Vendimi i Arbitrazhit ndërkombëtar në favor të biznesmenit Italian Francesco Beghetti do t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 14,5 milardë lekë.
Në lidhje me koston që i faturohet qeverisë pas këtij vendimi në favor të biznesmenit Beghetti ish-ministri i Financave Arben Malaj tha në një prononcim se duhet të dalë urgjentisht përgjegjësia individuale dhe të arresohet.
Siç u shpreh Malaj kostoja është e madhe dhe Shqipëria do të paguaj edhe shpenzimet e gjyqit duke qenë se ka kërkuar asistencë juridike.
Duke risjellë në vëmendje penalizimet dhe madje edhe dënimet e disa qytetarëve me burg për shkak se nuk kishin paguar faturat e dritave apo ujit, Malaj theksoi se lidhur me rastin “Beghetti” duhet të ketë përgjegjësi personale ligjore.
Intervista e plotë e Arben Malajt:
-Malaj, janë 110 milionë euro që bashkë me kostot e tjera do t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 14,5 milardë lekë. Por ndërkohë kemi dhe reagimin e ministrit Ahmetaj që ka thënë se Beghetti nuk do të marrë kokërr leku. Si mendoni se do të vijojë kjo ‘betejë’?
– Tashmë vendimi është marrë. Nuk preferoj të komentoj kolegët, por kjo është papërgjegjshmëri. Kostoja është e madhe. Shqipëria ka kërkuar asistencë juridike dhe do të paguaj edhe shpenzimet e gjyqit. Në këto 8 vite ka shumë momente kur ka dominuar arroganca. Ky është përfaqësim i keqqeverisjes. Ka vend deri edhe për përgjegjësi personale ligjore. Shqiptarët që nuk kishin paguar drita apo ujë u penalizuan dhe shkuan deri në arrestime dhe pati persona që u vetëvranë për këtë arsye. Nëse ka një kulturë dënimi të qytetarëve të thjeshtë, pse jo ndaj ligjvënësve. Çështjet individuale ti ndjekë gjykata. E vetmja gjë që duhet theksuar është se gjoba të tilla gërryejnë rritjen e varfërisë. Duhet urgjentisht që përgjegjësia individuale të dalë dhe të arrestohet, nuk mund të fshihet.
– Po ti shohim këto kosto, janë mbi 1.5 herë se buxheti që është dhënë për disa sektorë, p.sh për bujqësinë i cili ka marrë shumë pak mbështetje?
– Bujqësia vazhdon të mbështetet vetëm me 57 qindarka. Bujqësia në zinxhirin e saj prodhim grumbullin, ka agroturizëm, agrobiznes dhe jo vetëm që nuk ka mbështetje e rritje, por është përballur edhe me fatkeqësi natyrore. Sektori i bujqësisë në atë lloj krize nuk mund të zhvillohet pa rritur mbështetjen financiare.
– Zoti Malaj janë shumë çështje që shumë kompani, si Beghetti, Firma greke e Rrugës Tiranë -Elbasan, por edhe kompania turke për ndërtimin e HEC-it të Kalivacit e Poçemit e kanë çuar çështjen në ARBITRAZH. Por, kjo do të thotë një kosto e madhe për qeverinë shqiptare në kushtet kur borxhi publik ka arritur nivelin më të lartë?
-Unë jam munduar që njohuritë e mia të mos i mbaj për vete por t’i ndaj me publikun. Fakti që u tolerua rritja e borxhit, nuk u tolerua për partnerët publikë, por për të asistuar shtresat në nevojë dhe për t’i dhënë mbështetje biznesit. Rritja e investimeve qoftë nëpërmjet koncesioneve sipas studimeve të FMN është verifikuar dhe tregojnë që kemi përkeqësim të menaxhimit të financave publike. Është arritur në përfundim që humbjet janë 33%. 660 milionë euro janë para që janë keqpërdorur. Në kushtet e fatkeqësive njerëzit shpenzojnë për të shpëtuar jetë, por ata që vjedhin nuk e harrojnë zakonin.
/MCN TV