Ilmi S.Qazimi: Do përkrahni bujkun apo do ushqeni ujkun

168
Sigal

 

Shteti i një klase të re borgjeze ka zënë kolltuqet e politikës, jahteve luksoze. Njerëzit duan që të hanë bukë, të kenë një strehë dhe një punë. Ku janë politikat në ndihmë të bujqve e blegtorëve shqiptarë? Përse nuk vendos në krye të punëve

Gjatë 12 muajve të këtij vitit me tre dysha, fshatarit tonë nuk iu dha asnjë dyshkë për të investuar për bujqësinë, për fermën e tij. Flasim realisht e jo me shifrat e publikuara nga një lloj institucioni, që quhet ministri bujqësie, ku fondin më të madh të paracaktuar për zhvillimin e fermave bujqësore e blegtorale e marrin reklamat, hajdutët profesionistë-matrapazët e zyrave dhe  pazareve. Vetëm thërrimet mbeten për fshatarin. Me që jemi këtu tek fondet, kam një rast argumentues, tepër të trishtuar, ndër qindra të tillë në Shqipërinë tonë të vogël, por jo pa njerëz të ndershëm e të zotë. Një fondacion europian, konformë rregullave e ligjeve, kishte hedhur në një adresë të caktuar në vendin tonë disa vite radhazi   fonde për njohjen, ruajtjen, mirëmenaxhimin e kafshëve të rralla si ariu i kuq, macja e egër dhe rrëqebulli. Tre specialistët e pasionuar shqiptarë punuan tre vjet dhe arritën suksese premtuese. Shefi i fondacionit erdhi në vend dhe pa arritjet. U entuziazmua së tepërmi dhe akordoi me dëshirë fonde edhe për tre vite të tjera. U firmosën aktet, dokumentet deri edhe çeqet. Por fondi “humbi”, si sopata pa bisht, në rrugën e shkurtër nga Banka e Shqipërisë deri tek dera e zyrës që kishin marrë me qera, tre specialistët e ndershëm , të rinj plot pasion për atë detyrë aq të bukur. Edhe sot, pas tetë vitesh, nuk është e mundur që të gjendet hajduti!? Dhe ata, specialistët e rinj në moshë,të demoralizuar, ikën fare në emigracion…

Kështu si është katandisur fshatari tani, duhet të përmendin që dhe në monizëm u sigurua plotësisht buka e katër milionë banorëve. Për herë të parë në historinë e vetë Shqipëria nuk merrte më grurë nga jashtë për të ushqyer popullin

Para se të vijojmë më tej, le të themi edhe një fjali, që tingëllon me jehonë të largët! Shumë të largët. Ne në gjuhën shqipe tejendanë kemi patur dhe përdoruar gjerësisht fjalët fshatar, katundar, bujk, bari, blegtor dhe çoban (kjo e marrë nga osmanishtja që na sundoi pesëqind vjet). Për 45 vitet e socializmit patëm edhe emërtimet famoze e dinjitoze ‘Ndërmarrje Shtetërore Bujqësore’,  ‘Kooperativa bujqësore’ dhe ‘Ekonomi e vogël private’. E ç’na u desh ne fjala ‘fermer’? Apo do të bëhemi edhe ne si Amerika!? Pika që s’na bie të gjithëve, nga qeveria deri tek avllia! E ku ka fuqi e katandi katundari , nga  malsori tek myzeqari, që të bëjë fermë e të quhet fermer? Kush e lë? Kush e ndihmon? Realisht gjithkush e pengon! Kaq thellë na ka hyrë  sëmundja epidemike e amerikanizimit të jetës sonë sa edhe fjalët bazamentale po na i kthejnë në anglisht.

Ne që jetuam socializmin jemi trefish të zhgënjyer nga zhvillimet (lexo: shkatërrimet, vandalizmat dhe vjedhjet) e sektorit bujqësor, nga ecuria e fermerëve shqiptarë në këto tridhjetë vjet, të rendit ekonomiko-shoqëror kapitalist. Dhe siç e kemi zënë, do mbetemi edhe pa ngrënë! Nuk është pesimizëm dhe alarm i kotë, por realitet i hidhur, i rënduar. Do vemi në derexhenë e paimagjinuar: po qe se bukën sot e blejmë njëqind lekë gjashtëqind gram , do të na duhet që të blejmë një veturë aq sa një bukë.

Duhet t’i themi gjërat, faktet dhe ngjarjet, të mirat që nuk kanë tavan dhe të këqiat që nuk kanë asnjë taban, me emrin që kanë dhe siç kanë ndodhur: Diktatura e proletariatit, ajo parti e vetme, ai pushtet popullor, dhe personalisht ai Enver Hoxha,në vitin 1945, e gjeti vendin tonë, të shkatërruar rëndë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, pa industri dhe me bujqësi primitive. Vetëm me organizim, disiplinë, punë dhe vetëm punë, për tridhjet vjet,e ngjiti bujqësinë në nivelet e larta të zhvillimit modern, të mekanizuar, me shkencë, me prodhimtari e rendimente konkuruese në Europë. Siguroi plotësisht në vend, bukën e katër milionë banorëve, d.m.th. Për herë të parë në historinë e vet Shqipëria nuk merrte më grurë nga jashtë për të ushqyer popullin. Ujitja, plehërimi, kullimi, punimet dhe studimet agronomike, etj.etj. bënë të mundur arritjet bujqësore historike. Është po ashtu e vërtetë që në fund të viteve ‘ 80-të gjendja ekonomike u përkeqësua për shumë shkaqe objektive e sidomos subjektive, që dihen tashmë.

Po tani, pas tridhjetë vitesh demek ‘demokraci’ si është katandisur fshatari ynë, bujqësia jonë, ekonomia jonë? Si përgjigje, le të kujtojmë poetin e madh rilindas Pashko Vasa, që duket sikur i ka shkruar këto vargje pardje në mesditë :”Po tani Shqypni, m’ thuej si je, porsi lisi i rrxuem përdhé! Ka ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë, as mish; As gjak në faqe, as nder ndër shokë; Por asht rrëxue e bamun trokë!” Shteti nuk e ndihmon aspak bujqësinë, blegtorinë dhe prodhimin e të mirave materiale në vend. Mjafton të kujtojmë faktin që ushqehemi me grurë, që importohet nga Ukraina dhe Sërbia! E fushat tona rrinë djerrë…Ato vetëm përmbyten… A ka më keq se kaq?

Jo vetëm se ky është kapitalizmi, por se edhe qeveritë tona nuk kanë ndjekur politika në ndihmë të fshatarit. Janë aplikuar më shumë aktivitete korruptive dhe askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Janë shkruar sa e sa artikuj nga shkencëtarë shqiptarë të bujqësisë, janë demaskuar sa e sa herë nga ata që u dhimbset atdheu, por qeveritë tona postkomuniste nuk e vënë aspak ujin në zjarr për të ndihmuar fshatarin. E si të heshtësh kur dëgjon dhe shikon që një litër naftë, shteti ynë- në fakt është shtet i një klase të re borgjeze, që ka zënë kolltuqet e politikës,- ujqërve të qejfeve, jahteve luksoze ua shet më lirë dhe fshatarit që prodhon bukën e gojës ia shet më shtrenjtë?

Pikërisht për këto duhet të mendojë kryetari i qeverisë e jo për satelitët dhe të tjera broçkullitje. Në radhë të parë njerëzit duan që të hanë bukë, të kenë një strehë dhe një punë. Ku janë politikat në ndihmë të bujqve e blegtorëve shqiptarë? Përse nuk vendos në krye të punëve specialist, por njerëz kaq të paaftë? Përse nuk u kërkohet llogari për mosarritjet e planifikuara të gjithë hallkave të administratës? Kush është ndëshkuar xhamën, për tërë këto vjedhje të fondeve që ka dhënë Europa për zhvillimin bujqësor e blegtoral?