“Hashashi është bërë i gjatë sa kryeministri, Sajmiri na thotë: Nuk e tregon sateliti”

662
Ne që po shkruajmë, njoftuam mbjellësit e drogës në zonën tonë, se do të shkruanim një letër të hapur, por ata na thanë të mbyllim gojën e të mos flasim për drogën në katundin tonë, se “çunat e shefit, kanë gati belçikun”, mirëpo ne pleqtë “zevzekë” nuk e mbyllim dot gojën kur shikojmë që bëhen prapësi e nuk pranohen. Djali ynë ministër, Sajmua po e bënë hasha në mes të ditës e sy për sy, që edhe Nivicë, si në gjithë Labërinë e Tepelenës, Vlorës e Sarandës hashashi “është bërë det”. Jemi ca pleq të mbetur në fshatin Nivicë të Tepelenës, që merremi me bagëti, banorë të katundit të origjinës të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Edhe në katundin tonë, hashashi është mbjell e “ka marrë malet”. Nuk ka mbetur asnjë pëllëmbë tokë pa hashash, aq sa kanë nisur ta mbjellin rrënjë-rrënjë edhe nëpër gjyma, sapllake e ibrikë uji të vjetër! Kur na zunë kullotat me forcë e na përzunë ata horrat e drogës që vinin me makina policie, i shkruajtëm Saimirit, djalit të katundit tonë, që t’i largonte se po na ngordhnin bagëtitë në kasolle, ngaqë nuk i çonim dot në kullota se na vrisnin ata. 

Ai na dërgoi haber me ca djemtë tanë që i ka veshur komandant në polici, se… “e paska parë me satelit nga zyra, që në katundin tonë nuk është mbjell asnjë rrënjë drogë! Ne nuk e dimë se ç’është ky rufjan me emrin “Satelit” që po bënë hasha, hashashin që ne e shikojmë me sy përditë, por me këtë haber që na ka dërguar, ose Sajmua ynë nuk është në rregull nga trutë, ose e ia ka marrë mendtë hashashi! Se në katundin tonë është vitit i tretë që mbillet e korret hashash që ruhet nga “brigada” policie dhe transportohet me makinat e policisë, siç transportohej dikur kashta e grurit dhe lëpushkat e misrit me zetorët e kooperativës. Këtë e di gjithë fshati e mbarë dynjaja. Ne vërtetë nuk e kemi parë me satelit si Sajmua, por e kemi parë më sytë tanë që hashashi në Nivicë e në giithë Labërinë është bërë i gjatë sa kryeministri, kurse Sajmua ynë, thotë: Sateliti nuk më tregon që në fshatin tonë ka drogë…!
Sigal