Gjosha, vizitë zyrtare në Malin e Zi: Bashkëpunimi rajonal, i domosdoshëm

420
Ministrja e Integrimit Europian, zhvilloi një vizitë zyrtare në Malin e Zi. Veç disa takimeve me zyrtarë të lartë të këtij shteti, Ministrja Gjosha mori pjesë në takimin e parë të Komitetit të përbashkët për integrimin Europian, mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. 

Ky komitet mblidhet pas marrëveshjes mes dy vendeve në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, nënshkruar në vitin 2015.  Në fjalën e saj përshëndetëse Ministrja Gjosha, nënvizoi rëndësinë e këtij takimi i cili thellon bashkëpunimin intensiv dhe të frytshëm mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në funksion të objektivit të përbashkët strategjik për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian me të drejta të plota. “Shqipëria dhe Mali i Zi, janë sigurisht dy vende në faza të ndryshme të këtij procesi. Mali i Zi është një hap përpara nesh. Kjo e bën akoma dhe me efektiv bashkëpunimin tonë, pasi ne jemi të bindur se përvoja juaj do të jetë mjaft e vyer në mënyrë që ne të ndjekim praktikën më të mirë, mos përsërisim ato gabime që ndoshta ju keni bërë më herët gjatë procesit”, tha Ministrja Gjosha. 

Ministrja foli për sfidat që ka përpara Shqipëria me procesin duke theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi si një reformë parësore për qytetarët. 
“Ne jemi të fokusuar tek reforma në drejtësi, një reformë mjaft e rëndësishme të cilën po e bëjmë mbi të gjitha për qytetarët tanë, sepse ata meritojnë një sistem drejtësie të besueshëm, i cili në fakt është edhe kusht themelor për ndërtimin e një demokracie të konsoliduar. Shpresojmë që kjo reformë të finalizohet sa më shpejt, në mënyrë që Shqipëria të marrë rekomandimin nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave, fazë kjo tepër deçizive në gjithë rrugëtimin tonë europian”,tha Ministrja Gjosha. 

Ministrja theksoi se harmonizimi i legjislacionit, menaxhimi i instrumenteve të paraantarësimit dhe ndihma të tjera që lidhen drejtpërdrejt me integrimin e dy vendeve, janë fusha ku bashkëpunimi Shqipëri-Mal i Zi është i një rëndësie të veçantë. “Shkëmbimi i ekspertëve do të ndihmojë këto procese, duke na bërë që të avancojmë me axhendën tonë të përbashkët europiane. Ne vetëm përpara pak javësh mbyllëm me sukses projektin ndërkufitar me Malin e Zi dhe ndërkohë ka nisur bashkëpunimi për menaxhimin e asistencës teknike, për Programin i Ri ndërkufitar IPA 2014-2020. 

Jam e bindur se do të realizojmë me sukses objektivin e përgjithshëm të këtij programi, duke nxitur një zhvillim më të ekuilibruar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm social-ekonomik të zonës kufitare. Në saj të tij do të kontribuohet në nxitjen e punësimit, përfshirjes sociale dhe kulturore në të gjithë zonën e përbashkët kufitare. Janë pikërisht programe të tilla që na bëjnë bashkë me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, pasi integrimi i një vendi siç të gjithë e dimë, nis e përfundon me ta”, tha Ministrja Gjosha. Ministrja Gjosha theksoi se komiteti merr një vlerë edhe më të madhe në kuadër të procesit të Berlinit, i cili bashkëpunimin rajonal e ka kryefjalë të tijën duke i dhënë një tjetër shtysë afrimit të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor me familjen e madhe europiane. 
Sigal