Hetimi i Parlamentit italian : Mbetjet e rrezikshme nga Italia janë trafikuar edhe drejt Shqipërisë

541
Flet për Avvenire.it / Alessandro Bratti, kreu i Komisionit parlamentar për hetimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me trafikun e mbetjeve nga Italia në drejtim të vendeve të tjera.

Denoncimi i “Pianeta Italia” mbi kontenierët me lëndë kimike që kanë hyrë në Shqipëri
Vetëm dy ditë më parë mediat italiane bënë publike skandalin e 1300 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se janë zhdukur në Shqipëri dhe që ishin nisur nga porti i Goia Tauro-s në Itali. Ky është një ndër portet më të rëndësishme në Itali nga prej nisen një numër i madh kontejnerësh me mbetje drejt vendeve të ndryshme për t’u groposur. Kujtojmë se porti Goia Tauro-s në Itali është porti nga ku u zhdukën armët kimike që do të vinin në Shqipëri për t’u çmontuar, sipas një marrëveshje që Kryeministri Edi Rama bëri me ndërkombëtarët, sapo mori detyrën në 2013. Por, protestat e mëdha dhe të vendosura popullore prej disa ditësh, bënë që Rama të tërhiqej nga mbërritja në Shqipëri e armëve kimike. Katër vite më vonë, sërish ky port në Itali është “bërë” protagonist. Prej andej ka dyshime të forta se janë nisur 1300 kontejnerë me mbetje të rrezikshme dhe ndodhen në vendin tonë. Gjithashtu mediat italiane kanë hedhur dritë mbi një skandal ku Shqipëria është në qendër të tij, e që ka të bëjë me importin e plehrave në Shqipëri. Sipas investigimit të një media italiane, bëhet fjalë për rreth 2600 kontejnerë secili, me 22 ton mbetje që duhej të përfundonin për t’u ricikluar në Maqedoni, por në Shkup mësohet se kanë përfunduar vetëm rreth 1130 kontejnerë. Por shumica e tyre nuk kanë mbërritur në Maqedoni dhe kanë ndryshuar drejtim për në Shqipëri. Sipas asaj që shkruan media italiane, kontejnerët me mbetje janë zhdukur në doganën e “Qafë Thanës”. Bëhet fjalë për lëndë kimike shumë të rrezikshme që dyshohet, se janë groposur në Shqipëri. Janë përdorur në dokumente si tranzit për në Shkup, por që nuk e kanë kaluar asnjëherë kufirin shqiptar për në Maqedoni.
Reagojnë Doganat Shqiptare 
Menjëherë pas lajmit të mediave italiane mbi zhdukjen e 1130 kontejnerëve në përbërje të të cilave kishte edhe mbetje toksike dhe helme reagon drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në sqarimin e saj më 1 mars 2017 “Mbi tranzitin ndërkombëtar nga Shqipëria në vitin 2016” ajo thekson: “Lidhur me artikujt e publikuar gjatë dy ditëve të fundit në media, për tranzitin ndërkombëtar nga Shqipëria, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave informon opinionin publik se: Për vitin 2016 nga Porti i Durrësit janë tranzituar drejt Maqedonisë, nëpërmjet Degës Doganore Qafë Thanë, 1120 tranzite ndërkombëtare me kontejnerë. Nga verifikimet e kryera në deklarimet e përshkrimit të mallrave/artikujve të transportuara në këto tranzite ndërkombëtare kanë qenë mallra kryesisht ushqimore Të gjitha këto tranzite kanë kaluar në doganën shqiptare, me Doganë hyrëse Durrësin dhe Doganë dalëse Qafë Thanën dhe këto tranzite rezultojnë të mbyllura në sistemin tonë elektronik brenda afateve të përcaktuara. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk ka pasur ndonjë shqetësim të ngritur nga homologët lidhur me këtë çështje, por referuar këtij artikulli ka komunikuar zyrtarisht me doganat homologe në Itali dhe në Maqedoni, dhe pret një konfirmim zyrtar prej tyre”, përfundon njoftimin e saj zyrtar Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Parlamenti italian po heton. Mbetjet e rrezikshme nga Italia janë trafikuar edhe drejt Shqipërisë
Ndërkohë që institucioni i doganave shqiptare lëshonte këtë sqarim një tjetër fakt tronditës nga Parlamenti italian rrëzonte atë çka thoshte njoftimi i Doganës Shqiptare. Ky lajm tashmë nuk vjenë nga njerëz apo media anësore por atë e pohon në një intervistë për Avvenire.it, Alessandro Bratti, kreu i Komisionit parlamentar për hetimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me trafikun e mbetjeve nga Italia në drejtim të vendeve të tjera. “Ka ende një trafik të lëndëve të rrezikshme drejt vendeve të huaja? Sigurisht, por është shumë ndryshe nga ai i viteve 1980-90. Atëherë kjo gjë bëhej nga ‘Zotërit e luftërave’ drejt Somalisë ose Lindjes së Afërme, duke i këmbyer me armë ose ndihma. Ne jemi duke hetuar në ato trafiqe, por edhe në këto të sotmet”. Kështu ka shpjeguar në një intervistë për Avvenire.it, Alessandro Bratti, kreu i Komisionit parlamentar për hetimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me trafikun e mbetjeve nga Italia në drejtim të vendeve të tjera.“Në radarin tonë ne kemi disa çështje për të hedhur dritë në të shkuarën dhe të tashmen, e duke zbuluar e zbardhur dokumente të reja në lidhje me trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme”, ka thënë Bratti. Duke folur për gazetën e njohur italiane, parlamentari shpjegon se ka pasur probleme me mbetjet italiane që janë trafikuar jashtë vendit. “Mbetjet italiane dërgohen nëpër vende të ndryshme, si në Gjermani, Austri, por më pas nisën dyshimet se plehrat që dërgoheshin atje, nuk ishin ato që deklaroheshin. Përderisa në Gjermani dhe Austri respektohen ligjet e vendeve ku dërgohen mbetjet e Italisë, ka shumë dyshime se në vende si Portugalia, Rumania, Bullgaria, Shqipëria, Kroacia e Maroku kjo gjë nuk ndodh”, është shprehur Alessandro Bratti për’Avvenire.it në janar të këtij viti. Më pas, Bratti shprehet se deri pak vite më parë, Interpoli nuk i hetonte shumë krimet e ambientit, por në 4-5 vitet e fundit ky lloj krimi ka njohur një zgjerim të pabesueshëm. Italia ka një njohje të hershme me këto krime dhe për këtë ka bërë hetime, por vendet e tjera nuk janë shumë imune ndaj këtij lloj krimi.”

Realiteti 
Shqipëria vazhdon të përdoret jo vetëm si portë e shqyer për kalimin transit të mbetjeve toksike dhe lëndëve kimike me rrezik për jetën e mjedisin, por edhe si “depozitë” dhe gropë e hedhjes së këtyre lëndëve kancerogjene, që vrasin jo vetëm mjedisin, bimësinë, tokat e ujin, por edhe jetën e banorëve të zonave ku evadohen e groposen. ka shumë raste, të denoncuara në 25 vitet e fundit, që flasin për depozitimin e këtyre lëndëve kimike kancerogjene mbetje industriale, të cilat në shkëmbim të pazareve mafioze me shtetarë e kompania vendase dhe të huaja që operojnë në vendin tonë, futen nga rajoni, Evropa dhe shtetet tjerë të botës, ku ka kontroll dhe ndalim e ndëshkim të rreptë për asgjësimin e tyre. Edhe në Shqipëri ka ligje, vendime, urdhëresa, institucione e nënshkrim konventash rajonale dhe ndërkombëtare, por nuk zbatohen. Nga mafia e lëndëve toksike civile e ushtarake, ilegalisht dhe me letra qeverie, janë futur në Shqipëri mijëra ton mbetje kimike, mbetje prodhimesh fasone, mbetje ushqimore, mbetje metalurgjie, minierash e hidrokarburesh, skrap e gjithçka që në vendet prej nga kanë ardhur, nuk lejohet as të groposen. Faktet tronditëse të denoncuara dje në Telegraf nga Prof. Sazan GURI se sëmundjet e shtuara kanceroze, leucemitë ndër të rinjtë e sotëm deri në 25 vjeçarë dhe vdekjet nga sëmundje të pashpjegueshme kanë si shkak, pikërisht këto mbetje kimike të sjella ndër vite me plehra dhe ushqime të pakontrolluara.
Sigal