Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar me tone të ashpra pas vendimit të marrë sot nga GJKKO, duke e cilësuar procesin ndaj tij si një farsë me regji politike. Në një deklaratë publike, ai akuzon SPAK-un për ndërhyrje dhe përgjim të gjykatave, ndërsa shigjeton “Rilindjen” si burimin e akuzave që, sipas tij, formulohen nga tribuna politike e jo nga fakte ligjore.
Meta paralajmëron se beteja e tij do të vijojë në arenën ndërkombëtare, konkretisht në Gjykatën e Strasburgut, por edhe në opinionin publik shqiptar, ku ai synon të zbërthejë, siç thotë, ‘pretendimet qesharake të akuzës’.
Ai fton qytetarët të ndjekin sot, në orën 17:30, një prezantim të argumenteve kundërshtuese nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ndërsa nesër në orën 11:00, përmes një telefonate të hapur për mediat, Meta do të zhvillojë një konferencë live për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Postimi në FB:
Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”.
Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.
Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentat e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi.
Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live.
Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë.