Imuniteti i deputetëve në dorën e Ristanit

558
Sigal

Imuniteti/ Diskutim maratonë në Kuvend. PS deklarohet kundër. Berisha kërkon referendum popullor. Orë pas ore me debatin

Ashtu sikurse ishte parashikuar, dje dështoi seanca e posaçme parlamentare, për votimin e draftit të ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit. Deputetët e opozitës deklaruan votën e tyre kundër, prandaj drafti nuk u votua. Ndërsa kryeministri Berisha pas debateve e replikave deklaroi se do ta çojë çështjen në referendum popullor. Ishte e papritur kjo kthesë e Berishës dhe duket se opozita u gjend e papërgatitur për këtë opsion të ri të maxhorancës. Në të vërtetë, çështja duket se është më e thellë nga ç’duket. Pasi ishte theksuar se ndryshimet kushtetuese ishin nga pikat kyçe për marrjen e statusit në vjeshtë të këtij viti, me kthesën që morën dje ngjarjet, u pa se ky status nuk do të merret as në vjeshtë. Gjoja dëshira e madhe për heqjen e imuniteteve e kaloi çështjen në referendum po e la Shqipërinë pa status. Pavarësisht nga pretendimet që paraqesin të dyja palët, duket se si PD-ja dhe PS-ja nuk e kanë në rendin e ditës çështjen e statusit, për të mos thënë se nuk u intereson. Fakt është që u mungoi vullneti politik për ta kaluar me consensus heqjen e imuniteteve. Tashti duhet të kalojnë muaj e muaj të tërë për të arritur deri tek referendumi, i cili nuk dihet se si do të bëhet. Mund të fitojë njëra palë, porn ë të vërtetë janë energji të harxhuara kot dhe i humburi i madh është populli, janë qytetarët me vonesën e pafalshme që po i bëhet procesit të integrimit. Data 6 gusht ka qenë pika e ndarjes mes maxhorancës dhe opozitës teksa këta të fundit kanë kërkuar që ndryshimet kushtetuese të votohen në muajin shtator dhe së bashku me heqjen e imunitetit të votohen edhe disa ndryshime që kanë të bëjnë me zgjedhjen e gjyqtarëve të lartë. Sipas opozitës, e cila ishte e pranishme në sallën e Kuvendit, “6 gushti është një datë e përcaktuar në mënyrë arbitrare nga shumica”. Opozita ka këmbëngulur që votimi për imunitetin duhet të kryhet në shtator, së bashku me një paketë tjetër ndryshimesh kushtetuese që lidhen me sistemin e Drejtësisë.

Këtë qëndrim të opozitës mazhoranca e ka cilësuar bllokues për Shqipërinë që në vjeshtë pritet të marrë statusin e vendit kandidatit në BE. “6 gushti është përcaktuar në bazë të rregullores parlamentare”, ka argumentuar mazhoranca, duke ftuar opozitën të votojë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe integrimit të vendit në BE.Tanimë pritet që maxhoranca të përgatisë kërkesën për referendum dhe pas mbledhjes së firmave ta depozitojë atë ligjërisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e më tutje të shprehet Gjykata Kushtetuese për t’i lënë rrugën e lirë Kreut të Shtetit për caktimin e datës së votimit.

Ja si u zhvillua debati në  Kuvend. Replikat orë pas ore

Xhafaj: “Debati, jo produktiv”

Ora 10:30-Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ishte i pari që mori fjalën në seancën e djeshme të Kuvendit, ku nënvizoi rëndësinë, që sipas opozitës, ka votimi i draftit të imunitetit në shtator, bashkë me paketën e ndryshimeve kushtetuese në sistemin e drejtësisë. Xhafaj e cilësoi joproduktiv debatin e sotëm në Kuvend dhe tha se shtyrja e votimit në shtator nuk ndikon negativisht në procesin integrues të Shqipërisë. “Ta shikojmë këtë seancë si pjesë e vullnetit të përbashkët. T’i hapim rrugë procesit për amendamentet kushtetuese të propozuara nga ana jonë në një projekt të vetëm brenda muajit shtator. Një votim sot e një votim në shtator do të ishte si një votim sot për statusin e PD-së e një votim në shtator për statusin e PS-së” – deklaroi Xhafaj. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Xhafaj, u shpreh se, “Kryeministri thotë se data 6 gusht është detyrim ligjor i amendamentit që ka sjellë PS-ja, për procedurën e ndryshimeve kushtetuese, por logjika e rregullores është e qartë, data e votimit në seancë lidhet me kalendarin e punës së komisionit, kushtëzohet me kohën kur ky komisionin miraton raportin, pra data e votimit arrihet nga ecuria e shqyrtimit dhe vendoset pas këtij procesi si hapi fundor i saj”.

Berisha: “PS do imunitetin, bllokon statusin”

Ora 11.10-Kryeministri Sali Berisha deklaroi në seancën e veçantë parlamentare për heqjen e imunitetit se PS me qëndrimin kundër për të votuar amendamentet kushtetuese paralajmëron bllokimin për të tretën herë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Sipas Berishës, deputetë milionerë të PS e përdorin imunitetin për transporte të dyshimta, lëvizje trau në dogana. “Ju duhet imuniteti për në dogana, për ilaçet të kërcënoni doganierët të lëvizin traun. Ju ikën bamirësat e Topit. Nuk e doni korrupsionin, atëherë urdhëroni ta lëvizim imunitetin”. Kreu i qeverisë theksoi se lufta kundër korrupsionit është një ndër kushtet e BE dhe se kjo luftë nënkupton reformën në sistemin e imuniteteve

Tahiri: “Shoferi I Berishës me galeri kromi në Bulqizë”

Ora: 12: 00- Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i PS për Tiranën, Saimir Tahiri theksoi se opozita mbështet kufizimin e imunitetit por synon të luftojë realisht korrupsionin, siç tha ai “duke shembur të paprekshmit dhe të pandëshkueshmitNdër të tjera, deputeti Tahiri lëshoi akuza ndaj kryeministrit Berisha në lidhje me pasurinë që sipas tij ka shoferi personal i shefit të ekzekutivit.

Bumçi-PS-së: “KONTRIBUONI REALISHT NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT”

Ora 12:20-“Opozita ka sot mundësinë që të dëshmojë se lufta e tyre kundër korrupsionit nuk ka qenë thjesht një retorikë boshe”, tha sot në Kuvend, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Sipas tij “akuzat për korrupsion dhe debati për korrupsionin ka dominuar sallën e Kuvendit gjatë këtyre viteve dhe aksionin politik të opozitës gjatë këtyre viteve”.

PS, BUSHATI: ÇËSHTJA E KUFIZIMIT TE IMUNITETIT ËSHTË E ZGJIDHUR

Ora 12: 30-Në fjalën e tij për çështjen e imunitetit, deputeti socialist, Ditmir Bushati tha se çështja e kufizimit të imunitetit është e zgjidhur, por duhet të shoqërohet me çrrënjosje të pandëshkueshmërisë. “Duhet të jetë e qartë për të gjithë që çështja e kufizimit të imunitetit është një çështje e zgjidhur, për të cilën ne socialistët e kemi dhënë votën tonë pro. Sot është momenti që të hedhim disa hapa që garantojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.”, tha ai.

HALIMI: HEQJA E IMUNITETIT NJË DETYRIM NDAJ QYTETARËVE

Ora 12:40- Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, tha të hënën gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku po diskutohet drafti me ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit, se “vota pro këtij drafti është një detyrim ndaj qytetarëve dhe një nga kushtet për marrjen e statusit si vend kandidat në BE-së, ku aspiron të aderojë Shqipëria”. Halimi i bëri apel opozitës të votojë për heqjen e imunitetit, pasi qytetarët e duan heqjen e imunitetit, po aq sa duan dhe integrimin e vendit në BE. “Ndaj ne jemi sot këtu për të thënë se po kryejmë detyrën ndaj tyre, duke kërkuar që zyrtarët, gjyqtarët por mbi të gjitha deputetët të jenë të barabartë para ligjit”, tha Halimi.

BERISHA: NUK VIJMË SOT PËR KAPITAL POLITIK

Ora 13:40-Kryeministri Sali Berisha pas fjalës së deputetes socialiste Arta Dade mori fjalën dhe theksoi se nisma e sotme nuk është për kapitale politike vetjake. Berisha theksoi se reformën në imunitete e ka kërkuar 10 vjet më parë dhe më pas, por ka hasur vetëm në refuzim.

DADE: BERISHA SHKELI KUSHTETUTËN 37 HERË, REAGON KRYEMINISTRI: UNE NUK JAM BESNIK MUSTAFAJ

Ora 14.00-Deputetja socialiste Arta Dade në fjalën e saj për çështjen e imunitetit theksoi se propozimet e PS garantojnë luftën kundër korrupsionit, por se ndërhyrjen në Kushtetutë nuk mund të bëhen me nxitim.

Sipas Dades, Berisha është fshehur pas imunitetit gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa theksoi se kryeministri shkeli 37 herë kushtetutën brenda 7 vitesh.

“Por Berisha nuk i përmend këto,delndonjë ditë vere duke notuar, ndonjë ditë dimri në ndonjë faqemali”.

REPLIKA BERISHA-FIDEL YLLI

Ora: 14:15- Deputeti socialist Fidel Ylli e akuzoi kryeministrin Berisha se “po aktron për tu mbushur mendjen shqiptarëve se opozita nuk do të heqë imunitetin”. Në përgjigje të akuzave të mazhorancës, se ai bën pjesë në klubin miliarderëve që duan të fshihen pas imunitetit, Ylli theksoi se “Nuk jam i mërzitur dhe i shqetësuar sepse ju me zini emrin, por jam i mërzitur, sepse sot në Poliçan, zonën që unë mbuloj, kanë ndodhur dy vdekje. E keni lënë në mjerim atë zonë, dhe ky është shqetësimi që kam unë si deputet. Paratë dhe pronat i kemi deklaruar në deklarimin e pasurisë. Ndërsa rrethi jot familjar, rrethi i biznesmenëve janë bërë milionerë pa u thënë kush “puna mbarë”- u shpreh Ylli. Kryeministri iu përgjigj menjëherë akuzave të deputetit socialist, duke deklaruar se “sot në Poliçan ka ndodhur një krim i shëmtuar. Një ushtar në detyrë ka qëlluar mbi një koleg dhe më pas ka vrarë veten, ju zoti deputet nuk keni të drejtë të përdorni një krim për të mbuluar një krim tjetër. Frika për të hequr imunitetin nga industria e lojërave të fatit që administron dhe kullat e pallatet, për të justifikuar mosvotimin për heqjen e imunitetit është një gabim shumë i rëndë.”

POLLO: OPOZITA NUK DUHET TË NXJERRË JUSTIFIKIME

Ora 14:50- “Opozita nuk duhet të nxjerrë justifikime për heqjen e imunitetit”, tha sot në Kuvend Ministri i Inovacionit, Genc Pollo. Gjatë seancës parlamentare për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ministri Pollo theksoi se “data e sotme është caktuar në konferencën e kryetarëve, ku edhe unë isha i pranishëm dhe përfaqësuesit e PS-së nuk është se e kanë kundërshtuar, pra data 6 ishte një datë e përcaktuar nga rregullorja”.

IMAMI: IMUNITETI NUK ËSHTË MBROJTJE E DEMOKRACISË, POR PENGESË NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT

Ora 15:30- “Imuniteti nuk është mbrojtje e demokracisë, por pengesë në luftën kundër korrupsionit”. Kështu u shpreh të hënën, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, ku për më shumë se katër orë, po diskutohet drafti për miratimin e ndryshimeve kushtuese për heqjen e imunitetit.

NOKA-BREGU: HEQJA E IMUNITETIT, KUSHT PËR INTEGRIMIN NË BE

Ora 16:00 -Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i bëri thirrje deputetëve të opozitës që të votojnë ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit. Sipas ministrit Noka, maxhoranca e ka për detyrë t’i tregojë popullit se pse opozita nuk dëshiron të heqë imunitetin. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, rikujtoi se heqja e imunitetit është i vetmi kusht i KE-së ende i paplotësuar dhe mos votimi i tij do të ishte bllokim i marrjes së statusit të vendit kandidat.

OLLDASHI: DEPUTETËT E PS NUK POE SHPREHINVULLNETIN PËR HEQJEN E IMUNITETIT

Ora 17:00 -Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, u shpreh se “deputetët e PS thonë se kanë vullnet për të votuar, por nuk po e shprehin atë”. Olldashi akuzoi opozitën se ka qenë kundër Partneritet për Paqe që në vitin 1992. “Ju keni qenë kundër liberalizimit të vizave dhe tashmë jeni edhe kundër statusit të vendit kandidat të BE-së”, tha ministri Olldashi. Ai u shpreh se “nëse nuk do t’i japim vendin që i takon drejtësisë, nuk mund të luftojmë korrupsionin”.

BODE: ÇËSHTJA E IMUNITETIT LIDHET NGUSHTË ME PROCESIN E KORRUPSIONIT

Ora 17:35- Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se çështja e imunitetit lidhet ngushtë me procesin e korrupsionit. “Ne vijmë në Kuvend me propozimin e bërë nga PS për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit”, tha Bode. “Korrupsioni është shpërdorim i pushtetit publik. Korrupioni matet me perceptimin e qytetarëve. Heqja e imuniteti krijon kushte për të luftuar korrupsionin. Mosvotimi i heqjes së imunitetit nga ju do shkaktojë dëme ndaj popullit”, iu drejtua ministri Bode deputetëve socialistë.

PD, PALOKA: DRAFTI PËR HEQJEN E IMUNITETIT, SIPAS KËRKESAVE TË PS-së

Ora 17:40- Deputeti i Partisë Demokratike dhe një nga relatorët e draftit për heqjen e imunitetit, Edi Paloka, u shpreh se të gjitha propozimet e Partisë Socialiste janë dërguar dhe zbatuar në draftin e miratuar me konsensusin e të dy palëve. “Drafti që kemi para është përgatitur nga deputetë e PS-së. U morën mendime nga konstitucionalistët që propozuan deputetët e opozitës. Ne ramë dakord me gjithçka nga ky draft, pa ndryshuar asgjë, që të mos kishte asnjë diskutim për të votuar. Por tani duket se gjithçka ka qenë e kotë”, tha Paloka.

MAJKO: DUHET HEQUR MË PARË IMUNITETI POLITIK

Ora 17:55- Deputeti i PS-së dhe njëkohësisht relator i draftit për heqjen e imunitetit, Pandeli Majko, deklaroi në këtë seancë se, “Në historinë e parlamentit pluralist shqiptar deputetët i kanë miratuar gjithnjë kërkesat e Prokurorëve për heqjen e imuniteteve dhe i kanë hapur rrugën hetimit të deputetëve të çfarëdolloj partie. Kjo e rrëzon pikëpamjen se imuniteti parlamentar pengon luftën ndaj korrupsionit”, tha Majko.

BERISHA: PS NGRITI MURIN E BLLOKIMIT TË INTEGRIMIT

Ora 18:05- Kur kishin kaluar 8 orë nga diskutimet në Kuvend, për çështjen e heqjes së imunitetit, kryeministri Berisha e ka komentuar si tërësisht negativ qëndrimin e deputetëve të opozitës.

BERISHA: REFERENDUM POPULLOR PËR HEQJEN E IMUNITETIT

Ora 18:30- Pas deklaratave të deputetëve të majtë se nuk do ta votonin heqjen e imunitetit në seancën e djeshme, kryeministri Berisha u zotua se do ta çojë çështjen në referendum popullor. “Besimi im i palëkundur është tek qytetarët e këtij vendi, socialistët e thjeshtë, demokratët e përfaqësuesit e LSI, të gjithë do votojnë së bashku heqjen e murit të turpit të korrupsionit. Kjo seancë finalizohet me zotimin tim solemn se do ecim në mënyrë të pandalshme në referendumin popullor drejt heqjes së imunitetit”, tha ai.

Intervista/ Konstitucionalisti Niazi Jaho flet pwr “Telegraf” pas dështimit të votimit për heqjen e imuniteteve

Referendum mund të bëhet, por me miratim të Kuvendit

-Zoti Jaho, a e keni ndjekur seancën e djeshme parlamentare, k diskutohej çështja e imunitetit?

-Jo, nuk e kam ndjekur.

-Kufizimi i imunitetit nuk  u shtrua fare për votim sepse opozita, nuk pranoi të zhvillohej votimi në datën e djeshme, si mendoni për këtë veprim?

-Nëse është kështu nuk kishte kuptim të kalohej në votim. Derisa dihet se për ndryshim të Kushtetutës duhet të votojnë pro, jo më pak 2/3 e të gjithë deputetëve.

-Pavarësisht nga kjo Kryeministri në përfundim të fjalës së tij tha se për heqjen e imunitetit do të organizohet një referendum. A mund të organizohet një referendum i tillë?

-Derisa nuk e kam dëgjuar nëse është e saktë kjo që thoni ju do të përgjigjem duke iu referuar Kushtetutës, ku bëhet fjalë për rishikim të saj, megjithëse aktualisht nuk e disponoj Kushtetutën, mund t’ju them se, për rishikimin e Kushtetutës procedohet si mëposhtë: Nisma për ndryshimin e Kushtetutës mund të merret nga jo më pak se 1/5 e deputetëve, ky projekt sipas rregullores së Kuvendit, fillimisht duhet të shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të komisionit të çështjeve ligjore dhe këshillit të legjislacionit, jo më parë se dy javë nga data që është depozituar projekti. Pas kësaj i paraqitet Kuvendit raporti përkatës lidhur me projektin. Projekti duhet të miratohet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë deputetëve. Kuvendi mund të vendosë me votat pro të 2/3  e deputetëve që ndryshimi i Kushtetutës të votohet me referendum. Referendumi duhet të zhvillohet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.

-Ponë rast se referendum do të shprehet me jo si do të veprohet?

-Mesamë kujtohet një rast i tillë, referendumi për këtë çështje mund të bëhet  jo më parë se tre vjet.