Dr. Bujar Leskaj: KLSH, luftë të thelluar kundër korrupsionit

648
Zhvillohet Analiza vjetore e KLSH-së për vitin 2016
-Veprimtaria e KLSH-së përshkohet nga një luftë e thelluar kundër korrupsionit

Në datat 27-28 shkurt 2017, në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Kontrolli i Lartë i Shteti zhvilloi analizën vjetore për vitin 2016. Kjo analizë vjetore e përgjithshme vijoi pas kryerjes se analizave vjetore të departamenteve të auditimit në disa nga universitetet kryesore publike të vendit në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Ajo përmblodhi edhe gjetjet, sugjerimet dhe vërejtjet nga ana e profesoratit dhe e shoqërisë civile të këtyre qyteteve, të cilët KLSH i falënderon për pjesëmarrjen dhe kontributin, por sidomos profesoratin dhe studentët, qe na mikpritën në mjediset e tyre. Në këtë analizë morën pjesë, Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës, Z. Besnik Osmani, Zv/Presidenti i NIK-ut polak, z. Wojciech Kutyla z. Jacek Jezierksi, Këshilltar i Presidentit të NIK-ut polak, Eksperti Amerikan i Bankës Botërore për projektin e prokurimeve publike, z.Simeon A Sahaydachny, akademikë dhe profesorë, si Prof. Dr Jorgji Bollano, Prof. Dr. Sazan Guri, Prof. Dr. Sherif Bundo, Prof. Dr. Ago Nezha, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, rektori i Universitetit të Vlorës Prof.Dr. Roland Zisi, pedagogë dhe studentë të këtij universiteti, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile. Analiza Vjetore u hap me homazhe në nderim të dy audituesve të KLSH-së, të ndjerët Andi Buzo dhe Piro Imeraj, të ndarë papritur nga jeta. 
Në prezantimin e kësaj analizë institucionale, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj e përkufizoi veprimtarinë për vitit 2016 të KLSH si “Auditim në shërbim të qytetarëve”. “Së pari, kemi përmbushur detyrën dhe mandatin tonë kushtetues, duke realizuar 154 auditime nga 154 të planifikuara. Së dyti, nga auditimet e vitit 2016, KLSH ka zbuluar: Dëm ekonomik, parregullsi dhe shkelje financiare (në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin e 25.5 miliardë lekë Gjetjet e auditimeve të KLSH gjatë vitit 2016 kanë rritur treguesin e dobishmërisë, efektivitetit të institucionit, një tregues ky qendror i Kuadrit të Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, që vendos në raport sasinë e dëmit të kërkuar për zhdëmtim në Buxhetin e Shtetit, me sa i kushton taksapaguesve një SAI, i përdorur gjerësisht nga institucionet moderne evropiane të auditimit suprem dhe nga GAO amerikane. Për vitin 2016, për një lek të harxhuar nga KLSH, institucioni ka kërkuar shpërblimin e dëmit ekonomik për 78 lekë, e barabarte kjo me katër vite të marra së bashku, 2008, 2009, 2010 dhe 2011. Për pesëvjeçarin 2012-2016, mesatarja e treguesit të dobishmërisë ishte 127 lekë, ose mbi 6 herë më shumë se mesatarja e pesëvjeçarit 2007-2011(20.6 lekë). Shifrat flasin vetë”.
Ndër të tjera, Kryetari Leskaj theksoi se veprimtaria e KLSH-së përshkohet nga një luftë e thelluar kundër korrupsionit, ku çdo javë bëhet nga një kallëzim penal, një indikator ky që provon se Kontrolli i Lartë i Shtetit ndodhet në frontin e parë të luftës kundër korrupsionit. 

Audituesi i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, në fjalën e tij, falënderoi Kryetarin e KLSH-së për angazhim institucional dhe personal që ka treguar për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Institucioneve Supreme të Auditimit. Duke bërë një prezantim të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, z. Besnik Osmani theksoi se midis KLSH-së dhe ZKA-së ekziston një marrëdhënie e natyrshme, e cila është konkretizuar me ripërtëritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve. “Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, do të jetë gjithmonë një shtëpi e dytë për audituesit e Shqipërisë”, përfundoi fjalën tij z.Osmani.

Në përshëndetjen e tij, Rektori i Universitetit të Vlorës, z. Roland Zisi, theksoi se bashkëpunimi midis këtij universiteti dhe KLSH-së është kthyer tanimë në një traditë dobiprurëse për të dyja institucionet, veçanërisht për Universitetin e Vlorës. Sipas tij, Universiteti “Ismail Qemali” sheh tek KLSH-ja një ekspertizë të çmuar për implementimin e ligjit të ri të arsimit të lartë dhe të zhvillimit të veprimtarisë së tij në përputhje me kuadrin ligjor.

Prof. Dr. Jorgji Bollano, në emër të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, vlerësoi rolin e KLSH-së në përmirësimin e menaxhimit financiar publik, me auditime që venë theksin në zbatimin e standardeve të kontabilitetit. Profesori i shquar theksoi se bashkëpunimi që ofron Kontrolli i Lartë i Shtetit me ekspertët kontabël, reflektuar konferencat e përbashkëta dhe punimet shkencore të botuara në Revistën Auditimi Publik, ka ofruar zgjidhje për problemet e njësive ekonomike. “KLSH është një shembull për të gjitha institucionet në organizimin e konferencave dhe workshopeve ku profesionistë të fushave të ndryshme mund të kontribuojnë në forcimin e mirë menaxhimit të financave publike”, përfundoi Prof. Dr. Jorgji Bollano.

Prof. Dr. Sazan Guri në diskutimin e tij u përqendrua në bashkëpunimin e KLSH-së me organizata të shoqërisë civile, organizata të profesionistëve të fushës dhe me botën akademike që ka vijuar të jetë prioritet në punën e KLSH-së. Prof.Guri, evidentoi faktin që KLSH ka lidhur 42 marrëveshje bashkëpunimi, nga të cilat 24 me OJF, 12 me institucione homologe dhe të tjerat me institucione shtetërore dhe Universitete Publike. Të gjitha këto marrëveshje kanë ndikuar në rritjen e transparencës së veprimtarisë së KLSH-së dhe në forcimin e kapaciteteve të audituesve.

Dita e parë vijoi punimet me prezantimin e analizave vjetore për çdo departament, me prezantimin e auditimeve me impakte të rëndësishme dhe me efekte të konsiderueshme në menaxhimin e financave publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si auditimi i performancës mbi marrëveshjet hidrokarbure në Shqipëri, auditimi në Infrastrukturën Rrugore, Auditimet në Menaxhimin e Financave Publike, Auditimet në Dogana dhe Tatime, Auditimi në Sistemet Informatike, Auditimet në administrimin e pronave, etj.
Dita e dytë e Analizës vjetore pati në qendër të punimeve sfidat që ka KLSH-së për të forcuar më tej pozitën e saj si “agjente e qytetarëve”, në tre fusha: të zbatimit të standardeve ndërkombëtare ISSAI, të luftës kundër korrupsionit dhe rritjes së transparencës nëpërmjet zgjerimit të kanaleve të komunikimit.

Në arritjen e këtyre objektivave, KLSH do të asistohet edhe nga Banka Botërore dhe Zyra Polake e Auditimit (NIK), në kuadër të projektit IPA. Eksperti Amerikan i Bankës Botërore për projektin e prokurimeve publike, zoti Simeon A.Sahaydachny njoftoi gjatë Analizës Vjetore se BB do të ndihmojë KLSH në krijimin e një manuali për prokurimin publik dhe në forcimin e kapaciteteve audituese të KLSH-së në fushën e prokurimeve.
Zv/Presidenti i NIK-ut polak, z.Wojciech Kutyla, bëri një prezantim të vitit të parë të zbatimit të projektit IPA “Forcimi i kapaciteteve të auditimit të Jashtëm në Shqipëri” dhe të rezultateve që janë arritur mes audituesve shqiptarë dhe ekspertëve të projektit në funksion të modernizimit të KLSH drejt parametrave të Institucioneve Supreme të Auditimit të Evropës. Zoti Jacek Jezierksi, Këshilltar i Presidentit të NIK-ut polak shpalosi Strategjinë e EUROSAI-it për vitet 2018-2023 dhe analizoi objektivat e kësaj strategjie, me qëllim që SAI-t të kontribuojnë në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, si pjesë e Axhendës 2030 të OKB.

Gjatë analizës, një rëndësi e veçante iu kushtua kolanës së botimeve të KLSH-së, e cila në pesë vitet e fundit 2012-2016 është pasuruar me 67 tituj, përkundrejt 12 titujve në periudhën 1991-2011. Kolana përçon drejtimet strategjike të reformimit të institucionit, që janë rritja e kontributit në përmirësimin e qeverisjes publike. Botimet e KLSH-së janë zbatim i detyrimeve ndërkombëtare të angazhimit të institucioneve të auditimit edhe në fushën e botimeve të dokumentacionit për t’i mundësuar qytetarëve një akses më të gjerë. Kolana e botimeve, e cila pasurohet nga viti në vit, pasqyron çdo kronikë të reformave që ka nisur KLSH dhe nëpërmjet tyre, rritet transparenca dhe llogaridhënia e institucionit, duke rritur njëkohësisht edhe besimin e qytetarëve ndaj punës së KLSH-së. 
Analiza për vitin 2016 është një moment reflektimi për të ardhmen dhe në këtë kontekst Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, foli mbi perspektivat për vitin 2017, viti i realizimit të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH 2013-2017. Kryetari Leskaj theksoi se KLSH do të konsolidojë auditimet e përputhshmërisë bazuar në standardet ndërkombëtare, auditimet financiare, në veçanti në certifikimit të pasqyrave financiare, si dhe do të rrisë numrin e auditimeve të performancës në 10-15% të auditimeve totale dhe auditimet IT në 50%.”Integriteti dhe etika do të jenë në themel të punës audituese. Do shtojmë prezencën në Parlament, në komisione për Ekonomitë dhe Financat si dhe në komisionet hetimore”, theksoi ndër të tjera kreu i KLSH-së. Kryetari i KLSH-së, në përfundim të fjalës së tij iu uroi suksese audituesve në punën e tyre për vitin në vijim, duke e mbyllur me një citim të Krye-kontrollorit te SHBA-ve, z.Gene L. Dodaro, mikut të Shqipërisë, KLSH-se dhe shqiptareve: ” Ne në GAO nuk bëjmë politika, as marrim vendime politike. Kjo i takon Kongresit. Por ne besojmë se duke u bazuar në të dhëna të shëndosha, zyrtarët publikë kanë më shumë gjasa të marrin vendime të informuara dhe të bëjnë gjënë e duhur. Ky informacion i besueshëm dhe objektiv është i nevojshëm urgjentisht sot, për shkak të shumë sfidave fiskale, sociale dhe të sigurisë me të cilat përballet kombi ynë”.

Gjatë ditës së dytë, analiza u ndal në një moment të veçantë, atë të promovimit të librit të sociologut Gëzim Tushi. Kryetari i KLSH-së u shpreh se z.Tushi përfaqëson një personalitet të shquar të sociologjisë dhe politologjisë. “Z. Gëzim Tushi ka një kontribut të çmuar krijues si sociolog dhe politolog, duke qenë autor i 20 librave, që kanë në qendër qytetarin, shoqërinë civile, moralin dhe shtresat në nevojë. Ato ofrojnë një ballafaqim me problematikat sociale të vendit tonë dhe orientojnë shoqërinë, si në nivelin e qytetarit ashtu edhe të shtetarit, drejt atyre qasjeve që i adresojnë në thelb këto problematika”. Analiza vjetore 2016 u mbyll me mbajtjen e një leksioni tepër interesant nga z. Gëzim Tushi me audituesit e KLSH-së.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në qytetin e Vlorës, audituesit e KLSH-së me grupe vizituan Muzeun e Pavarësisë dhe Galerinë e Arteve të këtij qyteti.
Analiza e KLSH-së u ndoq me interes nga mediat kombëtare, të cilat në edicionet e lajmeve transmetuan mesazhe të kësaj analize, ndërsa televizioni lokal 6+1 e transmetoi të plotë analizën e veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2016.
Sigal