Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një miting madhështor në Pogradec, prezantohen kandidatët për deputetë të qarkut Korçë
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një miting madhështor në Pogradec, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të LSI-së në qarkun e Korçës.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili në fjalimin e tij theksoi se LSI do të jetë forcë e parë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë më 25 qershor.
Z. Meta theksoi se duhet një drejtim i ri që të mos ndërtohen më kulla të shëmtuara si në Korçë me miliona e miliona euro, por që ato miliona euro të jepen për subvencione për bujqësinë.
“Të jepen subvencione për mbështetjen e agroturizmit, në mënyrë që të mos harxhohen më fonde për të blera palmat më të shtrenjta në botëror, që përsëri të jepen për bujqësinë. Nuk e ka fajin profesori i nderuar, shkencëtari i nderuar, Edmond Panariti, që Edi Rama nuk i jepte fonde bujqësisë. 1/5-n e fondeve të Kosovës ka marrë bujqësia jonë si mbështetje. 1/10-n e fondeve të Maqedonisë fqinje kanë marrë fermerët tanë si mbështetje nga Edi Rama”, tha z. Ilir Meta, duke i bërë thirrje pogradecarëve dhe shqiptarëve që të votojnë programin e LSI-së në mënyrë që bizneset të shpëtojnë nga këto taksa masakruese që vrasin vendet e punës.
“Vetëm programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të japë mundësi të ulen kostot e biznesit, do të japë mundësi të hapen biznese të reja, njerëzit të vetëpunësohen, do të japë mundësi të zhvillohen sektorët më jetikë të vendit: bujqësia, turizmi, agro-industria, transportet e kështu me radhë”, – deklaroi z. Meta, duke shtuar se të gjithë shqiptarët do ta dënojnë me votë masive dhe plebishitare dy partitë e vjetra.
“Vendimi është marrë. Sondazhi është bërë: LSI është forcë e parë! LSI ka gjithë rininë e Shqipërisë. Pasnesër në Tiranë mbi 100 mijë të rinj e të reja nisin marshimin për të vajtur 1 milionë shqiptarë më 25 qershor në kutitë e votimit. Edhe socialistët do votojnë për LSI-në, edhe demokratët do të votojnë për LSI si shpresa për demokraci dhe për një qeveri transparente dhe e përgjegjshme”, – deklaroi z. Meta.
Fjalimi i plotë i Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta
Forcë e parë, forcë e paparë! Forcë e parë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë! Forcë e parë këtu, sepse Pogradeci ka hak për të marrë ndaj atyre të pabesëve që e shitën Bashkinë e Pogradecit. Le ta dëgjojë Edi Rama, ai që përbetohej për bashkimin e së majtës, nuk do të ketë votë socialiste që do të jepet këtu për atë që e shiti Bashkinë e Pogradecit.
Jo vetëm, që e shitën Bashkinë e Pogradecit, siç shitën edhe të Lezhës, që të mos i merrte aleati strategjik, Lëvizja Socialiste për Integrim, që u qëndroi korrekte kudo, në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Korçë dhe në të gjithë Shqipërinë, por edhe e kanë katandisur Pogradecin në një bashki të kategorisë së tretë duke mos e mbështetur me fonde, me investime, me projekte, duke e paragjykuar dhe duke penalizuar një popull të tërë këtu. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë forcë e parë për një drejtim të ri për Pogradecin, për Korçën dhe për të gjithë Shqipërinë.
Duhet një drejtim i ri që të mos ndërtohen më kulla të shëmtuara si ajo e Korçës, me miliona e miliona euro, që ka shëmtuar një qytet të mrekullueshëm. Por, që ato miliona euro të jepen për subvencione për bujqësinë, të jepen subvencione për mbështetjen e agroturizmit, në mënyrë që të mos harxhojmë më fonde për të blera palmat më të shtrenjta në botë, që janë tharë në autostradë atje, shikojini, por që përsëri të jepen për bujqësinë. Nuk e ka fajin profesori i nderuar, shkencëtari i nderuar, Edmond Panariti, që Edi Rama nuk i jepte fonde bujqësisë. 1/5-n e fondeve të Kosovës ka marrë bujqësia jonë si mbështetje. 1/10-n e fondeve të Maqedonisë fqinje kanë marrë fermerët tanë si mbështetje nga Edi Rama dhe ai thotë: E ka fajin LSI-a… Jo, fajin e ke ti se nuk di të drejtosh. Dhe për këtë faj do ta marrësh përgjigjen më 25 qershor dhe nuk ka presion e shantazh që e ndryshon vullnetin e Pogradecit dhe gjithë Shqipërisë.
Ndaj, motra dhe vëllezër të Pogradecit, votoni programin e LSI-së në mënyrë që bizneset tuaja të shpëtojnë nga këto taksa masakruese, shtrënguese, të cilat vrasin vendet e punës. Vetëm programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të japë mundësi të ulen kostot e biznesit, do të japë mundësi të hapen biznese të reja, njerëzit të vetëpunësohen, do të japë mundësi të zhvillohen sektorët më jetikë të vendit: bujqësia, turizmi, agro-industria, transportet e kështu me radhë.
56% e shqiptarëve, sipas Gallupit, duan të largohen nga Shqipëria. Jemi vendi i dytë në botë pas Sierra Leones që është në luftë civile. Çfarë lufte civile kemi ne këtu? Çfarë problemi etnik kemi ne këtu? Ne kemi një problem të madh. Kemi një arrogancë kriminale e cila duhet dënuar me votë. Kemi një papërgjegjshmëri totale dhe kemi politikanë të llastuar, arrogantë që kujtojnë se i bëjnë nder popullit duke qeverisur në mënyrë arbitrare dhe të papërgjegjshme. Prandaj qytetarë të Pogradecit të gjithë më 25 qershor me votë tu themi Tomit dhe Xherrit që Shqipëria ka zot, që rinia e Shqipërisë nuk do të ikë nga Shqipëria, që prindërit e tyre do të kenë fëmijët këtu. Se LSI-a është një shans, se LSI është kundër oligarkisë.
Çfarë premtimesh kemi shkelur ne? Premtimet i ka shkelur vetëm një njeri, Edi Rama. A premtoi ai para zgjedhjeve të vitit 2013 se nuk do të jepte koncesione si Sali Berisha. E mbyti më keq se Sali Berisha Shqipërinë me koncesione. Dhe Lëvizja Socialiste për Integrim prej dy vitesh ka paraqitur në parlament një projektligj për të mbrojtur pasuritë natyrore të shqiptarëve, shërbimet publike të shqiptarëve, në mënyrë që çdo koncesion të jepet në parlament dhe vetëm në interes të popullit shqiptar. Kjo e ka mërzitur Edi Ramën.
Çfarë premtimi ka shkelur Lëvizja Socialiste për Integrim? A nuk ishte ai që aktin e parë në parlament bëri moratoriumin për importin e mbetjeve? E pra nuk është ky që në fund të mandatit u kujtua që ishin mbyllur disa vende pune. Ai që shkatërroi me dhjetëra e dhjetëra biznese të vogla në mënyrë arbitrare dhe nuk i erdhi kurrë keq për fukarenjtë dhe hallexhinjtë, të cilët ngelen rrugëve.
I ka mbetur hatri me LSI-në sepse LSI-a është kundër asaj që Shqipëria, që Pogradeci, që Durrësi, që Vlora të kthehen në varreza të mbetjeve më të rrezikshme të Italisë dhe të Evropës. Dhe kjo nuk do të ndodhë. Nuk do ta lëmë mafien italiane, mafien evropiane të shkatërrojë Pogradecin, të shkatërrojë Vlorën, të shkatërrojë Sarandën, të shkatërrojë Durrësin sepse ne do të zhvillojmë turizmin sot dhe brez pas brezi.
Unë ju falënderoj për mbështetjen e jashtëzakonshme. I ftoj të gjithë socialistët e Pogradecit që atë pabesi që e përjetoi i gjithë qyteti, me atë veprim të shëmtuar, imoral dhe të lig, që e shitën bashkinë por edhe e lanë në harresë Pogradecin, ta dënojnë me votë masive dhe plebishitare.
Vendimi është marrë. Le të çojë sa të dojë Edi Rama, nga analistët e paguar e tij nëpër ambasada, në ekranet dhe televizionet e paguara prej tij, sondazhet më absurde në botë. Sondazhi është bërë: LSI është forcë e parë! LSI ka gjithë rininë e Shqipërisë.
Pasnesër në Tiranë mbi 100 mijë të rinj e të reja nisin marshimin për të vajtur 1 milionë shqiptarë më 25 qershor në kutitë e votimit. Nuk ka shans për Tomin dhe Xherrin, edhe socialistët do votojnë për LSI-në, edhe demokratët do të votojnë për LSI si shpresa për demokraci dhe për një qeveri transparente dhe e përgjegjshme.
Si mund të votojnë demokratët dhe socialistët për dy njerëz për dy fëmijë të llastuar që i morën dy parti gati dhe i shkatërruan. A ka struktura të PD-së këtu në Pogradec? A ka struktura të PS në Pogradec? Ka vetëm drejtorë që vijnë dhe bëjnë presion: “Po votove ti për këtë parti, nuk ke paguar dritat e do të sjellim policinë. Po nuk bërë këtë gjë tjetër do të heqim vajzën e tezes nga puna”. I thoni Ilir Xhakollit e gjithë këtyre që, Pogradeci i ka përcjellë që në kohën e Saliut të parë, ka mbaruar kjo histori. Tomi dhe Xherri ishin një dështim i madh për popullin shqiptar dhe për demokracinë shqiptare. Më 25 qershor LSI forcë e parë, forcë e paparë dhe më 26 qershor me gjithë demokratët dhe socialistët e përgjegjshëm do t’i japim Shqipërisë një qeveri, e cila do t’i japë atë të ardhme që e rinia e Shqipërisë meriton.
LSI forcë e parë, LRI forcë e paparë! Njëshi, njëshi është Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse për ne Shqipëria është e para, sepse për ne rinia është e para, sepse për ne familja pogradecare dhe shqiptare është e para.
Rroftë populli i mrekullueshëm i Pogradecit dhe i Mokrës! Sapo erdha nga një takim i mrekullueshëm në Pustec, ku siç e dini Aleanca e Maqedonasve për Integrim është e përfaqësuar si asnjëherë tjetër në listën e LSI-së. Dhe kjo nuk është rastësi sikurse nuk është rastësi që LSI është forcë e parë në minoritetin grek në Shqipëri. Sikurse nuk është rastësi që një nga vajzat tona më të shkëlqyera është këshilltare në Bashkinë e Tiranës dhe sot kandidate për deputete, e cila është me origjinë malazeze. Sikurse është përfaqësimi i jashtëzakonshëm i komunitetit vlleh dhe shumë komuniteteve të tjera.
Sepse për LSI-në ka vetëm tre tabu:
1. Stabiliteti i Shqipërisë më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër.
2. Marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët sepse kjo ka të bëjë direkt me stabilitetin tonë, me paqen tonë sociale, me sigurinë tonë dhe me ekonominë tonë.
3. Integrimi evropian i Shqipërisë si i vetmi projekt madhor që realizon ëndrrat shekullore të popullit tonë dhe të fëmijëve tanë.
Votoni për profesor Edmond Panaritin, votoni për Pirro Kapuranin, votoni për Brunilda Paskalin, e cila është një grua e jashtëzakonshme. Votoni për Genti Çalën, i cili do ta përfaqësojë Pogradecin në Kuvendin e Shqipërisë. Votoni për këtë ekip të mrekullueshëm! Rroftë Pogradecin, rroftë Shqipëria, rroftë LSI-ja!
Forcë e parë, forcë e paparë!