhe ju?
Nuk thashë se duhet rënë dakord, sepse mund të mos biem dakord. Por duhet të zhvillohet në një proces normal demokratik, sepse nuk duhet të shkojmë në një situatë ku të kontestohet çdo institucion në vend.
Nuk është punë kontestimi, pasi ajo është me pesë raunde…
Ka shumë rëndësi klima në të cilën do të zgjidhet.
Klima nuk është se është aq shumë e ndritur
Po se nuk është e ndritur jemi të shqetësuar apo nuk je i shqetësuar.?
Unë nuk jam i shqetësuar akoma, pasi shoh që ka paqe deri tani, nuk po dëgjoj krisma…
Ju doni që të dëgjoni krisma që të shqetësoheni për paqen ?Paqja duhet forcuar çdo ditë. Kur janë partitë në krye të proceseve, përplasjet nuk janë pozitive.
Më the presidentin dhe kjo u dëgjua nga të gjithë njerëzit, nuk do të jesh ti, the që unë do ta refuzoj këtë post…?
E para, nuk është se ma ka propozuar njeri, por nuk e synoj këtë gjë dhe e kam përjashtuar. Sepse duket sikur ma kanë propozuar, por kjo është një gjë që e kam përjashtuar.
Po që të jetë një njeri nga LSI jeni dakord?
Nuk është e rëndësishme kjo.
Nuk e refuzon që të vihet një tjetër nga LSI?
As nuk e refuzoj, as nuk e kërkoj. Nuk është ky problemi, nëse është nga LSI, PS apo nga ndonjë parti tjetër. Rëndësi ka procesi. Problem mbetet, sepse ti Presidentin e shikon si një manovër të karakterit të pushtetit.
Unë e shoh si alibi presidentin, pasi presidenti…
Palët se ku janë atë e ka 18 qershori. Presidenti është një moment serioziteti i yni. Se ku janë palët e tregon vota e qytetarëve. Kjo është. Çështja e presidentit është çështja e seriozitetit tonë për të prodhuar një institucion si presidenti, jo emri, institucion të respektuar.
Pra LSI nuk ka asnjë ambicie për presidentin?
LSI-ja nuk ka asnjë kusht apo asnjë synim që të përdori çështjen e Presidentit në kuadrin e interesave të caktuara të saj, qofshin ato edhe elektorale. LSI ka interes që Presidenti të jetë një institucion, që të na ndihmojë në një klimë sa më konstruktive, sa më stabilizuese për zgjedhjet dhe pas zgjedhjeve.
Pra duhet të jetë konsensual?
Nuk thashë se duhet të jetë konsensual. Duhet të jetë sa më konsensual të jetë e mundur. Ndoshta të gjithë mund të biem dakord, por të thonë që ne nuk e votuam, por ne kemi respekt për atë, ne e pranojmë si institucion, nuk e bojkotojmë.
Sa më konsensual do të thotë nga të gjitha palët?
Po të gjitha, sa më shumë të mundemi. Edhe nga pala parlamentare edhe nga opinioni. Në mungesë të sondazheve, opinionin nuk e sondojmë dot.
Si e zgjidhim? 
Duhet të ketë disa karakteristika që të jetë sa më dinjitoz, sa më serioz, sa më i përgjegjshëm, sa më bashkëpunues.
Por nëse njëra nga palët në parlament kundërshton?
Nëse dikush ka për qëllim vetëm të kundërshtojë është çështje e tij. Rëndësi ka që ata që do të votojnë të jenë të bindur, që po bëjnë një zgjidhje të mirë për Shqipërinë.
Pse nuk po i përgjigjeni z. Rama për fatin e koalicionit? Ju nuk keni firmosur ende… 
Kemi punë tjera më të rëndësishme.
Paska gjëra më të rëndësishme se koalicioni?
Po. Koalicioni është një interes i LSI-së dhe i PS-së. Këtu ka disa interesa më të mëdha. Koalicioni funksionon.
Kontrata e koalicionit i mbaron në 1 prill, LSI-ja s’ka vendosur ç’do të bëjë? 
Mos u shqetëso! Ne jemi në një koalicion, vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm. Vazhdojmë të përmbushim detyrimet ndaj këtij koalicioni. Jemi në koalicion me Partinë Socialiste, për vendimet e ardhshme nuk vendos dot unë. Për fatin tënd të keq ti do të doje të bëje një super-lajm. “Një President konsensual nga të gjithë” mjafton për sot.
A do ta votojë Parlamenti i ri Presidentin e ri të Republikës? 
Kjo është çështje procedurale, por në çdo rast Presidentin e voton ky parlament. Parlamenti i ri fillon në shtator. Presidenti do të zgjidhet nga ky parlament.
Po nëse Opozita, e përfaqësuar nga Lulzim Basha, nuk vjen në Parlament?
Nuk mund të parashikoj zhvillimet. Ne shpresojmë që opozita shumë shpejt të kthehet në Parlament, mundësisht që javën e ardhshme.
Të tërhiqet? 
Të kthehet në Parlament e të vazhdojë dialogun për çështjet që mendon se mund të zgjidhen.
Pra, opozita të bëjë edhe Parlamentin edhe protestën?
Mendoj që të dyja mund të bëhen.
Po në komisionet e Vetting-ut të shkojë? 
Patjetër, janë pjesë e axhendës së Parlamentit. 
Z. Basha pretendon që janë ndryshuar…
Le të vijë t’i diskutojmë në Parlament çfarë kanë ndryshuar e çfarë jo. Këto çështje, në kuptimin e mirë të fjalës, nuk diskutohen te çadra. Këto janë çështje konkrete, ligjore, kushtetuese dhe diskutohen në Parlament, me maxhorancën, me partnerët ndërkombëtarë.
Ambasadori amerikan, pas takimit të fundit, tha që doli nga një takim i shkëlqyer me ju. Çfarë ndryshimesh kanë ndodhur z. Meta?
Takimet i kemi pasur gjithnjë të shkëlqyera. Kemi pasur gjithnjë marrëdhënie shumë korrekte. Asgjë e jashtëzakonshme s’ka ndodhur. Unë kam patur një raport mjaft konstant, korrekt, bashkëpunues, te qëndrueshëm. Se si i përjetoni ju janë pjesë e krijimtarisë normale të gazetarisë.
Ka mundësi të shtyhen zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit?
Nuk ka sens, nuk ka kuptim dhe nuk shikoj asnjë mundësi se si mund të shtyhen. Ka vetëm një mundësi që të krijojmë një klimë sa më konstruktive që të zhvillohen në normalitet të plotë.
Je dakord që gjithsesi t’i jepet diçka opozitës që ajo të kthehet në Parlament?
Unë mendoj që në të gjitha rastet rruga jonë më e mirë është vazhdimi i axhendës së Parlamentit dhe të vendosjes së një dialogu që adreson disa nga shqetësimet kryesore të opozitës, të cilat krijojnë një klimë sa më garantuese për zgjedhjet e 18 qershorit që të gjithë të jenë të qetë.
Je dakord për një qeveri teknike?
Së pari unë nuk mendoj se kjo çështja e besimit ka të bëjë me zgjidhje ultimative, të njëanshme që vijnë nga një palë. Se pas katër vitesh vjen një palë tjetër që thotë jo unë nuk hyj në zgjedhje po nuk u bë kjo apo ajo. E rëndësishme është që opozita të vijë në Parlament dhe njëkohësisht të vijojë edhe dialogu, bashkë me OSBE-ODIHR-in, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur disa nga çështje që janë të mundshme për tu zgjidhur për zgjedhjet e 18 qershorit. 
Ajo që për mua është e papranueshme për mua është rruga e ultimatumit. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mos sakrifikuar zgjedhjet e 18 qershorit sepse janë shumë rëndësishme. Pa arritur standardet më të larta në këto zgjedhje ne do ta kemi të pamundur hapjen e negociatave. Ashtu sikurse edhe Vetingu dhe zbatimi i reformës në drejtësi është një kusht tjetër. Por edhe mund të krijojmë edhe probleme serioze me legjitimitetin e institucioneve, me funksionimin e tyre. Edhe imazhi do të ishte shumë i keq dhe kjo na bën të gjithëve përgjegjës.
Pyetja ime është e thjeshtë, mjafton të shikosh rastin e deputetëve të Lezhës, atje shohim që janë më duken 5-6 me precedent penalë. Tani nuk dihet akoma nëse do t’i hiqet mandati këtij të fundit që është. Përveç opinionit të përgjithshëm, tani paskemi dhe prova që vetëm në Lezhë janë 6 deputetë me precedent penal. Tani ai që pritet të hyjë, thonë që ka probleme. Në qoftë se nuk hyn as ai, i bie që të hyjë një i juaji nga LSI.
Ti ke hallin mos ka edhe ky tjetri probleme…
Ky është një fakt që në një farë mënyre provon mosbesimin e opozitës kushdo qoftë ajo për të hyrë në një palë zgjedhje si këto?
Dua t’ju kujtoj që edhe unë, edhe LSI, pra edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe si kryetar i LSI-së, e kemi mbështetur që në fillim dekriminalizimin dhe e mbështesim deri në fund me çdo lloj kosto që mund të jetë kjo edhe për LSI. Pra, ai legjislacion që ne kemi miratuar, që është legjislacion i fortë, duhet zbatuar pikë për pikë dhe ajo që është më e rëndësishme është që të gjithë forcat politike për zgjedhjet e 18 qershorit duhet të tregojnë përgjegjshmëri maksimale në paraqitjen e kandidatëve në mënyrë që të mos e cenojnë besimin e qytetarëve te politika dhe të heqin dorë nga këto mënyra dhe forca të cilat e minojnë besimin te politika dhe krijojnë ngjarje të papëlqyeshme.
Jeni shumë i qartë ndaj po të pyes, duke thënë këtë a e legjitimon të paktën ti dyshimin dhe kauzën e opozitës?
Dekriminalizimi ka lindur si një kauzë e opozitës…
Për protestën sepse Basha ka thënë sepse ne s’mund të hyjmë në zgjedhje pasi nuk mund të shkojmë në thertore me këmbët tona, do të ketë luftë etj., etj. Pra nisur nga disa gjëra, nuk është se e kanë shpikur këtë histori. Ju vetë e legjitimoni këtë lloj shqetësimi dhe makth të opozitës?
Ne dekriminalizimin e kemi legjitimuar që kur kemi miratuar legjislacionin. U kërkua nga BE, nga SHBA, është një proces i detyrueshëm. Duhet të ecet sa më shpejt, jo vetëm me këtë, por edhe duhet të përgatitemi për listat e reja të cilat gjithashtu…
Pra i jep të drejtë kauzës së opozitës?
Dekriminalizimin e kemi mbështetur dhe e mbështesim
Kauzën për protestën që nuk do të hyjmë në zgjedhje nëse nuk na garantohen zgjedhjet të drejta dhe të ndershme…
Kjo është një çështje që meriton dialog. Mund të ishin zgjidhur shumë çështje kohë më përpara në komisionin e reformës zgjedhore. Opozita mund të kishte insistuar dhe të kishte kontribuar që të mblidhej në komision më parë.
E ka bërë atë gjë opozita, por e ka shtyrë mazhoranca…
Mund të kishte insistuar më shumë. Mund ta kishte çadrën e komisionit të reformës zgjedhore, që para një viti.
Pra, ju thoni që kjo protestë duhet të ishte bërë më parë?
Nuk po them protestë, por insistimi duhet të kishte qenë më i fortë kohë më parë për t’i dhënë një zgjidhje kërkesave praktike të opozitës mendoj unë. Fakti që jemi tani nuk do të thotë që nuk duhen marrë në konsideratë. Por koha që po na ngushtohet dhe shumë ngjarje që normalisht priten të zhvillohen na vënë pak vështirësi, por duhet të na rrisin përgjegjësinë më shumë për t’i menaxhuar me shumë mençuri dhe përgjegjshmëri këto situata.
Më thuaj një gjë me dy fjalë, Edi Rama u takua me deputetët e PDIU-së, me Shpëtim Idrizin, në të njëjtën ditë kur Berisha shkoi takoi Kreshnik Spahiun brenda tek çadra. Cilat prej dy forcave nacionaliste do të përzgjidhte Meta në koalicion, AK apo PDIU?
Është një pyetje të cilës nuk kam dëshirë t’i përgjigjem. Mendoj që forcat më patriotike në Shqipëri janë ato që punojnë për stabilitetin dhe forcimin e institucioneve në vend. Pra duhet t’i lëmë ngjyrimet e tjera se çdo parti…
Pra, Kreshnik Spahiun nuk e zgjodhe, por as Shpëtim Idrizin?
Këtë e thoni ju, nuk e thash unë. Nuk i përgjigjem kësaj pyetje. Mënyrën se si kompozohet më duket pa kuptim.
Shtatë janë çështjet e pazgjidhura në koalicionin PS-LSI. Reforma në drejtësi dhe bordi i ONM-së, Reforma Zgjedhore, importi i mbetjeve, kanabisi dhe siguria e vendit, dekriminalizimi dhe ligj i koncesioneve.
Tani meqë jemi te kanabisi, mua më vijnë pyetje pa fund dhe më bëri përshtypje një pyetje që më thonë se nëse është dakord Meta me idenë e Monika Kryemadhi se shafrani në vend të hashashit?
Për shafranin mund të ftosh Monikën. Jo, se nuk ja kam idenë, por kam një informacion. Por nuk jam dakord me Monikën. Pra shafran-hashash. Hashashi në asnjë mënyrë…
Atë thotë Monika, boll me hashash por me shafran…
Jo vetëm shafran, por çdo zgjidhje tjetër, sepse hashashi, kanabisi, droga janë një fatkeqësi e madhe për vendin.
E patë atë të anti-mafias që erdhi nga Italia? 
Është trefishuar mbjella..Nëse është trefishuar mbjellja, duhet dhjetëfishuar bashkëpunimi midis agjencive italiane dhe atyre shqiptare sipas mendimit tim.
Pse kërkoni t’ia hiqni edhe këtë mënyrë për të jetuar shqiptarët? Pse nuk i lini të mbjellin pak bimë, çfarë ka?
Nëse na jep leje BE dhe Amerika, ta legalizojmë. Nuk është kjo çështja. Çështja është se nuk është problemi thjeshtë se po mbillet diku në një fshat. Problemi është se këtu kemi të bëjmë me një sistem, i cili është mjaft problematik sepse e para nuk është zgjidhje, përkundrazi dhe po shkatërron edhe bujqësinë, edhe biznesin, edhe fabrikat. 
Njerëzit ikin sepse për pesë dite ai shkon diku dhe merr aq sa mund të marrë në fabrikë për një muaj. Mbi të gjitha është problem i rritjes dhe fuqizimit të grupeve kriminale, nuk është problemi thjesht i fshatareve dhe i punëtorëve. Vetë hashashi, që unë nuk e kam parë nga afër një bimë të tillë, ka, përveç të tjerave, edhe probleme të mëdha shëndetësore. Kështu që është një problem, një fatkeqësi që duhet çrrënjosur sa më shpejt. E në qoftë se prokurori italian thotë se është trefishuar, unë i them prokurorit italian, të gjithë prokurorëve dhe policëve italiane të dhjetëfishohet bashkëpunimi, në mënyrë që fenomeni të goditet.
Të mbyllet si biznes fare?
Është biznes kriminal. Kuptohet, është një organizim midis grupeve te caktuara kriminale.
Mund të lexoj disa mesazhe……
Nëse do të kishim senat, më thotë dikush, Meta do të meritonte të ishte senator përjetë. 
Kam një javë kam ardhur në Shqipëri, thotë dikush tjetër, dëgjoj vetëm për blerje votash. 
Meta duhet të bëjë diçka ta shpëtojë demokracinë dhe votën e lirë në këtë vend…
Për fat të keq unë them ta mbyllim këtu, sepse ky mesazh është vërtetë mesazh shqetësues. Është shqetësues, jo vetëm çështja e blerjes, që patjetër është e rëndë, por vetë diskutimi i një procesi zgjedhor është një gjë shumë serioze për një vend demokratik, për një vend në NATO, për një vend që kërkon të hyjë në BE.
Prandaj kjo kërkon patjetër një zgjidhje, kërkon një përgjegjshmëri maksimale nga të gjithë. Opozita ka të drejtë, por të mos harrojmë që edhe opozita përpara katër vjetësh bëri veprime të papranueshme për sa i takon KQZ-së. Po t’i kthehemi kështu, çdo katër vjet do të shikojmë riciklimin e të njëjtit mosbesim, kështu që është momenti që tani të gjithë bashkë të tregojmë që e duam këtë vend e që duam që fëmijët tanë të jetojnë këtu.
Doni ta mbyllni me “happy end”? 
Kam përshtypjen që do të duhet shumë kohë për një “happy end”.
Edhe një herë, bazuar te mesazhet që më vijnë, le ta saktësojmë mirë: President konsensual apo President me 71 vota? 
Përgjigja ime ishte shumë e qartë. 
Pra, nuk mjaftojnë 71 vota?
71 mund të mjaftojnë, por në qoftë se janë 75 është më mirë. 80 më mirë. Në qoftë se janë 140 është shkëlqyer.
Pra, do të ndjekësh edhe për Presidentin të njëjtën strategji komunikimi publike dhe politike që ndoqe për reformën në drejtësi, apo jo?
Nuk është e njëjta gjë, por filozofia është e njëjtë, sepse Presidenti është një simbol i unitetit kombëtar dhe në çdo rast duhet të jetë një figurë që në çdo moment të jetë një pikë takimi, inkurajimi për dialogun, të jetë një derë e hapur për të gjithë.
Në qoftë se Presidenti është për një palë dhe s’është për palën tjetër, atëherë kemi dështuar me krijimin e besueshmërisë te institucioni, i rëndësishëm për demokracinë dhe për vendin.
Me dhjetëra mesazhe më vijnë që të mos të lodh me Presidentin, thonë që Ilir Meta do të jetë Kryeministër…
Për mua nuk është ky problem. Unë jam shumë i kënaqur që qytetarët shqiptarë më kanë vlerësuar në gjithë këto vite që jam marrë me politikë. Nuk kam asnjë problem personal.
Kam vetëm një problem: Shqipëria në 19 qershor të gdhihet e qetë, njerëzit të vazhdojnë punën të qetë, bizneset të vazhdojnë të qeta. Ky është problemi im. Rëndësi ka që në 18 qershor Shqipëria të jetë e qetë. Por vetëm kaq nuk mjafton, duhet te jete e qete qe tani.
Nëse Lulzim Basha, ose dikush tjetër nga Opozita ju fton te shkosh ne çadër për të biseduar, a do te shkonit?
As nuk kam dëshirë të provokoj Opozitën. Opozita kur të dojë të vijë. Opozita duhet të heqë dorë nga një rrugë pak ultimative dhe të ndjekë të dyja rrugët e saj: edhe rrugën parlamentare, sepse e ka vendin në parlament, dhe axhendën e protestës e të dialogut për çështjen e zgjedhjeve.
Je i qartë nga çfarë duhet të heq dorë opozita, por nga çfarë duhet të heq dorë mazhoranca nuk ma the sepse ti je një njeri i konsensusit?
Mazhoranca gjithnjë duhet të jetë e hapur për të diskutuar çdo gjë racionale të mundshme, të arsyeshme që mund të realizohet.
Ku mund të jetë edhe qeveria e përbashkët?
Nuk mund të flas unë e të them gjëra thjesht se do të bësh ti lajm. Nuk të pëlqyen lajmet e tjera dhe do të bësh një lajm më të fortë.
Unë dua të di lajmin tënd sepse ti je një politikan karriere…
Mendimi im është që çështja e zgjedhjeve në radhë të parë është çështje e vullnetit politik, të palëve për të respektuar qytetarët që të votojnë të lirë larg çdo lloj presioni dhe larg çdo lloj shantazhi dhe aq më tepër keqpërdorimi të institucioneve apo edhe të vetë infrastrukturës së administrimit të zgjedhjeve që ndodh rëndom në Shqipëri.
Pra Ilir Meta ti deri tani je pro apo je kundër që qeveria aktuale e drejtuar nga Edi Rama të fillojë të shoh mundësinë e hyrjen në dialog me opozitën për të zgjidhur çështjet që ajo ka?
Unë mendoj që mundësia e dialogut ka qenë e padiskutueshme që më parë përmes komisionit të reformës zgjedhore. Tani patjetër në çdo rast unë nuk dua dhe nuk e mendojë kurrë që të shkojmë drejt një procesi zgjedhor pa opozitën, por kjo nuk do të thotë që opozita të kërkojë gjëra të paarsyeshme që mund të përbëjnë një precedent negativ për të ardhmen në raport me respektimin e institucioneve.
Sigal