Para dy ditësh Prof. Përparim Kabo i dërgoi një letër të hapur Nënkryetares së Kuvendit,Znj. Vasilika Hysit ku e pyeste se a kanë të drejtë gratë greviste të jetojnë? Po si? Pa paga, pa ushqime, pa drita elektrike dhe ujë, pa veshje.
Më poshtë zonja Vasilika Hysi i kthen përgjigje Prof. Kabos
Ja përgjigjia e zonjës Vasilika Hysi: Përshëndetje Përparim, uroj çdo gjë mirë në këto kohë të vështira! Faleminderit për sensibilitetin si në shumë raste të tjera edhe për naftëtarët. Situata e krijuar është shumë më komplekse nga sa mund të duket për shumë njerëz dhe nga ajo që ofron media. Jam e sigurt që ju e dini që është marrëdhenie pune me një kompani private dhe pagat nuk janë paguar nga kompania. Kompania është në proces falimenti dhe për këtë ka praktikë ligjore dhe raste të mëparshme në gjykata se si veprohet. Ju e kuptoni shumë mirë se shteti nuk mund të mbulojë pagat që nuk japin kompanitë private, ka nje risk të madh nëse do të pretendohej kjo gjithmonë. Ndjeshmëria njerëzore është e lartë për këtë çështje dhe ka pasur diskutime edhe në Kuvend. Greva është e drejtë e çdo njeriu, por kompanitë private në proces falimenti me greva nuk ndërgjegjesohen. Institucionet po e ndjekin situatën dhe ka pasur qëndrime publike. Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, në dijeninë time, e ndjekin çështjen në mënyrë të përditshme. Sa për politikën, kemi folur shpesh bashkë për atë çfarë ndodh në vend, por momente si këto më beso janë përtej vullnetit të emrave të përveçëm që përmendni ju. Shpresoj të gjendet një urë komunikimi dhe dialogu. Duhet të ndihmohen grevistet që të hyjnë në dialog sepse është rruga më e dobishme edhe për ato. Për këtë duhet te kontribojne të gjithë, edhe media, edhe shoqëria civile, edhe personalitetet si Ju. Qofsh mirë dhe do dëgjohemi!…
Reagimi i Prof. Kabos për përgjigjen e Vasilika Hysit
Kompanitë falimentojnë, por populli nuk mund të falimentojnë
Përparim Kabo
E nderuar zonja Hysi! Ju faleminderit për përgjigjen, unë personalisht e prisja, ndryshe nga disa që dyshonin sepse unë ua njoh vlerat dhe ndjeshmëritë civile. Unë personalisht nuk kërkoj as edhe në letrën e hapur, që shteti të paguaj pagat, unë kërkoj që shteti me mekanizmat e tij të dalë në krah të punëtorëve. Njeriu çdo ditë ka nevojë për ushqim dhe ai blihet, ka nevojë për energji elektrike dhe ujë, dhe për to duhet të paguaj, ka nevojë per ilaçe dhe për të blerë libra e fletore për femijët, dhe për to duhen para. Nuk jam unë që u jap mendim si zgjidhet, por zgjidhja ligjore është dhe duhet të jetë e shkruar në atë kontratë privatizmi kur ai privati e mori uzinën. Pra duhet të ketë pika konkrete, se çfarë ndodh edhe në situatën e krijuar që ju përmendeni. Ne diskutojmë flasim, shqetësohemi dhe ndrojmë mendime, ato gra janë në grevë urie dhe ai qytetari europian apo deputeti në parlamentin europian bën pyetje ndryshe…Ato janë nënat dhe motrat tona, jane gra zonja. Kam pasur fatin të jetoj në atë qytet Ballsh për rreth 1 muaj dhe kam qenë në atë uzinë që ishte super moderne. Ja disa shifra. Zë një sipërfaqe gati 900 ha. Atje prodhohej për konsum te brendëshëm dhe për eksport. Ka pasur 7 hangarë të mëdhenj me pjesë ndrrimi që si thonin gjëje çdo gjë, vetëm sy njeriu nuk kishte. Punonin saldatore shumë të zotët që ikën të gjithe jashtë, kishte brigada mirëmbajtje në të nxehtë dhe në të ftohtë të makinerive, deri te brigada e gjelbërimit. Teknologjia ishte fjala e fundit e kohës. Ndërkohë privatizohet dhe tani thuhet që ai partneri strategjik që e mori është në proces falimentimi. Po mirë si do t’i thotë nëna femijës kur s’kam mundësi të paguaj diçka, me fal mami se ai privati është në proces falimentimi, ose mos i laj duart me sapun se harxhohet dhe nuk blejmë dot tjetër, se firma nuk na i jep pagat, se është në proces falimentimi. Njerëzit duan pagat, duan bukën, duan jetën. Përballë këtyre kërkesave s’ka më justifikime…Zgjidhje ka dhe ato do gjenden, por kjo heshtje e gjatë me muaj, është përgjegjësia e juaj, e parlamentit, qeverisë dhe deputetëvë të zonës, e zyrës së tatimeve dhe taksave, bankave dhe organeve të tjera shtetërore. Kompanitë falimentojë por populli nuk mund të falimentojë…Ju flm për pergjigjen por unë dhe qytetarët atje në Ballsh dhe në të gjithë vendin presim zgjidhjen…! Me respekt Përparim Kabo





















