“Donin të transportonin 100-200 kg kokainë në javë drejt Zvicrës”/ Indrit Beqiraj rrëfen ofertën për trafik droge: Nuk u realizua sepse…

113
Sigal

Indrit Beqiraj, i arrestuar pak ditë më parë në kuadër të operacionit “Porositësi” së bashku me vëllain e tij Gentianin, ka dëshmuar edhe për implikimin në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas dëshmisë  Beqiraj ka treguar se ofertën e ka marrë nga shtetasi Ilirjan Feçi, ky i fundit i arrestuar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.

Beqiraj thotë se ka takuar në Durrës dy persona që nuk i njihte, teksa ata i kanë treguar për linjën e trafikut të kokainës nga Franca në drejtim të Zvicrës.

Ai është shprehur se i është kërkuar transporti i 100-200 kg kokainë në javë drejt Zvicrës. Por sipas Beqirajt, kjo nuk u realizua pasi kishte një rrezik të lartë.

“Kam ndenjur disa herë me shtetasin Ilirjan Feçi i cili më thotë se kishte qenë në Francë dhe kishte gjetur linja shumë të fuqishme kokaine. Bashkë me Ilirin kemi takuar dy djem te lokal M. në Durrës, të panjohur për mua dhe vëllain tim, që ishin të interesuar për blerjen e drogës.

Por kjo punë nuk u bë pasi unë i thashë që hapi sytë se mund të të vrasin me këtë lloj sasie, pasi bëhej fjalë për 100-200 kg kokainë, që do të transportohej çdo javë dhe do kalonte nga Franca dhe ata çunat e donin në Zvicër. Këta djemtë siç thashë nuk i njihja vetë, por nga biseda kuptova që ata ishin kushërinj të një mikut të ngushtë të Ilirjanit nga Fushë Kruja”, ka dëshmuar Indrit Beqiraj.

Dy personat e interesuar për të blerë kokainën dhe transportuar atë deri në Zvicër sipas Beqirajt, lëviznin me një makinë “Golf 5”, ndërsa pas këtij takimi, Ilirjan Feçi arrestohet si i implikuar në disa ngjarje të rrëfyera nga Nuredin Dumani dhe nuk e realizoi dot trafikun.