“Infektohet” edhe KESH-i: Jep dy tendera pa garë, 911 mijë euro për internet dhe servis makinash

177
Sigal

Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare ka dhënë dy tendera me mungesë konkurrence. Në dy prokurimet e fundit që kapin vlerën e 911 mijë eurove, pjesëmarrës rezulton vetëm 1 subjekt që më pas është shpallur automatikisht edhe fitues, pa asnjë konkurrent përballë.

Korporata Elektroenegjitike Shqiptare është institucioni i radhës, që jep tendera duke cënuar garë. Në dy prokurimet e fundit me vlerë totale 105 milionë lekë, ose rreth 932 mijë euro KESH i ka dhënë në mungesë të konkurrencës.

Prokurimi i parë që është mbyllur në 15 shkurt, ka si qëllim zëvendësimi i infrastrukturës aktuale me një infrastrukturë, e cila duhet të mundësojë performancë me të mirë në zyrat qendrore të KESH.

Në këtë tender janë parashikuar të shpenzohen 219 mijë euro, ndërsa në të ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve “Infosoft Systems” dhe “Synapse ATS”, të cilët janë shpallur fitues pa garë. Ndërsa kompania fituese ka kërkuar sa 96.5% të vlerës së tenderit për të kryer punën për 4 muaj që nga nënshkrimi i kontratës. Prokurimi i dytë është mbyllur në 6 mars dhe ka si objekt riparimin dhe mirëmbajtjen e makinave të KESH për një periudhë 2 vjeçare. Në prokurimin me vlerë 692 mijë euro ka marrë pjesë vetëm subjekti “Alstezo”, të cilin institucioni që drejtohet nga Ergys Verdho e ka shpallur fitues pa garë. Për më tepër kompania fituese ka kërkuar sa 100% të vlerës së tenderit. Tenderët që kanë probleme me konkurrencën kanë qenë shqetësim i qeverisë si dhe prioritet i SPAK për t’i hetuar, por që mesa duket ende nuk ka asnjë rezultat.