Hysen Osmanaj: KQZ-ja nuk lejoi OSBE/ODIHR të vëzhgonin proces-verbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe numërimin e votave

504
Sigal

Hysen Osmanaj, ish-anëtar i KQZ-së

KQZ-ja veproi në shkelje të nenit 29 të Kodit Zgjedhor duke mos miratuar emërimin e komisionerëve të PD dhe LSI në ZAZ dhe për rrjedhojë edhe KZAZ-të nuk emëruan anëtarët e KQV, me këtë vendim degradoi i gjithë administrimi i zgjedhjeve nga administrate zgjedhore njëpartiake

KQZ-ja nuk lejoi OSBE/ODIHR të vëzhgonin proces-verbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe numërimin e votave

Petraq BARJAMI

Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ-së në intervistën për gazetën “Telegraf” evidenton shkeljet ligjore të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, në lidhje me vendimmarrjet në kundërshtim me Kushtetutën për dekretin e Presidentit për 30 qershorin, duke mos miratuar emërimin e komisionevëve të opozitës në ZAZ dhe në KZAZ, nuk emëruan anëtarët e KQV, duke degraduar gjithë administrimin e zgjedhjeve. Zoti Osmanaj thekson se KQZ-ja me 4 anëtarët e PS-së nuk lejuan vëzhguesit e OSBE/ODIHR që të vëzhgonin qendrat e votimit dhe paskëtaj edhe numërimin e votave.

-Zoti Osmanaj, cilat janë problemet kryesore qe evidentoi raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 Qershorit

– Është raporti më kritik dhe më me shumë probleme, në asnjë paragraf nuk citohet që zgjedhjet ishin demokratike. Largimi nga vëzhgimi i zgjedhjeve vendore nga përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE, ku ne jemi anëtarë me të drejtë vote tregon se këto zgjedhje janë njëpartiake, pa kandidatura alternative ose kandidatura farse dhe pa programe zhvillimore konkurruese, gjë që rrënon autonominë vendore të ndërtuar me aq mund gjatë këtyre viteve. Problemet me kryesore që evidenton raporti janë; paligjshmëria me të cilën u zhvilluan dhe administruan votimet e 30 Qershorit nga mos zbatimi i dekreteve kushtetuese të Presidentit për zgjedhjet, vazhdimin e procesit edhe pas daljes së dekretit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve, dekrete që mund të shfuqizohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe vendimmarrjet e KQZ-se dhe Kolegjit Zgjedhor në shkelje të ligjit të cilat i vlerëson me korrektese raporti i OSBE/ODIHR, vendime të cilat nuk krijuan siguri juridike për procesin zgjedhor. Së dyti, raporti thekson se në këto votime nuk u përfill interesi i zgjedhësve, kjo do të thotë se u vlerësuan më shumë interesat e pushtetit. Së treti, mendoj se një nga problemet kryesore është edhe administrata zgjedhore dhe administrimi i procesit zgjedhor, administrata zgjedhore në të gjitha nivelet nuk ishte e balancuar politikisht në shkelje të ligjit zgjedhor dhe akoma më keq ishte vetëm e një forcë politike, e PS-së dhe siç e thekson raporti dhe anëtarët e caktuar kryesisht të KZAZ-ve dhe KQV-së ishin po të PS dhe më e keqja në kundërshtim të hapur me ligjin disa nga anëtarët e këtyre komisioneve, por dhe nga anëtarët e grupeve të numërimit ishin kandidat në listat e kandidatëve për anëtar të këshillave bashkiake. Ka dhe problematika tjera të cilësuara në raport që i bëjnë votimet e 30 Qershorit të papranueshme, në kundërshtim me parimet dhe standardet e konventave ndërkombëtare për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike edhe ato për mbrojtjen e të drejtave dhe liritë themelore të njeriut, të pranuara dhe të firmosura dhe nga vendi ynë.

Derisa OSBE/ODIHR theksuan se Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetenca të rrëzojë Dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e 30 Qershorit, A nuk janë tashmë de fakto, jo legjitime zgjedhjet e 30 Qershorit?

– Vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetenca të rrëzojë Dekretin e Presidentit të Republikës, por me sa di unë, Kolegji nuk është shprehur direkt për dekretin, ky është përdorur politikisht gjoja me ankesën e një partie politike pjesëtare e koalicionit të PS. Kjo kërkesë u përdor indirekt për t’i legjitimuar zgjedhjet. Për mendimin tim ankesa e PUK nuk ka lidhje me dekretin e Presidentit, gjë të cilin e konfirmon dhe konkluzioni ne raport, ku thekson se Kolegji Zgjedhor mori vendime nën presin në shkelje të ligjit nga frika se gjyqtarët ishin para vettingut dhe kjo është një e vërtetë. Kolegji me shtyrjen e datës se zgjedhjeve nga Presidenti nuk duhej të pranonte as një ankesë për zgjedhjet, pasi vendimet ishin nul, e si rrjedhojë në çdo shtet demokratik ku sundon ligji i së drejtës votime të tilla janë jo legjitime, edhe në Shqipëri mbështetur në ligjin themeltar të shtetit në Kushtetutën e Republikës i vetmi institucion qe dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare, vendore dhe referendumeve është Presidenti i Republikës. Diskutimi publik i dekretit të Presidentit të Republikës nga KQZ-ja dhe vazhdimi i procesit zgjedhor duke mos dalë me vendim për vazhdimin e procesit zgjedhor i ngarkon me përgjegjësi ligjore aq më tepër kur raporti i OSBE/ODIHR e thekson se i vetmi institucion qe vlerëson dekretet e Presidentit është Gjykata Kushtetuese.

– Derisa OSBE/ODIHR thekson se KQZ ka marrë vendime politike jo në zbatim të Kodit Zgjedhor, a nuk e bën nul gjithë procesin zgjedhor të 30 Qershorit?

– KQZ-ja dhe e gjithë administrate zgjedhore ka qenë e politizuar, pasi kanë qenë përfaqësues të partisë në pushtet e PS, por më bën shumë përshtypje veprimi i anëtarëve të KZAZ-ve dhe KQZ-së si kanë pasur guxim të shkelin ligjin zgjedhor, duke mos lejuar vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR të vëzhgonin proces-verbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe tabelat e rezultateve të numërimit të votave gjë të cilën e thekson raporti përfundimtar. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor të ndodhur në mes të një situate politike të tensionuar para dhe gjatë procesit të votimeve, me sa duket, ranë pre e kësaj situate aq më tepër kur nuk u lejuan as komisionerë nga opozita situata u rëndua më shumë dhe procesi zgjedhor doli jashtë binarëve ligjorë. KQZ-ja veproi në shkelje të nenit 29 të Kodit Zgjedhor duke mos miratuar emërimin e komisionerëve të PD dhe LSI në ZAZ dhe për rrjedhojë edhe KZAZ-të nuk emëruan anëtarët e KQV, me këtë vendim degradoi i gjithë administrimi i zgjedhjeve nga administrate zgjedhore njëpartiake.

Kush mban përgjegjësi ligjore për kryebashkiakët me rekorde kriminale që dolën pas procesit të votimit?

– Janë shumë pyetje për KQZ-në. Sa i përket verifikimit të figurave që zgjidhen dhe emërohen në detyra të larta shtetërore ligji i dekriminalizimit ngarkon KQZ-në të verifikojnë të gjithë të zgjedhurit në Kuvendi në zgjedhjet parlamentare, anëtarët e kabinetit qeveritar dhe te zgjedhurit vendor për kryetar bashkie dhe për anëtar të këshilli bashkiak. Në rast se në deklarimet e tyre ka kandidat që janë subjekt të ligjit të dekriminalizimit ata hiqen nga kandidimi dhe në rast se nuk kanë deklaruar dënime me vendime gjyqësore përsëri këta janë subjekte të verifikimit sipas ligjit, por pa marrë konfirmim nga institucionet e caktuar me ligj për verifikim KQZ nuk mund t’i heq nga kandidimi. Kur kandidatët në deklarimet e tyre kanë mashtruar, ata shkojnë për ndjekje penale, KQZ-ja pas verifikimit të formularëve nga sektori përkatës menjëherë i dërgon për verifikim në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme për të vërtetuar saktësinë e formularëve këto organe janë të detyruar brenda 10 ditëve të kthejnë përgjigje, ndërsa për kandidatët që kanë jetuar jashtë vendit KQZ-ja i dërgon për hetim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme, në rast se nuk i ka kryer këto detyrime ligjore, atëherë mban përgjegjësi. Duhet theksuar se verifikimi nuk mbaron me kaq, është në të drejtën e KQZ-së të vazhdoj bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme për të gjitha kandidaturat që ka indicie që mund të jenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

– A mund të garantohen zgjedhje të lira dhe demokratike me këtë KQZ dhe me këtë Kolegj Zgjedhor që kemi?

– KQZ dhe Kolegji Zgjedhor nuk ka mundësi dhe nuk e ka për detyrë të garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, kjo është detyrim i qeverisë e cila ka në varësi institucionet përkatëse për të kryer zgjedhje demokratike, KQZ dhe Kolegji janë organet më të larta për të administruar procesin zgjedhor në zbatim të rregullave që përcakton Kodi Zgjedhor. Sa i përket realizimit të standardeve të kërkuara në administrimin e një procesi zgjedhor kjo është detyrë e KQZ, por e theksoj se po të mos ketë vullnet të mirë politik të forcave politike konkurruese sado me përkushtim të punojë administrata zgjedhore, përsëri nuk arrihen standardet e kërkuara. Kodi Zgjedhor u garanton shumë të drejta dhe detyrime forcave politike, të cilat në rast se nuk i zbatojnë, i cenojnë standardet.

Reforma zgjedhore që pretendohet se do të bëhet, a duhet të depolitizojë dhe të departizojë gjithë administratën zgjedhore, duke filluar nga KQZ?

– Duke vlerësuar situatën e tensionuar dhe mosbesuese në mes forcave politike konkurruese para fillimit te proceseve zgjedhore, gjatë procesit, ditën e votimit dhe pas daljes së rezultateve jam skeptik dhe besoj se nuk do kemi rezultate pozitive, edhe nëse depolitizojmë administratën. Nga eksperienca në vëzhgimin e proceseve zgjedhore në vende të ndryshme rezulton se ka mënyra të ndryshme se si është organizuar administrate zgjedhore; l, E depolitizuar me anëtar komisionesh të dalë si vullnetar dhe një pjesë trupe e trajnuar dhe certifikuar për zgjedhje. 2 Procesin e drejton qeveria, ministria e Brendshme, ose e pushtetit lokal por gjysma e administratës është me përfaqësues nga opozita. 3 Me përfaqësues nga administrata shtetërore dhe partitë politike. 4. Me përfaqësim politik, ku shumica dhe pakica parlamentare kanë baraspeshë në përbërje të komisioneve dhe përgjegjësi të barabarta për kryerjen e procesit. Unë mendoj se depolitizimi i administratës zgjedhore duhet të bëhet hap pas hapi duke u kombinuar dhe me futjen e teknologjisë në votime, kam parasysh dhe e mbështes dhe një opinion të Komisionit të Venecias, i cili thoshte, se në Shqipëri është vështirë të gjesh, jo një institucion të pavarur, por dhe një person të pavarur.