Ministri i Energjisë, Gjiknuri, ka folur për një situatë jashtë kontrolli në pikat e karburanteve, ku gazi për automjetet shitet për përdorim familjar, e ku rreziku i shpërthimeve të bombolave mbetet evident. Sipas tij, qëllimi i këtij ligji ka qenë vetëm rritja e sigurisë në tregtimin e gazit.
Por në mbledhjen e djeshme, deputetja Blerina Gjylameti kërkoi një qëndrim nga Grupi i saj Parlamentar në lidhje me shtyrjen e zbatimit të ligjit për lojërat e fatit. Gjylameti është një nga gjashtë deputetët që ka firmosur shtyrjen e zbatimit të këtij ligji për dy vjet. Por kreu i Grupit, Ruçi, është shprehur se ende nuk ka një qëndrim të Grupit. E gjendur në këtë situatë, Gjylameti ka informuar Grupin
Erjon Braçe: Zoti Ruçi, në lidhje me rritjen e akcizës së gazit për automjetet, unë jam dakord që ajo të rritet. Por kur shoh aleatin tonë, duket sikur PS kërkon të rëndojë qytetarët me taksa dhe LSI sikur kërkon t’i ruajë nga rritja e taksave. Ne duhet të sqarojmë qytetarët përse po vendoset akciza. Për këtë duhet të ulemi me LSI-në dhe të flasim, sepse ata propozojnë heqjen e akcizës dhe ne vendosjen e saj. Mendoj se ne duhet të sqarojmë më mirë në publik se cili është qëllimi i vendosjes së akcizës.
Erjon Braçe: Doja të tërhiqja vëmendjen edhe për një fenomen që po ndodh në zonën e Myzeqesë. Drejtorët rajonalë po sjellin kosto për qeverisjen. Drejtoria Rajonale e Bujqësisë në Lushnjë ka shpërndarë vaksina për dermatozën nodulare vetëm te fermerët e LSI-së, duke krijuar pakënaqësi te fermerët e tjerë. Kush është ky drejtor që del mbi interesat e maxhorancës dhe programin e qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë? Po ashtu edhe mjekët e komisioneve të KEMP-eve po krijojnë probleme të paqena për qytetarët. Qytetarë që duket se janë të paaftë, u refuzohet KEMP-i. Përse nuk bëhen kontrolle nga instancat e varësisë? Unë do të thosha se ndonjë duhet arrestuar që të tregojmë shembullin tonë për të mbrojtur interesin e qytetarëve.
Arben Çuko: Shqetësimi i Erjonit për vaksinimin e gjedhit qëndron dhe favorizime të tilla ka dhe në zona të tjera të Myzeqesë.
Blerina Gjylameti: Doja të dija, zoti Ruçi, a ka një qëndrim të Grupit Parlamentar socialist për shtyrjen e zbatimit të ligjit për lojërat e fatit?
Gramoz Ruçi: Nuk ka një qëndrim për momentin nga Grupi. Nisma ka qenë e juaja si deputetë.
Blerina Gjylameti: Nuk është nisma ime. Mua m’u kërkua nga Grupi im Parlamentar që ta mbështesja nismën. Unë e firmosa, sepse mendova se është propozim i koordinuar i maxhorancës, por meqenëse ju nuk keni një qëndrim për këtë nismë, atëherë unë do ta tërheq emrin tim nga ky propozim për mungesë informacioni.
Gramoz Ruçi: Kur nisma të shkojë në seancë, ne do të shprehim qëndrimin tonë, por tani nuk e kemi.
Arben Ahmetaj: Zbatimi i këtij ligji shoqërohet edhe me një faturë financiare. Nëse fillon të zbatohet që tani, në buxhet krijohet një gropë financiare prej 2.5 miliardë lekësh, prandaj është mirë që ta shtyjmë për një periudhë.
Blerina Gjylameti: Nëse qëllimet e shtyrjes lidhen me faturën financiare, përse nuk dilni dhe ta bëni një nismë të qeverisë ose nismë të Grupit tonë Parlamentar, por ajo shkon si nismë e gjashtë deputetëve?
Edi Rama: Mendoj se kjo çështje mori përgjigje.