Gjykata e Strasburgut demaskoi pseudoreformën në Drejtësi

128
Sigal

Flet ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi Vetting-u është treguar selektiv, ka favorizuar klientët e partisë dhe është zbatuar keq. Vendimi i Gjykatës së Strasburbut ishte një hap i vogël në rrugën e drejtë që diskretiton reformën e kapur nga politika, e cila ka thithur fonde të jashtëzakonshme. Gent Trenova, fakti që 5 nga 6 anëtarë janë zgjedhur nga parlamenti tregon politizimin e KPK dhe KPA, e cila ka ende anëtar të tjerë me kritere të falsifikuara dhe që vazhdojnë të marrin vendime. Raporti i KE dhe ankimimi i SPAK për vendimin e Etleda Çiftes

Vetting-u është treguar selektiv dhe është zbatuar keq, Strasburgu një shpresë

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut ishte një hap i vogël në rrugën e drejtë për demaskimin e pseudoreformës në Drejtësi, e cila ka thithur fonde të jashtëzakonshme, ndërsa po duket çdo ditë e më qartë abuzimi, pasi çdo vendim po i kushton taksapaguesve dhe nivelit të besimit ndaj kësaj reforme.

Avokati Eduart Halimi u shpreh se kur u miratua në fillim reforma në drejtësi kishte një qëllimshmëri të mirë. Ai theksoi se me vendimin e Strasburgut për gjyqtarin Cani, tani gjyqtarët dhe prokurorët që janë shkarkuar në mënyrë jo të drejtë kanë një vend ku mund të drejtohen për të gjetur drejtësinë që po dështojnë ta gjejnë në sistemin e ri të Drejtësisë të krijuar në Shqipëri. “Kemi pasur një qëllim të mirë për reformën në drejtësi për të larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Kjo ishte arsye pse të gjithë e miratuam reformën në drejtësi të gjithë në 2016, por zbatimi i saj pas këtij viti u bë në disa raste jo mirë dhe në raste të tjera keq. Vettingu në disa raste është treguar selektiv dhe është një fakt ky tashmë. Është lajm i mirë ky për gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm. Vihet re se me një vendim të Strasburgut tashmë ka një dritare dhe kanë një hallkë që mund t’u japë të drejtë nëse ligji dhe reforma zbatohet keq” deklaroi eksperti ligjor dhe avokati Eduard Halimi

Gent Trenova: Drejtësia e varur nga politika! Reforma anti-kushtetuese, vendimi i Strasburgut për Canin një lajm i mirë

 

Ish-Prokurori i Apelit në Tiranë, Gent Trenova, komentoi vendimin e Gjykatës së Strasburgut se ish-prokurori Besnik Cani është shkarkuar nga detyra në shkelje të ligjit. Ish- Prokurori Trenova deklaroi se ky vendim i Strasburgut është vetëm një hap i vogël në rivendosjen e të drejtave të shkelura gjatë procesit të Vetting-ut dhe gjatë gjithë procesit të kësaj Reforme në Drejtësi, ndërsa shtoi se ky vendim ka ndezur një dritë jeshile se mund të ketë drejtësi edhe për shumë raste të tjera ku shkeljet kanë qenë të qarta. “E gjithë struktura e ngritur e kësaj reforme është mekanizëm anti-kushtetues dhe anti-demokratike, që cënon pavarësinë e gjyqësorit nga politika, parlamenti dhe qeveria. Që kur nisi ky proces, që me vendosjen e komisionit të KPK dhe KPA-së, të komisionit të Vettingut, që me ngritjen e institucioneve të reja, KLP dhe KLGJ, ku ka një përbërje të rëndësishme nga përfaqësues të parlamentit, pra janë 6 me 5, ku 5 përzgjidhen nga parlamenti, kanë bërë që të gjithë strukturat e ngritura të sistemit të drejtësisë, të ketë varësi nga politika.”-tha Trenova. Më tej ish-Prokurori Trenova, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Strasburgut për Besnik Canin, deklaroi se vendimet e gjyqtarit Luan Daci, janë vendime të një trupi gjykues që s’mund të quhet gjykatë. “Personi duhet gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj, një nga parimet themelore të konventës, nenit 6. Për rrjedhojë, të gjitha vendimet e marra në prani të Dacit, janë në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.“-tha Trenova. Ai u shpreh se po cënohet pavarësia e sistemit gjyqësor, ndërsa theksoi se mekanizmi i ngritur është djallëzor. “Rastet ku ka qenë pjesë e trupit gjykues Luan Daci, mund të jenë mbi 30 raste që ka marrë pjesë në shkarkime, vendimet për shkarkim. Dhe duke marrë parasysh se sa figurë e kontestuar është Daci, të gjithë kwto vendime janë në radhë për të kërkuar rivlerësim pasi nuk mund të konsiderohen si vendime të drejta.”-deklaroi Trenova.


Erion Bani e shpalli të pafajshme, SPAK ankimon vendimin për Etleda Çiftjan

Etleda Çiftja u mor e pandehur për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe “falsfikimi dokumentash”.

Prokuroria e Posaçme SPAK ka ankimuar vendimin e pafajësisë së dhënë nga gjykata e shkallës së parë për anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja. Lajmi njoftohet nga Zyra e Shtypit e Prokurorisë Speciale, në një komunikim telefonik me redaksinë e “Boldneës.al”. Etleda Çiftja u mor e pandehur për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe “falsfikimi dokumentash”. Gjyqtari i Posaçëm, Erion Bani, rrëzoi argumentat e prokurorisë dhe e shpalli të pafajshme Çiftja në 16 shtator 2022, në vijim të një procesi gjyqësor të mbushur me dyshime, anësi dhe konflikt interesi. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka kërkuar 1 vit burg për anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, Etleda Çiftja, të konvertuar në shërbim prove. Sipas SPAK, nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën me nr 14568 indeksi, datë dorëzimi 17.07.2017, ka kryer deklarim të rremë te pasurisë, e konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie pranë ish-Banka Emporiki – Shqipëri sh.a. Gjithashtu e pandehura Etleda Çiftja, ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, pasi kjo kontratë nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë. Për SPAK-un, kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë. Pavarësisht gjetjeve të Prokurorisë së Posaçme, anëtarja e Komisionit të Vetingut, Etleda Çiftja, u shpall e pafajshme nga gjyqtari Erion Bani. Ky vendim ishte lehtësisht i parashikueshëm, nisur nga një seri rrethanash që e paraprinë atë. Gjyqtari Bani, i shortuar për të shqyrtuar kërkesat paraprake të të pandehurës Çiftja, kishte kërkuar dorëheqjen nga rasti, nën dyshimet për konflikt interesi. Gjyqtari, më herët, është konfirmuar në detyrë nga një trupë e procesit të Vetingut, ku relatore ishte pikërisht Etleda Çiftja.