Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur kundër ligjit për barazinë gjinore, që pritet të miratohet në Kuvend.
Me anë të një postimi në Facebook, Meta thotë se ky është “një ligj i zi që godet në ADN familjen shqiptare”.
Sipas Metës, ligji “është detyrim-përcaktim që “Rilindja” ka ndaj qarqeve mafioze ndërkombëtare që duan të shkatërrojnë Shqipërinë”.
“Aleatët e errësirës kanë vendosur të fusin sonte për miratim në Kuvend, në orët e vona, ligjin anti-Familje dhe anti-Atdhe të “barazisë gjinore”, që godet në ADN familjen shqiptare dhe vlerat e shenjta të saj, si dhe kombin tonë, identitetin, traditat, historinë e kulturën.
Miratimi i këtij ligji të zi, të kundërshtuar nga të gjitha komunitetet fetare, në fakt është detyrim-përcaktim që “Rilindja” ka ndaj qarqeve mafioze ndërkombëtare që duan të shkatërrojnë Shqipërinë.
Është avancim i një anxhende antikombëtare të këtij Sekti, që në vazhdën e shpopullimit dhe shndërrimit të Atdheut në fermë të surogacisë, kërkon të shpërbëjë edhe me ligj familjen shqiptare.
Kush voton sot në errësirë pro këtij ligji voton kundër Familjes dhe Kombit Shqiptar!”, shkruan Meta.




















