Hakerat iranianë publikojnë 4 lista me afro 1 mijë emra e foto, nxjerrin policët e gjithë Shqipërisë me emra, foto dhe ID

Hakerat që kryen sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë nuk ndalen së publikuari dokumente, të pretenduara se kanë dalë nga radhët e institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Në kanalin e “Telegram”-it “Homeland Justice”, janë bërë publike lista të pretenduara të efektivëve të Policisë së Shtetit. Listat kanë foto, emrin, mbiemrin, atësinë, datëlindjen, vendlindja dhe ID. Dyshohet se listat mund të jenë të vjetra pasi disa nga personat aty janë larguar nga Policia e Shtetit kohë më parë. Kësaj radhe, hakerat nuk janë mjaftuar me vetëm publikimin e materialeve, por bashkëngjitur kanë edhe një kërcënim. “Mbase këta këtu janë objektivat e radhës”, kanë shkruar hakerat ne mesazhet bashkëngjitur materialeve qe kane publikuar se fundi. Deri tani hakerat kanë publikuar të dhëna sensitive nga e-mail-et e ministrave dhe kryeministrit. Ata kanë shpërndarë herë pas here material të Policisë së Shtetit, pamjet filmike të kamerave të sigurisë në pikat kufitare të vendit, përfshirë dhe aeroportin “Nënë Tereza”, duke i shpallur ‘luftë’ shtetit shqiptar. Vetëm një javë më parë qarkulloi një material me emra shqiptarësh e foto, mes tyre dhe të inkriminuar. Pavarësisht se Homeland Justice deklaroi se ishte kartoteka e MEMEX, Policia e Shtetit e mohoi një gjë të tillë.

NOA