Bukën e përditshme falna zoti Rama!

347
Sigal

Nga Ylli Dylgjeri

Deri me tani kam ndjekur me vëmëndje paketën tuaj që ende nuk e keni ndarë mendjen është sociale, ekonomike, apo social-ekonomike.

Them Paketa Yt-e dhe jo e Im-ja, sepse deri më tani paketa është ofruar, ose është studiuar që shumica të mos marrë dhe veçanërisht të përjashtohen shtetasit jo Rilindas.

Them shteti Yt dhe jo i Imi se deri më tash Unë se gjej veten në asnjë kategori apo shtresë të përkrahjes sociale. Për të kuptuar lexuesi po i rikujtoj se sot jam i pa punë prej 13-të muajsh nga një largim arbitrar që Gjykata Administrative e rrëzoi, si të pa mbështetur në asnjë ligj.

Gjykata e rrëzoi dhe më dha të drejtë. Unë fitova gjygjësisht ndaj padrejtësisë së Ministrisë së Financave dhe Qeverisë. Pra, kam fituar gjygjet ndaj vendimeve arbitrare, por nuk fitoj socialisht nga paketa financiare e po të njëjtës Ministri Financash dhe po të njëjtës Qeveri!

Në këto kushte, kryefamiljarë, i papunë, i izoluar në shtëpi duhet të pres se çfarë mbështetje mund të marr nga Shteti Yt (i imi) pa afat e pa asnjë shans.

Këtu me lind e drejta t’ju pyes edhe si Kryetar Shteti dhe siç thoni së fundi edhe si Baba:
Ku futem unë dhe kategoria ime që kanë fituar gjygjet nga akuzat arbitrare? Ku do të ha unë? Nëse nuk ka zgjidhje nga ju, më ler të lirë të luftoj me Coronën. Ose të më hajë Corona ose ta ha Unë Coronën. Kështu siç jam, nuk mund të ushqehem as me cironka!

Zoti Rama!
Të drejtohem Ty, sepse në këtë vend dhe Zoti është marrë me konçesion nga Rilindja!