Gjyqi i 3 marsit, avokati Gjokutaj: Gjykata e Apelit është e detyruar që të mos pranojë ankimin e Alibeaj&CO

128
Sigal

Avokati Genc Gjokutaj ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet lidhur me faktin se kush do ta ketë Vulën e Partisë Demokratike, grupi i Alibeajt apo ai i Berishës. Në një analizë në rrjetet sociale, Gjokutaj thotë se me datën 3 mars, Gjykata e Apelit Tiranë nuk do të gjykojë statutin e Rithemelimit të PD-së, të datës 11 dhjetor 2021.

Reagimi i Gjokutajt

Më datën 3 mars Gjykata e Apelit Tiranë nuk do të gjykojë statutin e Rithemelimit e PD të datës 11 dhjetor 2021 pasi:

1. Gjykata e Apelit në fillim të gjykimit, në bazë të ligjit, verifikon praninë e palëve dhe legjitimimin aktiv të tyre dhe posaccërisht legjitimimin e ankuesit (Alibeaj &Co) që ka ankuar çështjen!

2. Gjatë verifikimit të legjitimimit aktiv të ankuesit (Alibeaj & Co) Gjykata e Apelit do të konstatojë se ankuesi jo vetëm që nuk ka qenë palë në gjykimin në shkallë të parë, por as e ka kërkuar një gjë të tillë me kërkesë për njohjen e tyre (Alibeaj & Co) si palë e interesuar!

3. E vetmja kërkesë që ankuesit (Alibeaj & Co) kanë bërë gjatë gjykimit në shkallë të parë ka qenë përjashtimi i gjyqtarit të çështjes Z. Agron Zhukri nga gjykimi i çështjes! Kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtarit Z. Arben Konstandini, i cili ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Alibeaj & Co për përjashtim të gjyqtarit Z. Agron Zhukri pikërisht për shkak të mungesës së legjitimimit aktiv! Pra i palegjitimuari për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të shkallës së parë u legjitimoka që të ankohet ndaj vendimit të këtij gjyqtari (Agron Zhukri) siç në mënyrë haptazi të kundërligjshme ka ndodhur!

4. Në këto kushte Gjykata e Apelit është e detyruar që në fillim të gjykimit të vendosë mospranimin e ankimit të ankuesit (Alibeaj & Co) për mungesë të legjitimimit aktiv të tij pa i hyrë fare dhe pa shqyrtuar shkaqet e paraqitura në ankim!

Kjo është rruga ligjore dhe kështu do të ndodhë! Kush mendon dhe shpreson ndryshe nuk mund të ndihmohet dot as me presion politik dhe as me para!