Gjosha: Reforma në drejtësi, e nevojshme për vendin

461
Minstrja e Integrimit Klajda Gjosha deklaroi në Komitetin e Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE se “reforma në drejtësi është e nevojshme për vendin dhe për qytetarët tanë”. “Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Vendit i duhet reforma dhe ajo duhet të finalizohet sa më shpejt”, shtoi Gjosha. Ditën e djeshme, Partia Demokratike nuk replikoi drejtëpërsëdrejti me Ambasadën Amerikane, por publikoi dy emaile që tregojnë komunikimin në muajin shkurt mes opozitës dhe ekspertëve amerikanë në lidhje me reformën në drejtësi.
Emaili i parë është i ambasadës dhe mban datën 10 shkurt. Aty janë propozimet e ekspertëve amerikanë për modelet e zgjedhjes nga Parlamenti të disa drejtuesve në institucionet e reja të drejtësisë. “Ajo që zgjodhi PD ishte pikërisht modeli i vendeve të rezervuara. Modeli është ekzakt i propozimit të paraqitur nga partnerët ndërkombëtar OPDAT dhe EURALIUS për këtë zgjidhje”, deklaroi deputeti Oerd Bylykbashi. Përzgjedhjen e tyre demokratët ua komunikuan amerikanëve në emailin e datës 17 shkurt. Deri atëherë, opozita mbronte variantin e vendimmarrjes me dy të tretat e votave. “Këto fakte vërtetojnë fleksibilitetin maksimal të PD, që në procesin e dialogut dhe konsensusit ka bërë hapat e saj përpara për të gjetur pikat e takimit”, nënvizoi Bylykbashi.
Sigal