Idrizi çon Paktin te Rama, merr edhe mbështetjen e Kokëdhimës

479
Shtatë pikat e propozuara nga PDIU diskutohen nga kryeministri, pas takimit me Metën. “Zgjidhja” kërkon shtyrjen e zgjedhjeve
Platforma me 7 pika e Partisë për Drejtësi, Integrim e Unitet ka mbërritur dje në zyrën e kryeministrit Edi Rama. Gjatë një takimi mes Ramës edhe Idrizit mësohet se është folur për mundësinë e gjetjes së një kompromisi politik, që do të mundësonte hyrjen e opozitës në zgjedhje dhe dhënien e garancive për një proces elektoral të lirë e të ndershëm. Mungojnë detajet nga biseda mes Ramës e Idrizit, që është bërë menjëherë pas një takimi të gjatë mes Ramës dhe Metës. Një ditë më parë, PDIU propozoi një Pakt Kombëtar, i cili do të përfshijë zgjidhjen e çështjeve konkrete për përparimin e vendit në integrimin evropian, realizimin e reformës në drejtësi dhe rritjen e garancive për zgjedhje të lira. Dy ndër pikat më të rëndësishme të këtij pakti janë ato për garantimin e rolit të paanshëm të policisë në zgjedhje dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional të pastër. Gjithashtu, Idrizi ka propozuar thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë propozimet nuk prekin qeverinë dhe kryeministrin, që mbeten kërkesa kyçe të opozitës. 

Mbështetja e Kokëdhimës
Lëvizja “Zgjidhja” në Partinë Socialiste përshëndeti deklaratat e PDIU-së, si konstruktive dhe të përgjegjshme dhe i konsideroi ato, një kontribut të vlefshëm për zgjidhjen e krizës politike. Gjithashtu lëvizja e drejtuar nga Koço Kokëdhima përshëndeti edhe deklaratat dhe vlerësimet politike për daljen nga kjo krizë të deputetes Mesila Doda. 

“Lëvizja “Zgjidhja” paralajmëroi qysh në fillim të kësaj krize se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave, se ajo është e pashmangshme dhe duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të garantojë standardet e vendeve të civilizuara të Evropës për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme. Zgjidhja gjithashtu i propozoi Asamblesë dhe Kongresit të PS-së shtyrjen e datës së zgjedhjeve të 18 qershorit për në vjeshtë dhe krijimin e një qeverie të shumicës së majtë që u jep besim forcave politike dhe qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit të lëvizjes “Zgjidhja”. 
Pakti Kombëtar i propozuar nga PDIU
1 – Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atmosferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.

2 – Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.
3 – Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.
4 – Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare
5 – Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cenimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.
6 – Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik apo edhe vlerësimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurt dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë parlamentare.
7 – Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.
Sigal