Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho , me anë të një statusi në rrjetin e saj social Facebook ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të qeverisë për të rikthyer ligjin që lejon importin e plehrave në Shqipëri.
Xhixho u shpreh se pas korrupsionin me inceneratoraët që u vodhi shqiptarëve mbi 400 milionë euro, qeveria ka gati projektligjin e ri për lejimin e importit të mbetjeve, duke e quajtuar këtë skandalin e radhës.
“Qeveria e mbetjeve dhe inceneratorëve nuk mund të tolerohet më! Ne mbështesim çdo reagim ndërkombëtar dhe i bashkohemi zërit të fuqishëm të qytetarëve dhe shoqërisë civile për të mbrojtur Shqipërinë nga çdo ligj shkatërrues i kësaj qeverie të zhytur në krim e korrupsion”, shkruan Xhixho ndër të tjera.
POSTIMI I PLOTË:
Qeveria e PLEHRAVE i ka mbetjet biznesin e preferuar.
Pasi ngriti një megaskemë korrupsioni me inceneratorët, që u vodhi shqiptarëve mbi 400 milionë euro, qeveria ka gati projektligjin e ri për lejimin e importit të mbetjeve.
Skandali i radhës i 816 ton mbetjeve të nisura nga porti i Durrësit tregon haptas implikimin e drejtpërdrejtë të qeverisë në aferën kriminale të mbetjeve.
Ndërkohë, projektligji i ri, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, në nenin 73 parashikon që, në përgjithësi importi i mbetjeve në Shqipëri ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon.
Pra, do të jetë vetë qeveria dhe kryeministri Rama ai që do të vendosë direkt se kur i leverdis importi i mbetjeve.
Ky ligj është tentativa e radhës pas ligjit të rrëzuar në vitin 2017, i cili u bllokua falë këmbënguljes së grupit parlamentar të LSI-së dhe kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, sot presidenti i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta.
Qeveria po shtron rrugën për ta shndërruar Shqipërinë në vend tranzit të mbetjeve toksike në rastin më të mirë, e në kazan mbeturinash në rastin më të keq.
Ne kemi detyrimin ta ndalim edhe njëherë këtë përpjekje kriminale duke e bllokuar ligjin në Parlament.
Shqiptarët e kanë refuzuar dy herë ligjin e mbetjeve dhe asnjë manovër për ta kaluar këtë projektligj nuk duhet lejuar.
Ndërkohë që operacioni mafioz ndërkombëtar që mori jetë para syve të të gjitha strukturave të sigurisë në Shqipëri, një vend që ka detyrimin të respektojë standardet e NATO-s, tregon se të implikuar direkt janë pikërisht ideatorët e skemës së inceneratorëve.
Qeveria e mbetjeve dhe inceneratorëve nuk mund të tolerohet më! Ne mbështesim çdo reagim ndërkombëtar dhe i bashkohemi zërit të fuqishëm të qytetarëve dhe shoqërisë civile për të mbrojtur Shqipërinë nga çdo ligj shkatërrues i kësaj qeverie të zhytur në krim e korrupsion.