Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka bërë një deklaratë të fortë sot ku tha se Lulzim Basha, ish-aleati i tij, tashmë është shpërfytyruar si njeri dhe si politikan.
Ndoka e akuzoi Bashën se nuk e ka përfshirë në listën e sigurtë për deputet sepse ka bashkëpunuar me Edi Ramën, me këtë të fundit, që siç thotë kryedemokristiani, ia ka diktuar listën e kandidatëve të PD.
“Unë jam ndryshe nga Basha. Për përgjegjësine e Bashës jap dorëheqjen unë, ndërsa Basha vetë nuk jep dorëheqjen. Nuk e kam prit asnjëherë se Basha do të tjetërsohet si njeri , se si politikan i kishte dhënë shenjat. Pra që është deformuar, nuk e mban fjalën. Ka pësuar një zhgënjim të madh edhe si politikan por edhe në marrëdhëniet njerëzore. Është shpërfytyruar, ka humbur besimin, simpatinë që kam pasur për të”, tha Ndoka.
I pyetur nga Xhaxhiu nëse e ka takuar Bashën pas 25 prillit, Ndoka tha se nuk e ka takuar, duke shtuar se madje as në rrugë nuk i ka folur.
“Jo nuk e kam takuar asnjëherë. Jo vetëm unë por asnjë nga aleatët. Është mbyllur në bunkerien e tij. Rastësisht e takova një ditë në rrugë dhe i ktheva kurrizin. Mendova për një moment ta respektoja si qytetar, por diçka e brendshme mu rrotullua. Këtë mashtrues ja kam thënë, e kam shfryrë dufin tim“, deklaroi Ndoka.