Haxhinasto: “Qytetarët të denoncojnë çdo rast shkeljeje dhe vonesë”

478
Sigal

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kërkon transparencë dhe shkurtim të afateve në procesin e privatizimeve

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, kërkoi dje, gjatë një takimi me drejtorët e privatizimeve, transparencë dhe zbatimin e afateve në procesin e privatizimit të aseteve kombëtare. Zv/kryeministri Edmond Haxhinasto theksoi gjithashtu se, do të ulen edhe afatet e procesit të privatizimit të këtyre aseteve. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është në proces vlerësimi të gjithë procesit të privatizimit të këtyre aseteve. Qëllimi është për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin”, deklaroi ministri Haxhinasto. Haxhinasto, theksoi se, ministria ka si qëllim eliminimin e të gjitha vonesave burokratike në hallkat e procesit të privatizimit. “Janë në proces privatizimi Albpetroli, HEC-et Bistrica 1, Bistrica 2 dhe ai i Shkopetit, ndërsa 1300 objekte të tjera, ose janë në proces, ose janë të gatshëm për të hyrë në procesin e privatizimit”,- tha Haxhinasto. Ministri i METE-s, Edmond Haxhinasto, garantoi se çdo hallkë e këtij procesi do të jetë në përputhje me ligjet e vendit dhe për këtë kërkoi edhe angazhimin e degëve të prokurimeve publike në rrethe, prefekturave dhe zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ministri Haxhinasto, gjithashtu, i bëri thirrje qytetarëve të interesuar për privatizimin e aseteve që të denoncojnë çdo rast shkeljesh të vonesave si pranë autoriteteve të zbatimit të ligjit ashtu edhe pranë METE-s me qëllim që vlerat kombëtare të jenë një impuls i rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe jo të përbëjë akte korrupsioni